
18.1% e popullsisë shqiptare vuan nga obeziteti sipas të dhënave të fundit të 2014-ës nga CIA World Fact Book. Rritja e ndërgjegjësimit vitet e fundit dhe rikthimi tek ushqimet e shëndetshme ka bërë që shqiptarët të bëhen më elegantë. Në 2008-ën përqindja e popullsisë shqiptare që ishte mbipeshë përllogaritej rreth 21.3, duke shënuar në këtë mënyrë për 6 vjet një rënie prej 3.2 pikë përqindje. Në krahasim me rajonin e Ballkanit, Shqipëria ka normën më të ulët të popullsisë mbipeshë. Vendin e parë në rajon për sa i përket normës së obezitetit e mban Turqia, me rreth 30% të popullsisë mbi peshë, të ndjekur nga bullgarët dhe kroatët me 25.6% të popullsisë. Nga 174 shtete në total në këtë renditje (nga më të shëndoshët te më elegantët), Shqipëria ndodhet në vendin e 94 (shiko tabelën në fund). Indeksi i Masës Trupore, (BMI) përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tyre në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo. Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25 tregon mbipeshë, mbi 30 tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik. Sipas specialistëve faktori kryesor që ndikon drejtpërdrejt në mbipeshë është kequshqyerja. Ushqimi i tepërt ndodh si rezultat i marrjes në sasi të tepërt të ushqimeve hiperkalorike e me shumë yndyra. Mbiushqyerje e një individi konsiderohet kur ai është mbipeshë ose i dhjamosur. Kjo mund të shkaktojë diabet që në fëmijëri, probleme psikologjike dhe sociale si: humbje të vetëvlerësimit, irritim, probleme të përqendrimit në shkollë, deri në vonesë në rritje dhe zhvillim, stres dhe pagjumësi e madje ulje të jetëgjatësisë.
Në moshë më të rritur, pasojat mund të jenë: diabet i tipit 2, sëmundje të zemrës dhe venave të gjakut, hipertension, rritje të yndyrave në gjak, e sëmundje të tjera. Aktualisht ka ndryshuar mënyra e ushqyerjes së popullatës e sidomos ndodh shpesh që fëmijët të marrin sasi të mëdha të ushqimeve hiperenergjike, por të varfra në elementët e domosdoshëm ushqyes, p.sh. pije të ëmbëlsuara artificialisht, ëmbëlsira, patatina, të skuqura, fast-food etj. Në Shqipëri, situata karakterizohet nga kombinimi i ushqyerjes së pakët, të theksuar mes grupeve të brishta si femrat shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël në zonat e largëta, ku sigurimi i ushqimit është i kufizuar dhe mundësitë për të siguruar jetesën janë të pakta, dhe nivelet në rritje të ushqyerjes së tepërt, sidomos mes grupeve urbane tek të cilat konsumi i ushqimeve të përpunuara po rritet, ndërkohë që aktiviteti fizik vjen në ulje. Në vendet me stil të ngjashëm ushqyerje me ne, më të shëndoshët janë në Turqi (29.4%), Bullgari (25.6%), Kroacia (25.6%) , Greqia (25.10%), Mali i Zi (21.40%), Serbia (20.80%), Bosnje dhe Hercegovina (19.20%), Shqipëria (18.10%).
Rajoni Prevalenca e Obezitetit te të rriturit (%)
Turqi 29.40%
Bullgari 25.60%
Kroacia 25.60%
Greqia 25.10%
Mali i Zi 21.40%
Serbia 20.80%
Bosnje dhe Hercegovina 19.20%
Shqipëria 18.10%