Zgjedhjet, PDIU takim në Vlorë. Idrizi: Të gjithë politikanëve shqiptarë u kam...

Zgjedhjet, PDIU takim në Vlorë. Idrizi: Të gjithë politikanëve shqiptarë u kam mësuar historinë e Çamërisë

516
0

Muhedini: I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Çamërisë që të mos përçahen duke votuar bashkëpatriotët tanë që janë në listat e partive të tjera. Eja bashkohuni me PDIU-në që ti japim zgjidhje çështjes came

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim madhështor në Vlorë, për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim mori pjesë kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe kandidatët për deputet në qarkun e Vlorës Tahiri Muhedini e Arjol Shero. Idrizi u shpreh se i ka mësuar historinë e Çamërisë politikanëve shqiptarë. “Më është dashur t’ju mësoj të gjithëve atyre që sot merren me politikë, historinë e Çamërisë.

T’jua mësoj një nga një, sepse dikush se kishte idenë, dikush mendonte se janë nja 5 fshatra dhe nuk e dinte që Çamëria u sakrifikua, ashtu si Kosova, që të jetë kjo Shqipëria politike që është sot. Në luftojmë nën flamurin e drejtave të lirive të njeriut. Si mund të pranojmë ne sot që të moshuarit të cilët kanë lindur në Çamëri, ndalohen të kalojnë kufirin grek. Ne nuk duam pronat, ne duam vatanin tonë, ne duam që të kthehemi në Çamëri, aty ku e kemi kokën”, – tha kryetari i PDIU-së. Z.Idrizi theksoi se PDIU do të jetë pjesë e asaj mazhorance që ka në programin e saj çështjen kombëtare dhe çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.

“Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të jetë pjesë e mazhorancës. E asaj mazhorance që çështjet patriotike kombëtare, çështjen e dinjitetit kombëtar, çështjen e shqiptarëve të Çamërisë do ta bëj pjesë të programit të saj. Vetëm me ata do jemi. Ndryshe do ta kemi më kollaj në Parlamentin e Shqipërisë të ngrihemi çdo ditë, në çdo seancë dhe të kërkojmë drejtësi për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Por edhe për shqiptarët në Mal të Zi, në Maqedoni, në Diasporë dhe kudo ku ata jetojnë”,- tha kryetari i PDIU-së.

Shpëtim Idrizi u shpreh se PDIU do të marrë dy deputetë në qarkun e Vlorës.

“Do të përfaqësohemi me dy deputetë në qarkun e Vlorës, me Tahir Muhedinin e Arjol Sheron. Tahiri Muhedini do të jetë deputeti i parë që do të zgjidhë hallet dhe problemet tuaja dhe më pas Arjol Shero. Votoni nr.13, sepse ne jemi parti e kauzës kombëtare. Unë nuk rri dot pa ju thënë, që të gjithë partitë politike e kanë në program çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Është vetëm një parti, një person i cili jo vetëm që nuk e njeh çështjen çame, por vazhdon të jetë zëdhënësi i “Agimit të Artë”. E kam fjalën për Vangjel Dulen, i cili vazhdon të stigmatizojë shqiptarët e Çamërisë, i cili kur 138 deputetë në Parlamentin e Shqipërisë ngriheshin në këmbë kur ne kërkonim një minutë heshtje, dënjonte e na fyente duke ndenjur ulur apo duke thënë që çështja çame nuk ekziston. I drejtohem mikut të Takut, Dashamir Tahirit, që në atë kohë u ngrit që ta rrihte Vangjel Dulen, si është e mundur që sot ta marri kalapiç dhe ta nxjerrë deputet? Unë i bëj thirrje që ta lërë atë rrugë dhe të vijë në shtëpinë e vet, aty ku i ka hije, sepse ne luftojmë për kauzën e shqiptarëve të Çamërisë. Kjo është ajo për të cilën do të luftojmë gjatë gjithë kohës. E patë se si largua grupi i Dropullit, sepse në mes të Tiranës në Sheshin “Skënderbej” është vendosur pllaka e Çamërisë, kishte edhe një protestë të Ambasadës Greke. Prandaj unë ju them që ne e kemi trimëruar politikën shqiptare. Ne atë pllakët do ta marrim nga Sheshi “Skënderbej” dhe do ta çojmë aty ku e ka vendin në Çamëri, sepse ne besojmë fortë që të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë pjesë e humanizmit, janë pjesë e të drejtave të patjetërsueshme”,- u shpreh kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Ndërsa kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Vlorës, njëkohësisht President Nderi i PDIU-së, Tahir Muhedini, tha se: “Të gjithë qytetarët e Vlorës, Sarandës, Konispolit e të çdo zone tjetër të votojnë nr.13, të votojnë PDIU-në. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Çamërisë që të mos përçahen duke votuar bashkëpatriotët tanë që janë në listat e partive të tjera. Eja bashkohuni me PDIU-në që ti japim zgjidhje çështjes came”.