Prindi, aktori kryesor në procesin e edukimit/ Nga Ana Llazo

Prindi, aktori kryesor në procesin e edukimit/ Nga Ana Llazo

140
0

Roli i prindit është parësor në procesin e edukimit por edhe të mbarëvajtjes së ecurisë së rezultateve në procesin e të nxënit. Prindërit duhet të përfshihen në procesin edukativ-mësimor si partnerë të edukimit të fëmijëve të tyre në mënyrë që arsimimi i fëmijve të jetë më efektiv. Nga nevojat e ditëve të sotme roli i prindit po bëhet akoma më parësor duke i ndihmuar në shembuj sjelljesh të përshtatshme për bashkë moshatarët e tyre dhe komunitetin. Prindi i ditëve të sotme duhet të jetë model dhe pasqyrë duke stimuluar në edukim, rezultatet e të nxënit, mirërritjen dhe lumturinë e tyre pasi i gjithë ky proces përkthehet në sukses dhe sfidë për to.  Secili prind është i interesuar që fëmija i tij të jetë i angazhuar gjatë procesit mësimor dhe të përfitojë maksimalisht nga ky proces. Por dhe vetë nxënësi është i dyzuar dhe vazhdimisht i duhet të lëvizë përmes raportit prind-mësues dhe familje-shkollë.  Ndaj një bashkëpunim midis ketyre partnereve lidhet ngushtë në edukimin e brezave tanë. Komuniteti i prindërve pavarësisht diferencave ndërmjet tyre i bashkon ndjesia e angazhimit të fëmijëve për të nxënë njohuri. Jo të gjithë prindërit kanë të njëjtin rol dhe ndjeshmëri në mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre në procesin e edukimit dhe kjo si rrjedhojë e diferencave në edukim, kulturë dhe arsimim. Vigjilenca e prindërve duhet të jetë e lartë për përdorimin e teknologjisë nga ana e fëmijëve të tyre pasi ajo përveç se cënon procesin mësimor në shumë raste po kthehet si kërcënim serioz për jetën e tyre. Ecuria e procesit të nxënit dhe edukimit në tërësi nuk varet vetëm nga institucionet arsimore. Prindërit duhet të jenë të përgjegjshëm për rolin e tyre dhe pika më e rëndësishme të cilës ata duhet ti mëshojnë fort është mbështeja emocionale. Duke kaluar nga një stad moshe në një tjetër prindi duhet ta trajtojë fëmijen në përputhje me këto ndryshime. Prindi duhet të jetë një dëgjues i mirë në mënyrë që fëmija të shkarkojë tensionet e moshës me diskutime të hapura dhe jo paragjykuese. Respektimi i origjinalitetit të fëmijës së tij dhe mungesa e ushtrimit të trysnisë për ti përngjarë dikujt si shembull suksesi e ndihmon  fëmijën për të realizuar vetveten dhe potencialet e tij përmes modeleve pozitive dhe të sukseshme.