Ekskluzive/ Gëzim Tushi, sociolog, Mjeshtër i Madh: Vetëvrasja, plagë sociale që dëmton...

Ekskluzive/ Gëzim Tushi, sociolog, Mjeshtër i Madh: Vetëvrasja, plagë sociale që dëmton shëndetin e shoqërisë

1311
0

 “Për mendimin tim është shqetësuese, fakti se nga pikëpamja demografike dhe e strukturës sociale të atyre që kryejnë vetëvrasje, është shumë e larmishme. Sepse vetëvriten jo vetëm të rinj e të moshuar, por vetëvriten burra, gra, njerëz të zakonshëm, artistë, njerëz të jetës publike, të punësuar dhe të papunësuar, çka domethënë që fenomeni është i përhapur demogratifikisht dhe nga pikëpamja sociale”. Kështu shprehet rreth rritjes së numrit të vetëvrasjeve në vendin tonë, Gëzim Tushi,  sociolog, Mjeshtër i Madh. Në një inetrvistë për portalin “Vizion.com.al”, Tushi thekson se shteti dhe shoqëria  ka përgjegjësi në nivelin e vetvrasjeve, pasi sipas tij, kur numri  i vetvrasjeve rritet, kjo padyshim tregon që shëndeti i popullsisë nuk është mirë dhe natyrisht se funksionimi i shtetit dhe politikat sociale nuk janë në nivelin që duhet. “Sipas mendimit tim ne kemi nevojë të bëjmë parashikime, jo vetëm të shëndetit individual, por edhe për të parë shëndetin e përgjithshëm të shoqërisë. Vetëvrasja është një akt jo vetëm personal, por kanë e një sfond social”-shprehet socialogu Gëzim Tushi. Për të mësuar pse ky fenomen është në rritje në shoqërinë shqiptare, arsyet që numri i vetëvrsajeve është më e madh në zonat urbane, rolin që ka shteti, politikat sociale që duhen, ju ftojmë të lexoni intervistën.

 

 

 

Profesor, si e shpjegoni faktin e rritjes së numurit të vetvrasjeve në vendin tonë sidomos në muajt e fundit?

 

Besoj që statistikat e vitit 2017 ku kanë ndodhur 235 vetvrasje në shoqërinë tonë tregon se realisht ajo është një fenomen social që për fat të keq po zgjerohet. Ajo që për mendimin tim është shqetësuese, është fakti se nga pikëpamja demografike dhe e strukturës sociale të atyre që kryejnë vetëvrasje, është shumë e larmishme. Sepse vetëvriten jo vetëm të rinj e të moshuar, por vetëvriten burra, gra, njerëz të zakonshëm, artistë, njerëz të jetës publike, të punësuar dhe të papunësuar, çka domethënë që fenomeni është i përhapur demogratifikisht dhe nga pikëpamja sociale. Kjo mua më nxjerr konkluzionin që struktura e vetëvrasjes është e tillë, që jo domosdoshmërisht duhet ta lidhim me faktorin ekonomik, sepse siç shikoni ata që i marrin jetën vetes nuk janë thjesht të lidhura vetëm me një faktor sikurse mund të jetë mosha, profesioni, statusi ekonomik, por sipas mendimit tim lidhen me aftësinë individuale të njeriut për të menaxhuar jetën e tij. Dhe kjo duhet kuptuar në mënyrë ontologjike, thelbësore, sepse ne nganjëherë kur duam të bëjmë shpjegime për fenomenin e vetvrasjes, gabimisht gjejmë vetëm faktorë të jashtëm dhe përpiqemi t’i bëjmë diagnoza duke gjetur “ilaçin”, i cili ndonjëherë është më keq sesa sëmundja që ka. Pra në njëfarë mënyre mendoj se duhet t’i futemi shumë thellë kësaj gjëje, kësaj joshjeje irracionale të njeriut për t’i marr jetën vetes. Sipas gjykimit tim, ka arsye që janë përtej njeriut. Ne jemi në një epokë të jetës postmoderne dhe këto tronditjet e njeriut, të jetës postmoderne janë shumë të vështira për njeriun, për individin. Është e vështirë sot të jesh një njeri i suksesshëm, të arrish objektiva vazhdimisht, të jesh konkurrues, të përballosh sfida, të përballosh jo vetëm varfërinë, por edhe halle të tjera, bela sociale që i dalin njeriut në jetën e sotme dhe që janë të shumta. Çështja është si t’ia bëjmë?! Kjo jeta postmoderne sjell shumë anomali, shumë ankthe, shumë frikëra.

 

Ndodhemi në një situatë, ku përditshmëria na përball me njerëz që duket se kanë humbur shpresën për të jetuar, pa motiv dhe pa siguri për të ardhmen.? Pse ndosh kjo?

 

Në mënyrë të padiskutueshme që po. Jetojmë në një shoqëri, që është në një garë dhe konkurrencë. Është një shoqëri që nuk është kurrë e qetë dhe individi s’ka për të qenë kurrë i qetë as me veten dhe as me të tjerët. Kjo e mban atë në një garë, është vazhdimisht në një proces neurotik, nuk është i qetë sepse nuk ka  pauza kjo shoqëria e ndërtuar sipas modelit turbo-kapitalist. Është shoqëri me vrulle të mëdha dhe kjo bën që një pjesë e njerëzve mos te kenë fuqitë e duhura për ta përballuar atë. Mbeten mbrapa. Kjo sjell pesimizëm, kjo sjell dëshpërim dhe këto janë në njëfarë mënyre portat që hapen dhe e çojnë njeriun  drejt vetëvrasjes.

Domethënë sipas gjykimit tim, kjo lloj hakmarrje ndaj vetes është e shëmtuar. Në fakt unë nuk jam fetar, por thonë që për ata që i marrin jetën vetes edhe në botën tjetër nuk do gjejnë rehat, nuk i pranojnë. Pra jetën që ta ka dhënë Zoti, thonë fetarët, duhet ta administrosh dhe natyrisht ai ta merr atë, kurse këta që bëjnë vetëvrasje  hyjnë në “gjynah”. Po marr në këtë rast një interpretim fetar, por ka njerëz që e besojnë, se është natyrisht një akt i papranueshëm, i dënueshëm edhe nga feja. Unë gjykoj se një pjesë e vetëvrasjeve që bëhen në shoqërinë tonë, jo vetëm vijnë nga vështirësitë e jetës të përditshme, por edhe nga një lloj mentaliteti semplist. Vërej  që ka shumë vetëvrasje të karakterit egoist. Më lejoni ta shpjegoj. Njerëz që bihen në halle, në varfëri, në bela sociale, në skamje dhe në mënyrë egoiste për të shmangur hallet e familjes ose hallet  e tyre personale i marrin jetën vetes, hakmerren ndaj vetes, duke e konsideruar këtë një shpëtim nga hallet. Kjo është vetëvrasja egoiste. E kundërta, që duhet të ndodhte do ishte: p.sh. një njeri që bie në halle, në probleme sociale, ekonomike, çështje divorci, erotike etj është e domosdoshme që ai mos të gjejë rrugën e shkurtër. Një njeri që bie në halle dhe gjen rrugën e shkurtër duke i marr jetën vetes, bën një vetëvrasje egoiste. Ti nuk mendon se çfarë lë mbrapa. Rëndësi ka që ika unë nga kjo botë dhe ata që janë pas meje le të bëjnë ç’të duan me jetën e tyre. Ky është  modeli më i shëmtuar i vetëvrasjes egoiste që ndodh në shoqërinë tonë. Gjithashtu kam një përshtypje që shumë nga vetëvrasjet  vijnë për shkak të një raporti të njerëzve ndërmjet pritmërive dhe realitetit. Më lejoni ta them që kanë filluar të shfaqen shumë njerëz që kanë utopira, që kanë iluzione. Kini parasysh që utopitë, gjerat e parealizueshme  kthehen në deziluzion. Dhe deziluzioni kthehet në ankth dhe kjo domosdo në dëshpërim individual dhe në këtë rast të çon në vetëvrasje. Unë mendoj se njerëzit nuk duhet të jetojnë me sytë nga qielli, por duhet të jetojnë me këmbë në tokë.

Kjo është jeta. Ky është rodi. Këtu do ta kërcejmë vallen e jetës sonë, secili individualisht në përputhje me mundësitë që ka dhe me fatin e tij. Pra nëse pritmëritë, dëshirat i ke më të mëdha sesa mundësitë; nëse sytë i ke më të mëdhenj sesa kuleta që ke në xhep; nëse dëshira konkurenciale, egoiste, individualiste, superindividualiste i ke më të mëdha sesa mundësitë që ke, atëherë këto do sjellin zhgënjimin, dëshpërimin, ankthin dhe natyrisht këto janë  hapa që të çojnë në një lloj depresioni që sipas gjykimit tim është shkaku madhor në shoqërinë tonë. Të jeni të sigurt se ata që bëjnë vetëvrasje janë paraprakisht të depresuar, pra kanë një shkak që mund të jetë ekonomik, social, erotik, bela sociale, grindje, konflikt, hyrje në borxh, lojërat e fatit  etj, sepse siç besoj janë shtuar faktorët e jashtëm që çojnë në gjendjen e dëshpërimit dhe depresionit. Jetojmë në një shoqëri ku janë shtuar lëndët psikotrope, sëmundjet e pasionit, droga, përdorimi i alkoolit, janë shtuar konfliktet në familje, janë shtuar shumë gjera që kanë efekte degraduese tek njeriu. Domethënë ai që vret veten nuk duhet parë si një fenomen i rastësishëm,duhet parë sfondi social. Sipas mendimit tim ne kemi nevojë të bëjmë parashikime, jo vetëm të shëndetit individual, por edhe për të parë shëndetin e përgjithshëm të shoqërisë. Vetëvrasja është një akt jo vetëm personal, por kanë e një sfond social.

 

Cila do ishte receta që kjo shoqëri të përballej me problemet reale të saj dhe të gjente një dritë jeshile për ti kapërcyer ato?

 

Nuk është e lehtë të japësh receta të sigurta, sepse vetvrasja është një “akt intim” që njeriu e bën shpesh në mënyrë të paparashikuar dhe përtej familjes, shoqërisë dhe opinionit publik. Megjithatë pa diskutim që po duhet bërë dika.  Unë po jap një përkufizim të Hadlerit, psikologu i madh që thotë se vetëvrasja është një hakmarrje ndaj vetes, por është edhe një akuzë ndaj shoqërisë. Shikoni që ekuacioni është i lidhur. Pra shoqëria nuk mund t’i lajë duart të thotë që unë nuk kam lidhje me këtë gjë sepse është akt individual, që nuk mund të ndalohet, nuk mund të parashikohet, nuk mund të prevenohet. Jo, mundet! Ne mund dhe duhet të bëjmë studime se cila është gjendja e shëndetit emocional, gjendja e shëndetit psikologjik të shoqërisë; se ne këtu jetojmë dhe e shohim se jetojmë në një shoqëri turbulente, me shumë probleme; varfëria është, politika konflikuale natyrisht ka afektet e veta, ky kaotizmi  social po ndikon, destabilizimi i familjes po ashtu, rënia e  autoritetit të shkollës dhe raportet mësues-nxënës po ashtu.

Unë mendoj se në këto grupe nga pikëpamja moshore më të rrezikuarit janë adoleshentët dhe ne duhet të kemi një kujdes  të madh sepse mosha e tyre është një moshë utopike, një moshë ku ata e mendojnë jetën ndryshe  nga ç’e jetojnë; kanë pritmëri më të mëdha dhe e kanë më kollaj  që të bëhen të huaj ndaj vetes së tyre. Adoleshentët nuk  e kanë sensin e duhur të masës për vlerën e jetës. Unë mendoj se nëse ne kemi një numër të rritur të vetëvrasjeve apo shtimin e njerëzve që bëjnë flirt tragjik me vdekjen, pra që duan të bashkohen me vdekjen, kjo është rezultat i këtyre faktorëve që ndikojnë në to. Nëse duam ta frenojmë këtë gjë, të rrisim fuqitë menaxhuese të njeriut ndaj vetes, për ta orientuar drejt optimizmit dhe jo pesimizmit atëherë në kemi nevojë të vëmë në lëvizje disa faktorë që ndikojnë në përballimin e këtij fenomeni. Unë personalisht edhe në librat e mi, shkruaj për rolin e madh që kanë institucionet e sigurisë morale në shoqëri, familja, shkolla, institucionet fetare, shoqëria civile, media.

Të gjitha këto kanë rolin e tyre fondamental në mbrojtjen e njeriut nga vetëvrasja. Kini parasysh një gjë të rëndësishme; kur flas për rëndësinë që kanë këto institucione për të përballuar jetën, nisem nga fakti që sot jetojmë në një kohë kur njeriu përballet me fenomene siç është zbehja e humanizmit, raportet  mes njerëzve janë bërë raporte mekanike, lidhjet mes njerëzve janë bërë lidhje interesi, solidariteti është dobësuar,  kur në njëfarë mënyre njeriu ndodhet i vetëm përballë sfidave të jetës. Kjo bën që njeriu të bëjë një planifikim mekanik të jetës, nja planifikim strikt të jetës së tij. E ndjen veten të huaj, në një shoqëri josolidare, me humanizëm të holluar, atëherë ku mund ta gjejë  atë gjenerator që mund të rris  fuqitë e brendshme të individit dhe ta largojë nga akti tragjik i hakmarrjes ndaj vetes. Gjeneratori  i parë, për ta bërë njeriun të jetë i aftë të ecë në rrugën e jetës optimist dhe emocionalisht i qëndrueshëm është familja. Nuk ka institucion  më të sigurt për ta larguar njeriun nga vetvrasja sesa familja. Aty gjenerohen gjëra shumë të mira. Ka solidaritet, humanizëm, lidhje gjaku, ka një hiearki të brendshme, janë  rrethi i dytë i lidhjeve të gjakut që në njëfarë mënyre janë koraca mbrojtëse e njeriut nga rreziku i vetëvrasjes. E dyta është shkolla. Në shkollë po bëhen këta adoleshentët e brishtë, këta adoleshentët romantik, ndonjëherë. Paradoksalisht se jeta në shkollë është liberalizuar inekstremisht, herë pas here kemi  dëgjuar edhe për vetëvrasje tragjike për shkaqe erotike.

Ne duhet ti mësojmë adoleshentët mos kapitullojnë nga vështirësitë. Edhe mësuesi është një lider i rëndësishëm që mund të karikojë optimizëm tek të rinjtë. Një institucion tjetër i rëndësishëm është feja, për ata që e besojnë. Kemi tre lloj fe për fat të mirë. Edhe feja duhet të merret disi sepse ka një kapacitet të madh në forcimin e jetës shpirtërore të njeriut. Nëse shkolla ndërhyn tek inteligjenca, familja në tërë ontologjinë për ta fuqizuar, feja ka monopolin që ndikon në shpirtin e njeriut, për ta bërë të mirë, të qendrueshëm, guximtar, optimist. Edhe media po ashtu, për të cilën kam një vërejtje se në përpjekje për të gjetur lajmin bën interpretime të sforcuara dhe të gabuara të fenomenit të vetëvrasjeve, pa e vrarë mendjen se çfarë fshihet pas, i cili në këtë rast bëhet një ilaç shumë i keq për shoqërinë. Gazetarët kanë nevojë të bëhen ndopak socialog dhe psikolog kur trajtojnë fenomene të tilla siç janë vetëvrasjet. Organizatat e shoqërisë  civile, togat e vogla të njerëzve që merren me probleme kulturore, ambientaliste, sociale , ekologjike etj duhet të ndikojë tek  njerëzit për t’i bërë qytetar me stabilitet të qëndrueshëm ekzistencial.

 

Po shteti çfarë roli ka, politika sociale etj? Edhe shteti ka një përgjegjësi apo jo?

 

Padiskutim që edhe shteti dhe shoqëria  ka përgjegjësi në nivelin e vetvrasjeve. Domethënë kur numri  i vetvrasjeve rritet, kjo padyshim tregon që shëndeti i popullsisë nuk është mirë dhe natyrisht se funksionimi i shtetit dhe politikat sociale nuk janë në nivelin që duhet. Është e vërtetë që shteti mund të thotë nuk është përgjegjësia ime vetvrasja, ose nuk e vrava unë, por në një  farë menyre shteti është një lloj fajtori pa faj. Unë mendoj se shteti është një aktor i madh që ka në dorë gjëra të mëdha.  Në fund të fundit niveli i papunësisë, i varfërisë, krizat ekonomike që përjetojnë familjet shqiptare, vështirësitë në problemet e shëndetësisë, arsimimit, probleme të tjera që kanë të bëjnë  me jetën urbane, sigurimin e rendit, shtimin e frikërave, pasigurive, të kriminalitetit, të vrasjeve, vjedhjeve, të gjitha këto janë fenomene që kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe të tërthortë, në shëndetin e shoqërisë në tërësi dhe  të individit në veçanti. Njerëzit të ndodhur në një situatë të tillë e kanë më kollaj të dëshpërohen, të bëhen pesimist dhe të gjejnë rrugë të ndryshme, një prej të cilave, por më e shkurtra dhe më e liga është vetëvrasja. Se ka edhe të tjera; ka prej atyre që ikin nga Shqipëria, ka prej atyre që bëjnë zgjidhje problemesh, nëse ka konflikt bën divorc, që edhe ato janë zgjidhje asociale, me efekte. Në këtë pikëpamje unë them se duhen bërë studime serioze nga shteti, për numrin e vetëvrasjeve, shkaqet e tyre, pikëpamjen demografike, duhen parë nga pikëpamja sociale, ajo e shtresëzimit, nga pikëpamja moshore, nga pikëpamja e shkaqeve ontologjike të brendshme, se përse është  ky nivel vetëvrasjesh.

 

Vihet re se qytetet me numrin më të madh të vetvrasjeve janë qytetet urbane të mëdha. Ka ndonjë shpjegim për këtë?

 

Pa diskutim edhe në nivel global zonat superurbane kanë numër më të madh vetvrasjesh. Së pari, kanë popullsisë më të madhe. Së dyti, sepse është popullsi heterogjene, me më pak lidhje sociale, shumë të individualizuar, të vetmuar. Asocialiteti, vetmia është shkak shumë i madh. Në zonat superurbane njerëzit janë ndarë me mur betoni me njëri-tjetrin. Në zonat rurale kjo nuk ndodh, socialiteti është më i madh dhe në pikëpamje të lëngut social që e mbron njeriun nga jeta, ka më shumë dhe më pak pesimizëm. P.sh. në fshat kur bëhet një dasmë, shkojnë të gjithë, njerëzit aty njihen me njëri-tjetrin. Janë njerëz të lidhur më shumë me tokën dhe toka i mban të gjallë, me pritmëri reale. Edhe në botë kështu ndodh; vetëvrasjet janë më të mëdha në numër në qytetet e mëdha, megapolet. Po të kishim një statistikë në Shqipëri do shihnim se ka më pak në zonat rurale. Këto janë haraçe të postmodernitetit, sa më individualiste jeta, aq më shumë ndikon në shkëputjen e koordonit social në shoqëri. Njeriu mbyllet në koracen e tij dhe të parët që janë më të presdispozuar për tu vetëvrarë janë ata që rrinë vetëm. Pastaj ka edhe sëmundje mendore. Psikologë dhe sociologët pohojnë se për shkak të këtij stili të ri të të jetuarit të njeriut individualist në këtë shekull sëmundjet mendore do jenë dominante. Prandaj duhet menduar të bëjmë diçka për t’i dhënë shoqërisë më shumë limfë, lëng social, në mënyrë që ta mbrojmë nga fenomeni i suicidit.

Intervistoi: Eglantina Alliaj