PDIU takim me bizneset në Tregun Çam/ Idrizi: Ne propozojmë që tatim-fitimi,...

PDIU takim me bizneset në Tregun Çam/ Idrizi: Ne propozojmë që tatim-fitimi, nga 15% të bëhet 10%.

413
0

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me tregtarët në Tregun Çam. Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe deputetja Mesila Doda, bashkëbiseduan me tregtarët dhe dëgjuan propozimet e tyre për uljen e taksave. Kryetari i PDIU-së u shpreh se duhet të ulet taksa e tatim-fitimit, nga 15% në 10%.  Sipas Idrizit edhe TVSH-ja duhet të ulet për disa produkte. “Ne jemi për taksa të ulëta. Prandaj PDIU ka propozuar që tatim-fitimi nga 15% që është sot, të bëhet 10%. Gjithashtu ne propozojmë që të bëhet TVSH-ja me shkallë, që do të thotë, të jetë më e ulët për mallra të domosdoshëm, siç janë ushqimet. Ne kemi një shtet që dihet që nuk është funksional dhe që nuk i përdor në drejtimin e duhur shpenzimet buxhetore.  Akoma ekonomia shqiptare nuk është e strukturuar, nuk është e qëndrueshme. Për këtë arsye, është më mirë që taksat të jenë të ulëta dhe të ardhurat të jenë në duart e biznesit e të qytetarëve. Kjo, sepse qytetarët do t’i përdorin shumë më mirë këto të ardhura shtesë, duke investuar në biznes, që do të sjellë edhe rritjen e numërit të të punësuarve”, – u shpreh kryetari i PDIU-së. Idrizi theksoi se në këto tregje qytetarët punojnë çdo ditë, për të siguruar të ardhmen e tyre, por shteti duhet të ndryshojë përqasjen ndaj biznesit. “Tregu Çam, një treg që për ne është krenari dhe kënaqësi, është vendi më i mirë për të kuptuar gjithë problematikën dhe deformimin e sistemit fiskal. Janë njerëz që punojnë çdo ditë, jo vetëm për të mbajtur veten e tyre, por edhe për të punësuar të tjerë. Këta tregtarë i kanë zgjidhur hallet e tyre jashtë vëmendjes së shtetit shqiptar. Ne duhet të ndryshojmë totalisht përqasjen tonë ndaj biznesit dhe sidomos ndaj biznesit të vogël. Pushteti e shikon akoma biznesin si një subjekt që duhet t’i marrë paratë, duke ndryshuar tërësisht konceptin e taksës”,- theksoi Idrizi.