Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ritmet pozitive të ekonomisë kanë vijuar edhe në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas saj, të ardhurat e mbledhura në buxhet gjatë periudhës janar-qershor janë 40.5 miliardë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
“Ekonomia vijon me ritme pozitive. Të ardhurat totale për 6-mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 319.9 miliardë lekë ose 105 % e planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +40.5 miliardë lekë ose +14.5 % më shumë”, bëri të ditur Ibrahimaj.
Ndërkohë, referuar raportit mbi treguesit fiskal paraprak të publikuar nga MFE, shpenzimet e përgjithshme publike, për 6-mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 273.7 miliardë lekë, me një realizim në 91.3 për qind të planit të së njëjtës periudhë.
Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.6 % më të larta ose rreth 9.6 miliardë lekë më shumë.
Niveli i suficitit për periudhën 6-mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 46.2 miliardë lekë nga rreth 6.3 miliardë lekë suficit i planifikuar.