“Business 2030”, Balluku: Fokus, rikthimi i emigrantëve duke u ofruar klimë të...

“Business 2030”, Balluku: Fokus, rikthimi i emigrantëve duke u ofruar klimë të lehtësuar biznesi

309
0

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se “biznesi i vogël dhe i mesëm është motori i ekonomisë sonë dhe kontributori kryesor në zhvillimin e sektorëve jetikë të vendit”.

 

E pranishme në konferencën “Business 2030” që u zhvillua në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, një aktivitet i organizuar nga Ambasada suedeze dhe Kombet e Bashkuara në Shqipëri, Balluku vlerësoi punën e ambasadores së Suedisë në vendin tonë të cilën e konsideroi një nga njerëzit më aktiv për të ndryshuar gjithçka në Shqipëri.

 

“Sot falë punës së Elsës janë bërë gjëra që ndoshta duken të vogla, por në fakt Elsa ka lënë një markë këtu në Shqipëri”, u shpreh Balluku.

 

Balluku u ndal në rolin që kanë luajtur eksperiencat ndërkombëtare në bashkëpunim me qeverinë, në ndërgjegjësimin e bizneseve të vogla dhe të mesme për t’u zhvilluar sipas praktikave më të mira.

 

“Janë këto bizneset që kanë nevojë për mbështetjen tonë, pasi akomodojnë një pjesë të madhe të popullsisë si krah pune, çështje kjo që është vënë në fokus të tryezave të qeverisjes apo dhe të akademikëve, sesi do të vazhdojë në të ardhmen fluksi i emigracionit në vendet e Ballkanit. Gjithashtu aftësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë tërheqës dhe ku fokus i qeverisë tonë është për të rikthyer emigrantët e suksesshëm në vendin tonë, duke u ofruar klimë biznesi të lehtësuar, transparent dhe efikas”, tha Balluku.

 

Në fjalën e saj, Balluku solli në vëmendje punën fondamentale që është bërë në përmirësimin e klimës së biznesit për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Sot, tha ajo, kemi një realitet të ri në zhvillimin e sipërmarrjeve të huaja që janë promotorët më të mirë të mirë të klimës së biznesit në Shqipëri.

 

“Konkretisht, është rasti i ‘Voltalias’ franceze, e cila u përzgjodh në mes të 14 kompanive për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë së rinovueshme. ‘Voltalia’ është rasti për të thënë dhe mënyra se si kemi punuar në Shqipëri, transparenca dhe konkurrenca e drejtë është e padiskutueshme”, u shpreh Balluku.

 

“Është detyra e qeverisë së Shqipërisë për t’ju krijuar kushtet e klimën e duhur për t’u bërë atraktive për të gjithë ata shqiptarë që duan të rikthehen në vendin e tyre”, theksoi ajo.