Shqipëria, prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europën Juglindore

Shqipëria, prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europën Juglindore

530
0

Shqipëria është renditur si vendi i parë për prodhimin më të madh të lëndëve narkotike në Europën Juglindore, bashkë me Spanjën dhe Holandën.

Ky është përfunimi i raportit të fundit publikuar nga UNODC-ja, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet, sipas të cilit Shqipëria rezulton të jetë prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europën Juglindore duke nisur nga viti 2010 deri në vitin 2017.

Raporti i zyrës së OKB-së e cilëson Shqipërinë si vendi i origjinës nga ku niset kanabisi dhe më pas furnizohen të gjitha vendet e Europës dhe si një vend ku janë kapur laboratorë droge.

Megjithatë, në rang botëror Shqipëria renditet e dhjeta për nga sasia e kanabisit të asgjësuar për periudhën 2016-2017.

Raporti i vitit 2018 mbi narkotikët thotë se Shqipëria është pjesë e trafikut ndërkombëtar të kanabisit dhe gjithashtu pjesë e rrugës së trafikut të heroinës nga Azia në Evropën Perëndimore. Nga ana tjetër, së bashku me Holandën, Shqipëria përmendet edhe për shkatërrimin e sasisë më të madhe të kanabisit në Europë gjatë viteve të fundit.

Sipas raportit, në vitin 2016, Shqipëria shkatërroi 5,205 parcela me kanabisi, duke djegur 2,536,288 rrënjë lëndësh narkotike.

Ashtu siç edhe pritej, raporti ndalet edhe tek bandat shqiptarët, të cilat përmenden gjithashtu për aktivitetet e tyre të paligjshme jashtë vendit, sidomos në Belgjikë dhe Holandë, ku përdorin gratë për transportin e drogës.

Në raportin e vitit të kaluar, Shqipëria u përmend si një vend kyç për trafikun, prodhimin e kanabisit dhe përdorimin e substancave të forta psikotike tek të rinjtë.

Raporti përdor një sërë treguesish për të identifikuar se ku ka të ngjarë të ketë kultivim dhe prodhim kanabisi si hektarët e kanabisit të asgjësuar, numri i bimëve të asgjësuara dhe origjina e kanabisit të asgjësuar.

Sipas të dhënave të raportit të UNODC, në Shqipëri janë asgjësuar në 2016-n rreth 2.5 milionë rrënjë, ose 5,205 plantacione në fushë të hapur. Sipas tabelave të publikuara nga UNODC , Shqipëria renditet e dhjeta në botë për nga sasia e kanabisit të asgjësuar për 2016-2017, ku rekordin e mbajnë Paraguaji dhe Filipinet, përkatësisht 36.5 dhe 26.4 milionë rrënjë të asgjësuara.

Në Europë, sasitë më të mëdha të kanabisit të asgjësuara ishin në Shqipëri, Itali dhe Turqi.

Në 2017-n në Shqipëri u asgjësuan 67 mijë bimë dhe 500 plantacione, ndërsa u kalua dhe te prodhimi i mbyllur, teksa u asgjësuan 7,776 bimë në hapësira të mbyllura. Për periudhën 2016-2017 UNODC nuk ka publikuar të dhëna për sipërfaqen e mbjellë dhe për prodhimin. Të dhënat e fundit për to janë të vitit 2012, kur kishte 10 mijë hektarë të mbjella me kanabis me një prodhim prej 1,400 tonësh.

Shqipëria përmendet dhe si një nga vendet e Europës, ku janë kapur laboratorë kokaine, së bashku me Belgjikën, Slloveninë, Portugalinë dhe Spanjën.

Raporti thekson se gjatë periudhës 2013–2017, shtetet euriopiane që u përmendën më shpesh në anketat e raportit vjetor si shtete kryesore të origjinës, nisjes dhe tranzitit të barit të kanabisit të asgjësuar ishin Shqiperia, Holanda dhe Spanja.

Edhe sipas Observatorit Europian për Krimin dhe Sigurinë, krimi i organizuar, trafikimi i kanabisit dhe bandat me origjinë nga Shqipëria janë fuqizuar edhe më shumë përgjatë vitit të kaluar në Europë. “Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuanë, veçanërisht në tregun europian dhe është vend tranzit i heroinës dhe kokainës afgane, duke shërbyer si porta kryesore hyrëse e saj në vendet e BE-së”, thotë organizata në raportin e saj për 2018-ën.

“Shqipëria renditet si vend prodhues dhe nyje shpërndarjeje për trafikun e drogës, falë përfshirjes së grupeve kriminale shqiptare në rrjetet kryesore të trafikut të heroinës, kokainës dhe kanabisit në Europë”, citohet më tej në këtë raport.

Sipas dokumentit, grupet shqiptare janë fuqizuar aq shumë saqë kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesin kryesor të kokainës, siç është Kolumbia. Këtë lidhje e ka zbuluar më herët agjencitë britanike ligjzbatuese, që thonë se “grupet kriminale shqiptare po rrisin gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre tek rrjeti i trafikut të kokainës duke vendosur marrëdhënie direkte me prodhuesit e saj në Amerikën Latine, e shpesh duke shmangur grupet tradicionale dhe më të vjetra në këtë veprimtari të paligjshme”.

“Londra është baza kryesore e grupeve shqiptare, por aktiviteti i tyre shtrihet në mbarë Europën”, thotë raporti