Tregu mbushet me naftë Ballshi që po shkatërron makinat, punëtorëve të ARMO-s...

Tregu mbushet me naftë Ballshi që po shkatërron makinat, punëtorëve të ARMO-s nuk u paguhen pagat dhe sigurimet…

546
0

Me shumë se 130 punonjës të rafinerisë së ARMO-s në Fier dhe të tjerë punonjës të kompanisë në Përrenjas dhe në Vlorë protestuan sot  duke bllokuar punën për shkak se nuk kanë marrë pagat për tre muaj rresht. Burime nga protestuesit pohojnë se bashkë me rrogat që nuk po jepen janë edhe dy vite sigurime të papaguara, ndërkohë që rafineria po punon. Sipas të dhënave zyrtare, importet e naftës gjatë shkurtit ishin vetëm 23.9 mijë tonë, me një rënie 32% krahasuar me shkurtin 2015. Burimet nga tregu pohojnë se rënia e importeve në këto nivele i dedikohet furnizimit të tregut me naftë vendi.

Rivënia në punë e rafinerisë ARMO në vjeshtën e vitit të kaluar po furnizon rreth 35% të nevojave të tregut të brendshëm për këtë produkt, teksa po vijon eksporti edhe në Kosovë dhe në Maqedoni.Por pavarësisht këtij fakti, ata që kanë administruar ARMO-n pas privatizimit nuk kanë mundur të tregohen korrekt me shlyerjen e pagave te punonjësve.

Në shtator të vitit të kaluar, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar off-shore në ishujt britanikë Virgin. Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me Jonian Refining dhe Trading për t’i shitur asaj deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC. Një tjetër shqetësim është cilësia e naftës për të cilën nuk ka informacion nga autoritetet nëse është e një niveli të pranueshëm për t’u përdorur nga automjetet.

Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.

Jo vetëm kaq. Pennine Petroleum Corporation, që ka marrë së fundmi koncesionin e bllokut të naftës në Velçë, ka njoftuar zyrtarisht se z. Harry Sargeant IV është caktuar në Bordin e Drejtuesve të Kompanisë. “Z. Sargeant do të jetë një faktor kyç në vazhdimin e zhvillimit të Bllokut të Velçës në Shqipëri”, thuhet në njoftim. Sargeant është zëvendëspresident i Global Oil Management Group Ltd. (“GOMG”), një kompani ndërkombëtare nafte me bazë në Florida. Por “GOMG, përmes degës së saj Ionian Refining & Trading Company Ltd. (“IRTC”), është një firmë e pavarur energjie, me aktivitet në Shqipëri, si dhe në Teksas dhe Alabama. GOMG dhe IRTC kanë hartuar së fundmi një strategji për të rinovuar sistemin e rafinerisë së naftës në Shqipëri. GOMG është e lidhur me rafineritë e Ballshit dhe Fierit në Shqipërinë Jugore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ionian Refining dhe Trading Co është një kompani offshore, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin, dhe në shtator 2016 njoftoi se mori në përdorim asetet e rafinerisë problematike të naftës ARMO, të cilat po vazhdon t’i shfrytëzojë edhe sot, pas një marrëveshjeje për t’u furnizuar me naftë bruto nga Bankers Petroleum.

Mbetet e paqartë se cili është pozicioni i IRTC-së, në raport me ARMO, teksa kjo e fundit ishte dhe është ende e zhytur në borxhe dhe në sekuestro nga kreditorët. Në ekstraktin e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronar i 85% të aksioneve të ARMO vazhdon të jetë ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL, kompania që Rezart Taçi ia shiti në vitin 2011 azerëve të Heaney Assets Corporation. Këta të fundit me letra janë ende pronarë të ARMO-s, ndonëse që nga mesi i vitit 2015 janë larguar pa lënë gjurmë, duke bërë të pamundur çdo veprim me kompanisë, për shkak se nuk arrin të mblidhet Këshilli Mbikëqyrës./Pamfleti.com