Urdhri, si do të lëshohen dhe monitorohen certifikatat për agroturizmet

Urdhri, si do të lëshohen dhe monitorohen certifikatat për agroturizmet

216
0

Agroturizmet do të mund të pajisjen me certifikatë paraprake me afat 2 vjeçar ose certifikatë të rinovuar duke aplikuar në e-Albania pranë Komisionit Vlerësues të Certifikimit.

Një urdhër i fundit i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nën të cilën bie përgjegjësia e certifikimit miraton rregulloren mbi të cilën do të funksionojë procesi, kushtet që duhet të plotësojë subjektet, monitorimi që do të bëhet ndaj tyre.

Kështu së pari çdo subjekt që kërkon të marrë një certifikatë paraprake si agroturizëm duhet të aplikojë pranë e-Albania si dhe të kryejë një pagesë prej 2000 lekësh. Këtë duhet ta shoqërojë me lejen e zhvillimit me treguesit e zhvillimit, nënshkruar nga titullari i njësisë së vetëqeverisjes vendore, në të cilën të jenë të parashikuara ferma bujqësore/blegtorale/peshkimit/akuakulturës /njësia agrokulturore, akomodimi, ushqimi dhe pijet. Po kështu duhet të paraqitet edhe projekti, për të gjithë strukturën e agroturizmit që do të ndërtohet, ku të jetë e përfshirë ferma ose njësia agrikulturore, akomodimi, ushqimi dhe pijet, i nënshkruar nga inxhinieri/studioja inxhinierike, dokument ky i njëjtë në aplikimin për marrjen e lejes zhvillimore, pranë organeve përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

 

Rregullorja parashikon edhe dokumentet që duhen për të përfituar certifikatë pra kur kjo nuk është paraprake dhe është kaluar si fazë. Në listën e përmbledhur janë fragmenti i hartës kadastrale, leja e përdorimit ose ushtrimit të aktivitetit të peshkimit kur kjo është e përmbledhur brenda agroturizimit, fotografi e fermës bujqësore apo blegtoral, vetëdeklarim në E -albania se 30 për qind të produkteve janë me origjinë nga ferma, planimetri e strukturës akomoduese si dhe të ushqimit dhe pijeve.

 

Pas dorëzimit të dokumenteve Komisioni brenda 15 ditë-punë nga depozitimi i aplikimit në portalin e-Albania ose nga data e ngarkimit të dokumentacionit të plotë në porta merr në shqyrtim dosjen e aplikantit dhe nënshkruan procesverbalin e vlerësimit për marrjen ose jo të certifikatës.

 

Vendimi për pranimin ose refuzimin e aplikimit për pajisjen me certifikatë paraprake apo certifikatë bëhet mbi bazën e dokumenteve të ngarkuara në portalin e-Albania edhe rast pas rasti kur gjykohet e nevojshme nga verifikimi në terren.

 

Në çdo rast pas marrjes së miratimit certifikata paraprake apo certifikata gjenerohet online nga sistemi në e-Albania.

 

Rregullorja parashikon se Komisioni ka të drejtë të pezullojë certifikatën kur konstaton, kryesisht nga verifikimet e kryera prej tij apo nga organet përkatëse të bashkive, të Inspektoratit të Turizmit, organet tatimore apo organet kompetente të inspektimit të ushqimit dhe kushteve higjieno-sanitare, ndryshim, mospërmbushje ose shkelje të një ose disa kritereve dhe kushteve të përcaktuara në VKM-në nr. 22/2018, të ndryshuar, dhe në rregullore.

 

Monitorimi i të gjithë përfituesve të “Certifikatës paraprake” apo “Certifikatës” bëhet nga ana e organeve përkatëse të bashkive, Inspektoratit të Turizmit ose organeve kompetente të inspektimit të ushqimit dhe të kushteve higjieno-sanitare, agjencive rajonale të ekstensionit bujqësor, agjencive të shërbimit veteriner dhe mbrojtjes së bimëve, sipas fushës së përgjegjësisë dhe në përputhje me VKM-në nr. 22/2018, të ndryshuar.

 

Rinovimi i certifikatës bëhet automatikisht nga sistemi i e-Albania ku janë të ruajtura të dhënat për subjektin./ MONITOR