Z. Hoyt Brian Yee, ne kemi fuqinë ti ndëshkojmë me votë, ju...

Z. Hoyt Brian Yee, ne kemi fuqinë ti ndëshkojmë me votë, ju mund tu hiqni fuqinë të na blejnë votat! Nga Arian Galdini

610
0

I nderuar z. Ambasador Yee,

A mund tju them sinqerisht se është ndoshta një nga ditët më shpresëplota kjo e sotmja për mua dhe shumë të tjerë si unë në Shqipëri! Dhe a e dini pse? Sepse ju nuk thatë sot fjalët tuaja, por fjalêt e mia dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve të ndershëm e të mirë. Me mijëra herë jemi ngritur ne kundër udhëheqësve tanë të koruptuar dhe autokratë, e askurrê nuk u përfillëm e as u dëgjuam. Kemi dalë në sheshe, ekrane, auditorë, kemi shkruar në gazeta, kemi folur edhe ne salla dinjitarësh perëndimorë, e megjithatë me vitet që shkonin, ne qytetarët e ndershëm beheshim pandalshmërisht më të dobët e më të papërfillur, ndërsa udhëheqësit tanë bëheshin edhe më të fuqishëm e më arrogantë. Edhe vota jonë u bë e pafuqishme sepse udhëheqësit tanë e blejnë, e vjedhin, e tjetërsojnë, e trysnojnë votën me pushtete, para dhe kriminelë. Fuqia dhe legjitimiteti i udhëheqësve tanë kanë qenë gjithmonë me burim dhunën dhe korupsionin brenda vendit, e sharmin e hojnet prej djemsh të mirë në   Perëndim. Ju i keni pritur, nderuar, shkolluar, trajnuar, e disa edhe i keni përkêdhelur veçanërisht. Nuk besoj se e kuptoni dot sesi ndiheshim, dekurajoheshim e rrëzoheshim ne këtu, kur ju na flisnit për demokracinë, lirinë, llogaridhënien, përgnegjshmërinë, ndershmërinë, ndërsa shtrëngonit duart, rrihnit shpatullat dhe u buzëqeshnit udhëheqësve tanë të koruptuar, të inkriminuar dhe autokratë. Ju i njihni, ua dini të gjitha bëmat e gjëmat. Mjafton të shohësh e krahasosh kostumin tuaj disaqindra dollarësh me kostumet mijëraeuroshe të modës së lartë të bëra me porosi tek stilistët më në zë të globit, që veshin e ndërrojnë  disa herë në ditë, këta udhëheqësit tanë fashionista. Këta udhëheqësit tanë, janë më pak e më keq se banalë, sepse këndej qeverisin, plaçkisin, vjedhin një nga popujt më të varfër të Europës, e nga ana tjetër bëjnë garë pasurie, estetike, mode e trillesh hollywoodiane me njëri-tjetrin, a thua se janë të gjithë personazhe Beverly Hills. Në fakt, nuk janë aspak më shumë se hajdutë e plaçkitës të vendit e të popullit të   tyre. Me stil apo pa stil, estetikë apo jo estetikë, sharmantë apo jo sharmantë, ata janë thjesht hajna të fëlligësht. Ata deri sot, na kanë mundur e mposhtur neve qytetarëve shqiptarë, sepse na shtypnin me legjitimitetin që kanë marë deri sot si partnerë të Perëndimit. Ne qytetarët shqiptarë jemi ndjerë çdo vit e më të çmuskulizuar në kapacitetet tona demokratike, ndërsa kemi parë për 27 vite të njëjtët udhëheqës hajna që priten, lëvdohen, nderohen, kritikohen, akuzohen, ripriten, rilêvdohen, rinderohen nga Perëndimi. Andaj, ju z. Yee, më në fund keni folur atë që ne qytetarët shqiptarë e themi me zë e pa zë prej  vitesh, derisa na është kthyer në grishtje shpirti. Ndaluani nderimet , pritjet, partneritetin këtyre udhëheqësve shpresëvrasës dhe plaçkëbërës që po na sundojnë. Nëse e bëni këtë, u hiqni udhêheqësve tanë hajna fuqinë për të na vjedhur a blerë votën, e për rrjedhojë na riktheni neve qytetarëve fuqinë që ti zgjedhim udhëheqësit tanë me votë. Po e patëm fuqinë që ti zgjedhim udhëheqësit tanë me votë, me siguri ne qytetarët do tia dalim ti ndëshkojmë me votën tonë hajnat e politikës.