LSI: Front opozitar kundër pushtetit

LSI: Front opozitar kundër pushtetit

329
0

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama kërkoi krijimin e një fronti opozitar kundër pushtetit, që sipas tij, dëshmoi papërgjegjshmëri si para, edhe pas zgjedhjeve. Sipas Luan Ramës, u konfirmua ajo që denoncoi LSI, vjedhja skandaloze e votave. “Bëmë një vlerësim politik të situatës politike në vend duke e vënë theksin tek domosdoshmëria e krijimit të një fronti opozitar kundër pushtetit që dëshmoi papërgjegjshmëri para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve, atë që LSI e ka denoncuar si proces të kriminalizuar, të dominuar nga paratë e krimit dhe drogës… Kjo është një njollë e madhe turpi për ata të verbër që s’kanë sy të shikojnë rastet skandaloze të vjedhjes së votës”, – deklaroi Luan Rama në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së në Tiranë. Luan Rama ka deklaruar se kjo forcë politike do të përfaqësojë në opozitë 75% të shqiptarëve që votuan kundër Kryeministrit Edi Rama apo nuk morën fare pjesë në zgjedhjeve në shenjë refuzimi. “LSI si një forcë që në themelin e vet ka vlerat e patjetërsueshme të humanizmit do të vazhdojë të jetë gjithnjë në anën e qytetarëve, për të qenë realisht zëdhënëse shprese dhe mbrojtëse të më shumë se 75% të qytetarëve të këtij vendi, të gjithë atyre që kanë votuar kundër Rilindjes apo që me mospjesëmarrjen e tyre kanë shprehur abstenimin ndaj mënyrës si u zhvilluan zgjedhjet. Ne po ristrukturojmë skemën tonë të organizimit, për mënyrën e organizimit për të gjithë të zgjedhurit, duke caktuar detyra rigoroze për të gjithë. Është për të ardhur keq në fakt që ajo që ne paralajmëruam po konfirmohet. Në KQZ janë shfaqur të dokumentuara në mënyrë shumë korrekte raste konkrete të vjedhjes së votës dhe kjo është njollë e madhe turpi për ata të verbër që nuk kanë sy të shohin të rasteve skandaloze të vjedhjes së votës”, u shpreh Luan Rama pas mbledhjes së Kryesisë së LSI.