Qarku më i komplikuar elektoral/ Beteja për Vlorën mes grekëve dhe çamëve

Qarku më i komplikuar elektoral/ Beteja për Vlorën mes grekëve dhe çamëve

331
0

Partia Socialiste synon të shtrydhë avantazhin e saj të madh në vota në qarkun e Vlorës për ta konvertuar në mandate shtesë, mandate që mund të jenë me rëndësi vendimtare për të. Por shumë gjëra janë të pasigurta

Edi Rama zgjodhi të dalë deputet i Vlorës në vitin 2013, duke kryesuar listën e partisë Socialiste për këtë qark. Vlora i dha atij një fitore të thellë në vota. Socialistët fituan mbi 56 mijë vota, përballë 21 mijë votave të fituara nga demokratët.

Megjithatë, socialistët morën vetëm gjashtë mandate në Vlorë, aq sa kishin marrë edhe më 2009, ndërsa dy mandate të tjera të fituara për koalicionin e majtë u morën nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Partia Demokratike mori tre mandate ndërsa Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, në atë kohë në aleancë me PD, mori mandatin e katërt për të djathtën.

Në total, rezultati i zgjedhjeve të vitit 2013 i dha të majtës tetë mandate në Vlorë ndërsa të djathtës katër mandate. Në vitin 2009, rezultati pati qenë 7 me 5.

Vlora është ndoshta qarku më i komplikuar nga pikëpamja elektorale në Shqipëri. Ky qark shtrihet për mbi 120 kilometra në vijë ajrore nga Konispoli deri në Brigjet e Semanit, me votues përgjithësisht të majtë, por me enklava të Ballit Kombëtar, me popullsi të konsiderueshme çame si dhe me minoritet grek.

Vlora është gjithashtu qarku që ka shënuar rekorde të njëpasnjëshme pjesëmarrjeje të ulët, rezultat ky pjesërisht i migrimit masiv të popullsisë dhe pjesërisht i refuzimit për të votuar pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme.

Vlora ka mbi 300 mijë votues të regjistruar nga të cilët, më shumë se gjysma gjenden në Bashkinë Vlorë, e cila kontrollohet nga Socialistët prej të gjitha kohërave.

Ndër bashkitë e tjera, Saranda, Himara dhe Konispoli kontrollohen nga Partia Socialiste ndërsa Delvina kontrollohet nga LSI e Selenica nga PD. Bashkia e vogël e Finiqit kontrollohet nga partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, MEGA.

Siç shihet, Vlora përbën garën më të komplikuar mes qarqeve në Shqipëri. Partia Socialiste duket se i ka varur një pjesë të shpresave të saj për të kapur 71 deputetë në rang kombëtar në mundësinë për të fituar shtatë mandate në këtë qark me 12 mandate, ndërsa në varësi të ecurisë së dy partive të vogla, LSI dhe PDIU në këtë garë, edhe mandati i tetë nuk mbetet i paarritshëm.

Kryeministri Edi Rama e vuri veten të gjashtin në listën e kandidatëve të PS në Qarkun Vlorë në zgjedhjet e 25 qershorit, një pozicion ky që konsiderohet mëse i sigurt për PS-në nëse shohim rezultatet e zgjedhjeve të shkuara. Në rast se vlonjatët i japin shtatë mandate kësaj partie, atëherë ata do të dërgojnë në parlament Edmond Lekën, aktualisht kryetar i degës së PS-së Vlorë. Në vend të tetë gjendet Fatmir Velaj, i njohur ndryshe si Fate Velaj, i cili e deklaron veten “piktor, fotograf dhe shkrimtar, i njohur në arenën ndërkombëtare si krijues i strategjive dhe iniciativave politiko kulturore”.

Partia Demokratike arriti të marrë katër mandate më 2009 si dhe një mandat për aleatin e vet të vogël Partia Drejtësi dhe Integrim, (sot PDIU).

PDIU, e cila në Vlorë ka marrë një mandat edhe në vitin 2013, kur garoi si pjesë e koalicionit të djathtë, gjendet aktualisht duke garuar më vete. Kandidati i saj, Tahir Muhedini, është aktivist i vjetër i shoqatës Çamëria ndërsa nga viti 2013 ka qenë deputet i qarkut Tiranë. Por për votat e popullsisë së konsiderueshme çame të Vlorës ai garon me Dashamir Tahirin, i propozuar formalisht nga Partia Republikane dhe personi që më 2013 mori mandatin si deputet i Vlorës për PDIU. Ai aktualisht garon i pesti në listën e kandidatëve të PD-së, një pozicion jo shumë i sigurt ky, por ndërkohë Tahiri është deklaruar si politikan besnik ndaj së djathtës, i cili nuk e ndoqi partinë e tij në dezertimin nga e djathta për te koalicioni i majtë gjatë katër viteve të fundit. Popullsia çame konsiderohet në përgjithësi e djathtë, dhe PDIU mori rreth 4,400 vota në zgjedhjet e vitit 2015 në bashkitë që përbëjnë këtë qark, ndjeshëm më pak se sa 6800 votat që pati marrë më 2013. Kjo sugjeron se një pjesë e elektoratit çam të Vlorës nuk e ndoqi PDIU-në te koalicioni i majtë.

Gjithsesi nuk dihet nëse këto vota do të ndjekin Tahirin te koalicioni i djathtë. PDIU gjendet në të gjitha rastet në vështirësi duke garuar jashtë koalicioneve pasi për të marrë një deputet mund t’i nevojiten më shumë vota se sa iu deshën më 2009 e 2013. Gjithsesi, votat që PDIU do të marrë mund të ndikojnë në rezultatin final të së djathtës.

Në krah të kundërt duket se gjendet Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kjo parti ka garuar në dy zgjedhjet e fundit në koalicionin e majtë ndërsa votat e saj në Qarkun Vlorë mund të ndihmojnë kësaj here PD-në dhe ironikisht, vetë Dashamir Tahirin në mandatin e pestë.

PBDNJ mori 6 mijë vota më 2009 dhe 6,300 më 2013 kur garonte majtas. Kjo është një parti e rëndësishme për votat e popullsisë së emigrantëve shqiptarë, të cilët në rastin e Vlorës dhe të Gjirokastrës, mund të ndikojnë ndjeshëm në rezultat nëse organizohen dhe vijnë në atdhe për të votuar. Në rast se PBDNJ arrin të ruajë kohezionin e vet, këto janë vota që efektivisht do të kalojnë nga e majta në të djathtë. Kryetari i saj Vangjel Dule garon aktualisht në vend të tretë në listat e Partisë Demokratike dhe duket se e ka të siguruar postin e deputetit.

PDBNJ nuk është e vetme në betejën për votat e minoritetit grek në qarkun e Vlorës. Një parti tjetër e vogël, Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen [MEGA], u krijua në vitin 2008, kur PBDNJ doli nga koalicioni i djathtë dhe hyri te koalicioni i majtë. MEGA garoi në koalicion me të djathtën në vitin 2013, kur arriti të marrë afro 2,300 vota, ndërsa garoi jashtë koalicioneve më 2015, kur kandidati i saj Leonidha Hristo arriti të fitojë postin e kryetarit të Bashkisë Finiq.

Por që nga ajo kohë MEGA duket se është afruar me të majtën. Ajo garon aktualisht si parti më vete me kryetarin e saj Kristo Kiço, i cili është aktualisht edhe zëvendëskryetar i Bashkisë Sarandë.

Partia Balli Kombëtar arriti të marrë rreth 3,300 vota në zgjedhjet e vitit 2013 ndërsa kryetari i saj Adriatik Alimadhi aktualisht garon i gjashti në listën e Partisë Demokratike.

Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të marrë 10 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2013 duke marrë një mandat të sigurt. Deputeti i saj Shkëlqim Selami humbi postin në dhjetor 2016 për shkak se nuk kishte raportuar në formularin e dekriminalizimit një rast arrestimi në Bari të Italisë. Këtë vit LSI garon me Sezai Rrokaj.

LSI mund të shpresojë t’u rrëmbejë një mandat socialistëve në këtë qark pasi aktualisht kontrollojnë bashkinë e vogël të Delvinës, kryetari i së cilës Rigels Balili u sulmua nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë.