Bota me më pak armë atomike, por më moderne

Bota me më pak armë atomike, por më moderne

403
0

Numri i armëve atomike në botë ka rënë, por megjithatë fuqitë atomike synojnë mondernizimin e arsenalit aktual. Sipas Institutit SIPRI asnjë fuqi atomike nuk do ta dorëzojë arsenalin bërthamor në një të ardhme të afërt. Numri i armëve atomike është ulur vitin e kaluar – ndërkohë që investimet në modernizimin e arsenalit bërthamor janë rritur. Ky është konkluzioni i raportit të Institutit të Stokholmit për Studimet e Paqes, SIPRI i publikuar të hënën (03.07).

SHBA dhe Rusia kanë 93% të arsenalit botëror atomik

Në fillim të vitit 2017 nëntë shtete kanë pasur në zotërim 14.935 koka bërthamore, një rënie e dukshme krahasuar ne vitin e kaluar, kur kjo shifër ishte 15.395. Reduktimi i tyre lidhet me përpjekjet e SHBA dhe Rusisë që zotërojnë 93% e arsenalit bërthamor botëror. Megjithatë 9 fuqitë botërore kanë zhvilluar sisteme të reja mbajtëse apo stacionimi, ose e kanë paralajmëruar një gjë të tillë. 9 shtetet atomike të botës: SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Kina, India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut.

SHBA do të modernizojë arsenalin bërthamor

“Megjithë përparimet e bëra në negociatat ndërkombëtare për ndalimin e armëve atomike të nëntë fuqitë botërore kanë programe modernizimi”, thotë studiuesi i SIPRI-t, Shannon Kile. “Kjo të le të kuptosh që asnjë nga këto shtete nuk do të jetë i gatshëm të dorëzojë arsenalin e armëve bërthamore në një të ardhme të afërt.” Sidomos SHBA është e gatshme që nga viti 2017-2024 të shpenzojë 400 miliardë dollarë për të modernizuar armët bërthamore, sipas raportit të SIPRI.

Teste atomike të Koresë së Veriut

Koreja e Veriut ka zhvilluar në vitin 2016 dy teste bërthamore, që shkaktuan reagime të shqetësuara në opinionin ndërkombëtar. Që atëherë vendi komunist ka zhvilluar disa teste me raketa ndërkontinentale. Sipas raportit të SIPRI-t, Phenjani nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të zhvilluar koka bërthamore kompakte që arrijnë të godasin edhe territorin amerikan. Por ekspertët janë të mendimit se Koreja e Veriut do mund të ishte në gjendje të zhvillonte “minikoka bërthamore” që të mund të transportonin raketa me rreze të shkurtër e të gjatë veprimi. Në BE vetëm dy vende kanë armë bërthamore, Britania e Madhe dhe Franca. Në janar arsenali britanik përbëhej nga 215 koka bërthamore, nga të cilat 120 konsiderohen të afta për veprim. Franca zotëron 300 koka bërthamore. Si Britania e Madhe edhe Parisi kanë sinjalizuar se do të modernizojnë programet bërthamore.

Fuqitë atomike në Azi

Ndër vendet aziatike me një arsenal të fuqishëm llogaritet Kina me rreth 720 koka bërthamore. Pakistani renditet i dyti me rreth 140 koka dhe më pas India me 130 koka bërthamore. Sipas vlerësimit të SIPRI-t: “Kina ka filluar një program mondernizimi, i cili fokusohet tek cilësia e armëve atomike dhe jo zgjerimi i tyre.” Ndërkohë edhe India e Pakistani bëjnë përpjekje për të zgjeruar fuqinë nukleare si në tokë ashtu edhe në det. Sipas raportit të SIPRI-t kjo mund të ketë pasoja të rrezikshme. “India dhe Pakistani po zgjerojnë kapacitetet prodhuese ushtarake për material atomik në një masë të tillë që në dekadën e ardhshme kjo mund të çojë në zgjerim të ndjeshëm të arsenalit të tyre bërthamor”, analizon raporti i Institutit për Studimet e Paqes me qendër në Stokholm.