E quajti striptiste, portali grek i kërkon ndjesë Mimi Kodhelit

E quajti striptiste, portali grek i kërkon ndjesë Mimi Kodhelit

410
0

 

Portali grek i lajmeve ushtarake, “Militaire.gr” i ka kërkuar ndjesë publike ministres shqiptare të Mbrojtjes për lajmin e publikuar më parë, se ajo kishte punuar si balerinë në një klub nate të Athinës në fillim të viteve ‘90. Gazetari Paris Karvunopulos, kryeredaktor i portalit ka pranuar gabimin duke deklaruar se bëhej fjalë për një lajm të pakonfirmuar, të pavërtetë e që ka shërbyer si sulm i ulët ndaj ministres Mimi Kodheli. “Nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se lajmi ishte i pakonfirmuar dhe tërësisht i pavërtetë. Madje, në periudhën së cilës i referohet lajmi zonja Kodheli nuk ka qenë fare në Greqi”, ka deklaruar Karvunopulos. Ai ka shtuar se edhe të dhënat e publikuara në të njëjtin artikull se ministrja shqiptare ka qenë simpatizante e nazizmit është i pavërtetë dhe dëmton imazhin personal e institucional të ministres. “Ndaj zotohemi se në të ardhmen do të verifikojmë dhe konfirmojmë çdo lajm dhe informacion që i referohet zonjës Kodheli. Pranojmë se lajmi i publikuar prej nesh ishte një koment politik, i cili u shfrytëzua në mënyrën më barbare nga një pjesë e caktuar e klasës politike dhe opinionit publik në Greqi, por edhe në Shqipëri”, thuhet në ndjesën e portalit. Ndjesa e faqes greke vjen pasi ministrja ngriti padinë, por ky është rasti i parë që kërkohet ndjesë ndaj akuzave të pabaza në adresë të politikanëve shqiptarë, të cilët shpesh herë janë bërë objekt sulmesh dhe shpifjesh në shtypin dhe median greke.