Qeveria Rama në 100 ditëshin e parë! Ja aksionet që do prekin...

Qeveria Rama në 100 ditëshin e parë! Ja aksionet që do prekin shqiptarët

371
0

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike 10 pika kyçe ku do të bazohet qeverisja në 100 ditët e para të pushtetit, pas fitores së mandatit të dytë që Partia Socialiste siguroi e vetme në zgjedhjet e 25 qershorit. Kryeministri Edi Rama kërkon ide nga qytetarët, teksa i ka bërë publike këto prioritete në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke sqaruar se shumë prej këtyre aksioneve mund të duan më shumë se 100 ditë, por që do të nisin të zbatohen që në ditën e parë të mandatit të ri. Bashkëqeverisja me qytetarët është pika e parë, ku ata që kanë dhënë mendimet e tyre “Për Shqipërinë që Duam”, projektin për ankesat sa i përket shërbimeve në zyrat e shtetit, do të bëhen anëtarë. Kjo do të thotë se shumë nga punonjësit e administratës do të hiqen nga puna për shkak të shkeljeve të zbuluara me indicie të qytetarëve. Së dyti, qeverisja do të ketë një mënyrë të re të llogaridhënies së të gjithë drejtuesve në shtet, me takime publike. Në 100 ditëshin e parë një aksion i nisur tashmë do të intensifikohet edhe më tej, për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit, si dhe prishjen e lavazheve pa leje. Lufta kundër informalitetit do të jetë prioritet edhe në këtë mandat – thotë Rama – ku do të goditen bizneset e mëdha dhe të vogla nëse nuk japin kuponin tatimor. Edhe akset kombëtare rrugore do të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e tyre nga plehrat, ku pritet të zhduken edhe varrezat e makinave anë rrugëve, e po ashtu të mbyllen hyrjet e rrezikshme për aksidente për në rrugët kryesore. Për të ulur numrin e aksidenteve, gjithashtu është menduar një fushatë e re ndërgjegjësimi për drejtuesit e automjeteve. Ashtu siç u nis në Tiranë me pastrimin vullnetar, pritet të nisë aksioni në të gjithë Shqipërinë si dhe masa penalizuese për ndotjen e mjedisit. Siguria ushqimore, një problem që ka prekur ndër vite shqiptarët, pritet të përmirësohet me vënien përpara përgjegjësisë të strukturave shtetërore apo edhe subjekteve private që cenojnë shëndetin e konsumatorit. Dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, do të jetë një angazhim i qeverisë Rama për 100 ditët e para të pushtetit. Pika e fundit, por jo nga rëndësia, është lufta ndaj kanabisit dhe premtimi i bërë publik më herët për të zëruar kultivimin e lëndës narkotike në Shqipëri.

 

Statusi i plote i kryeministrit

 

SI I MENDONI 100 DITET E PARA?

 

Do t’i isha mirënjohës secilit dhe secilës prej jush që do të jepte opinionin e vet, mbi disa ide për operacionet që po përgatiten për 100 ditët para të qeverisë së re, si më poshtë:

 

  1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh “Për Shqipërinë që Duam”, në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit

 

  1. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektoriateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku

 

  1. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare

 

  1. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor

 

  1. Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat, etj., si edhe fillon mbyllja hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore

 

  1. Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë

 

  1. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cënon sigurinë e konsumatorit

 

  1. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë

 

  1. Organizohen në çdo qark dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku

 

  1. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri

 

Siç kuptohet një pjesë e këtyre operacioneve, shkojnë përtej kufirit të 100 ditëve, por më duket se nisja që ditën e parë të mandatit të ri është kusht për suksesin e tyre. Si mendoni?

 

Çdo kritikë për çka mund të jetë e tepërt apo mund të mungojë në këtë grumbull idesh paraprake, është e mirëpritur