Vizita e parë e Zelenskyt në Tiranë, mediat e huaja i bëjnë...

Vizita e parë e Zelenskyt në Tiranë, mediat e huaja i bëjnë jehonë samitit për Ukrainën

97
0

Presidenti ukrainas, Zelensky ka vizituar për herë të parë Shqipërinë, teksa do të marrë pjesë në samitin kushtuar Ukrainës, që do të mbahet në Tiranë. Padyshim që kjo vizitë nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes së mediave të huaja, të cilat kanë pasqyruar lajmin. “Zelenskiy i Ukrainës mbërrin në Shqipëri për samitin e Europës Juglindore”. Ky është titulli që ka vendosur Reuters për vizitën e Zelenskyt në Tiranë.

Në artikull theksohet mbështetja që i ka dhënë Shqipëria Kievit si një vend i NATO-s duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe kanë dërguar municione në Ukrainë. Po ashtu vizitës i ka kushtuar rëndësi dhe “Associated Press”, ku shkruhet se Zelensky mbërriti në Shqipëri për të siguruar më shumë mbështetje për të mposhtur armikun.

“Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dy vitet e fundit, Shqipëria iu bashkua SHBA-së në inicimin e rezolutave kundër pushtimit rus,” -thuhet në artikullin e AP. Po ashtu vëmendje kësaj vizite dhe samitit i ka kushtuar dhe Daily Mail. “Kjo është hera e parë që Zelensky bën një vizitë në kombin ballkanik që kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se dy vjet më parë.”, -thuhet në artikull. Padyshim që vëmendje të veçantë i ka kushtuar vizitës së Zelenskyt në Shqipëri dhe The Guardian.

“Volodymyr Zelenskiy ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, ku do të marrë pjesë në një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët e tyre. Kievi po kërkon mbështetje ndërkombëtare për një plan paqeje të Zelenskiy, ndërsa pushtimi i Rusisë po shkon në vitin e tretë dhe trupat ukrainase përpiqen të ruajnë territoret kundër sulmeve ruse””, thuhet në shkrim. Kujtojmë se Zelensky mbërriti në Aeroportin e Rinasit në orën 23:00, ashtu siç ishte parashikuar. Ai u prit nga ministri jashtëm Igli Hasani, Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali si edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë.