Televizioni publik dhe roli i tij në edukimin mediatik

Televizioni publik dhe roli i tij në edukimin mediatik

443
0

Televizioni publik mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në edukimin mediatik në vend. Ky ishte përfundimi kryesor i një tryeze diskutimi mes ekspertëve të medias, përfaqësuesve të medias publike, gazetarësh, si dhe akademikësh. Në këtë tryezë, të organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias, Valbona Sulce Kolgeci, eksperte e medias dhe ish-anëtare e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, paraqiti një punim që analizonte situatën me median publike dhe me nismat për edukim mediatik në vend, si dhe disa rekomandime konkrete për mënyrën se si media publike mund të bëjë më shumë në këtë aspekt, falë mbulimit të vet të gjerë me sinjal, si dhe kanaleve të shumta programatike që ka në dispozicion.

Gjatë prezantimit u sollën dhe shumë shembuj nga bota për mënyrën se si mediat publike në përgjithësi janë bërë nismëtare të edukimit mediatik të publikut në vendet e tyre, në forma të ndryshme. Kjo ka sjellë përfitime si nga ana e rritjes së nivelit të gjykimit të popullsisë për vlerën e lajmeve, por edhe ka shtuar besimin te media publike.

Diskutimi i pjesëmarrësve u përqendrua te mënyra konkrete se si televizioni publik mund të angazhohet në edukimin mediatik, të tilla si emisione të posacme edukative dhe informuese në kanalet RTSH Shkollë dhe RTSH Fëmijë, trajnime speciale për stafin në Akademinë e RTSH, përdorimi i aplikacionit RTSH Tani si një mënyrë për t’u lidhur me grupmoshat e reja, marrja e përvojës nga EBU, programe ku fëmijët bëjnë lajmet e tyre, programe që përqendrohen te verifikimi i fakteve, lojëra interaktive në aplikacion, video të shkurtra për lajmet dhe informacionin, etj. Të gjitha këto diskutime dhe sugjerime do të vijojnë më tej në takime të tjera me përfaqësuesit e RTSH.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadrin e projektit “Media për Qytetarët – Qytetarët për Median,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe organizatat partnere, me ndihmën financiare të Bashkimit Europian.