Rama në Vlorë: Reforma në administratë i hap rrugë zhvillimit ekonomik e...

Rama në Vlorë: Reforma në administratë i hap rrugë zhvillimit ekonomik e rritjes së punësimit

350
0

 Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste gjatë një takimi me pensionistët në Vlorë, premtoi ndërmarrjen e një reforme të thellë në administratën shtetërore përmes së cilës në krye të institucioneve më të rëndësishme do të vendosen njerëz të aftë dhe jo njerëz me tesera partie.

Por kjo reformë, tha Rama, nuk mund të kryhet nëse Partia Socialiste nuk merr 71 vota.“Duhet të marrë fund historia e administratës shtetërore, e një sistemi partish që gërryejnë administratën e shtetit. Nuk mund të ndahet administrata shtetërore sipas partive”, deklaroi Kryeministri. Sipas kreut të PS-së, ne duhet të kalojmë në fazën ku punës t’i gjejmë njeriun e jo njeriut të partisë, punën.

“Ka shumë njerëz të aftë që nuk gjejnë dot një punë, sepse nuk kanë një teser partie. Në vend të tyre janë vendosur njerëz pa shkollë dhe pa aftësinë e nevojshme për të kryer atë punë”, u shpreh Rama.

Këta njerëz, theksoi ai më tej, pengojnë zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit sepse administrata shtetërore është penguese dhe jo mbështetëse. “Pa reformën në drejtësi dhe atë në administratë nuk mund të kemi rritje ekonomike mbi 5 %”, tha ai

Duke u ndalur në kërkesën e tij për votë masive ndaj PS-së, në mënyrë që kjo të fitojë të drejtën për drejtim të këtyre reformave, Rama tha se koalicionet janë për programe, nuk janë për ndarje.

“Po nuk i ramë në themel këtij sistemi nuk ndërtojmë shtet”, deklaroi Kryeministri. Megjithatë, ai pranoi se ky koalicion ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, por shtoi se nuk e preku dot reformën në administratë, duke e quajtur atë si gangrenë.

Kryeministri u shpreh se model i kësaj reforme janë emërimet në Policinë e Shtetit dhe portali i mësuesit, ku emërimet bëhen në bazë të karrierës dhe testimeve dhe jo në bazë të mbështetjes politike.

Rama nënvizoi se reforma në drejtësi është e rëndësishme dhe se të gjitha forcat politike në vend ishin kundër saj. “Duan të godasin Vetting-un. E kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese. E vetmja forcë politike garante për zbatimin e reformës në drejtësi është Partia Socialiste”, deklaroi Rama

Rama u ndal edhe tek zhvillimet politike, duke vënë theksin në faktin se ishte ai që nxori opozitën nga çadra edhe pse mund të shkonte në zgjedhje edhe pa PD-në, pasi kishte mbështetjen e BE-së dhe Bashkimit Europian, të cilët sipas tij u shprehën qartazi se zgjedhjet do të ishin legjitime.

Me reformën e pensioneve, iu drejtua Rama pensionistëve, shpëtuam sistemin nga kolapsi dhe rritëm pensionet deri në 40%. “6600 veteranë të luftës përfituan rritje me 16% të pensionit të tyre dhe 5 mijë gjyshe e gjyshër të përjashtuar nga skema deri më 2013, sot përfitojnë pensionin social. Në 4 vitet që vijnë pensionet do vijojnë të rriten dhe çdo fundvit, pensionistët do të marrin një shpërblim deri në 100 mijë lekë”, deklaroi Rama.