
Kryetari i shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, ka njoftuar për hapin e madh, lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit të tri shoqatave atdhetare që kanë origjinë nga Malësia dhe të cilat punojnë në tri zona të ndryshme të Amerikës për Malësinë. “Bashkimi bën fuqinë, ne jemi bashkuar që faktori shqiptar të jetë i gjithëpranishëm, nga Nju Jorku , Uashingtoni, Miçigani e deri në Kaliforni dhe që kauzat tona kombëtare të arrihen më lehtë”, ka shkruar Dedivanaj.
Deklarata e tij e plotë:
Të dashur bashkatdhetarë,
Nga ky moment jemi një ditë më afër prosperitetit të gjithanshëm të popullit tonë, nga ky moment jemi një ditë më afër realizimit të idealit të bashkimit kombëtar!
Me krenari dhe kënaqësi të madhe ju njoftojmë se shoqatat “Malësia e Madhe NY”, “Malësia në Kaliforni” dhe “Jehona e Malësisë”, në frymë të përbashkët , kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila përcakton se tani e tutje çdo formë e veprimtarisë në komunitetin shqiptar në SHBA do të jetë e unifikuar dhe unanime. Ky lloj bashkëpunimi nënkupton të gjitha aktivitetet dhe sferat e veprimtarisë sonë atdhetare, që nga puna jonë për mirëqenien dhe prosperitetin e komunitetit tonë shqiptar në SHBA, deri te zhvillimi dhe përparimi i vendlindjes sonë. Duke ditur që bashkimi bën fuqinë, ne jemi bashkuar që faktori shqiptar të jetë i gjithëpranishëm, nga Nju Jorku , Uashingtoni, Miçigani e deri në Kaliforni dhe që kauzat tona kombëtare të arrihen më lehtë!
Fati deshi që pika e ktheses e bashkimit tonë të jetë pikërisht figura e Atit të kombit tonë, Skënderbeut, ku aksioni ynë i përbashkët për ngritjen e përmendores së kryheroit të kombit në Malësi na nxiti të bashkëpunojmë dhe bashkëveprojmë, sepse kur jemi bashkë, fjala “e pamundur” nuk ekziston në fjalorin tonë! Një kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e këtij momenti historik dhanë të gjithë bashkatdhetarët tanë përmes ruajtjes dhe kultivimit shembullor të gjuhës, kombit dhe identitetit tonë shqiptar! U bëftë bashkëpunimi ynë model përparimi dhe model veprimi për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Uniteti ynë inkurajoftë unitetin e kombit shqiptar!
Gjithmonë bashkë!