Kabineti qeveritar – Rama: Qeveri më e vogël; 11 ministri dhe 2...

Kabineti qeveritar – Rama: Qeveri më e vogël; 11 ministri dhe 2 ministra shteti

416
0

Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën, në punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, se “qeveria e re do të jetë më e vogël me 11 ministri dhe 2 ministra shteti”.

Struktura e qeverisë dhe mënyra e funksionimit të saj, sipas Ramës, do të ndryshojë. “Do të ketë një qeveri të vogël dhe më bashkëvepruese me partinë dhe grupin parlamentar. Anëtarët e qeverisë, partisë dhe grupit parlamentar do të punojnë me një kalendar të përbashkët”, tha Rama, duke shtuar se 50 % e kabinetit të ri qeveritar do të jenë burra dhe 50 % gra.

Po ashtu, Rama tha se kryetar i Kuvendit do të jetë Gramoz Ruçi, ndërsa kryetar i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Është krenari t’i japim kryetarit të kësaj Asambleje, Gramoz Ruçit, të gjithë mbështetjen tonë në zgjedhjen e përmbushjen me sukses të detyrës. Me zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit ne do të bëjmë investimin më të sigurt politik që në Kuvend të kthehet respekti për ata që na kanë zgjedhur”, u shpreh Rama.

Qeveria “Rama 2”

Zëvendëskryeministër – Senida Mesi, deputete e qarkut Shkodër

Ministër Shteti për Diasporën – Pandeli Majko

Ministre e Shtetit për Sipërmarrësit – Sonila Qato

Ministër i Jashtëm – Ditmir Bushati

Ministër i Brendshëm – Fatmir Xhafaj

Ministre e Mbrojtjes -Olta Xhaçka

Ministër i Drejtësisë – Etilda Gjonaj

Ministria e Financave, Ekonomisë dhe Punës – Arben Ahmetaj

Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social – Ogerta Manastirliu

Ministria e Energjisë dhe e Infrastrukturës – Damian Gjiknuri

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Niko Peleshi

Ministër i Turizmit dhe Mjedisit – Blendi Klosi

Ministër i Kulturës – Mirela Kumbaro

Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë – Lindita Nikolla

“Kjo është qeveria me të cilën do të nisim mandatin e ri. Nëse do të përfundojmë mandatin me këtë qeveri do të varet nga puna e çdo ministri, nga ritmi i punës në mandatin e ri. Ministrat do të kenë gjithë mbështetjen time, por do të kenë një besim të kushtëzuar nga performanca”, deklaroi Rama. Ai bëri të ditur se ekipi i ri qeveritar do të nisë që nesër punën konkrete për finalizimin e programit të qeverisë.

Rama: Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, sfidë reale

Rama tha se “bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, nuk është një togfjalësh por është sfidë reale, e vështirë për tu ndërtuar dhe vënë në funksionim”.

Rama renditi besnikërinë ndaj vendit e njerëzve të zakonshëm, vullnetin e palëkundër politik për reforma, duke qeverisur me kurajo dhe bërjen ballë të çdo kundërshtie apo rezistence për rritjen e status quo-së, si pikat më të rëndësishme në qeverisjen e 4 viteve të ardhshme.

“Jemi të vetëm në timon, por bashkëudhëtarë në një koalicion të paprovuar kurrë më parë, PS me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, bashkë për Shqipërinë që duam”, tha Kryeministri. Sfida tjetër e jonë, tha ai, është të mbrojmë këtë pushtet nga vetvetja, nga difektet dhe gabimet tona.

Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, sipas Ramës, është një koalicion real në nivel qendror, i cili në 2 vite do të shtrihet edhe në nivelin vendor, ku kandidaturat do të jenë mishërimi i realitetit të ri të këtij koalicioni.

“Ky proces do të jetë baraz me krijimin një force të re politike”, shtoi Rama. Urgjenca e ndryshimit, sipas Kryeminsitrit Rama, u pa nga vendimi i qytetarëve në 25 qershor për të larguar nga prehri aleatët me një dorë në timon e një dorë në tepsi.

Rama ripohoi gatishmërinë për dialog me opozitën, por pa lënë asnjë punë të sotme për nesër. “Do të adoptojmë një sjellje pro aktive ndaj opozitës. Do t’i shtrijmë dorën në çdo hap. Duhet të mësohemi edhe si detyrim i mandatit dhe përbërjes të atyre që na kanë votuar. Në vijimësi, për çdo çështje dhe për çdo akt. Por, ama nuk do të qëndrojmë në vend duke pritur opozitën”, deklaroi Rama.

Rama po ashtu bëri të ditur se zyra e skuadrës së deputetëve në çdo qark do të vazhdojë të rrijë e hapur në çdo bashki. Ndërsa shtoi se praktika e mirë e dëgjesave publike e korrikut do të përsëritet periodikisht në rang Republike gjatë përgatitjes së buxhetit, në vjeshtë dhe në fund të sesionit parlamentar, në verë.

Kryeministri komentoi edhe raportin e Task-Forcës së drejtuar nga zëvendëskryeministrja Ledina Mandija e propozuar nga Partia Demokratike. Sipas tij, raporti është më tepër shenjë e humbjes së madhe. Por ai u shpreh i gatshëm të vijoj bashkë me opozitën luftën për të çrrënjosur plantacionet e kanabisit dhe për të hequr përfundimisht Shqipërinë, nga harta e vendeve që kultivojnë e trafikojnë lëndë narkotike, në përfundim të këtij viti. “Pavarësisht dallimit thelbësor politik me kryetarin e opozitës dëshiroj të vazhdoj bashkëpunimin e nisur në maj, për çështje strategjike të vendit, siç është integrimi, për të cilin sot asnjë parti politike në vend nuk është kundër”, tha Rama.