“Zotohem që ëndrrën e tij do ta vazhdoj”, Nertila Spiri: Mu deshën...

“Zotohem që ëndrrën e tij do ta vazhdoj”, Nertila Spiri: Mu deshën orë të suportoja lajmin e trishtë

432
0

Drejtoresha e informacionit Nertila Spiri ka kujtuar ngritjen e televizionit me presidentin e Fax News, Kasem Hysenbelli, i cili u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, pasi humbi betejën me Covid 19. Spiri u shpreh se gjithçka nisi si një ide lirie për të lidhur kontratë me zërin e popullit që e ka shoqëruar televizionin për 3 vite dhe do të vazhdojë të jetë i tillë.

 

Me bindje të tellë, zotohet se do e vazhdojë punën pa u ndalur për të çuar deri në fund ëndrrën e Kasem Hysenbelliut. Spiri kujton fjalët e Hysenbelliut që thoshte se investimi më i madh është liria dhe sipas tij, “Liria nuk ka çmim”.

 

Nuk lë pa përmendur fillimin e sezonit të ri televiziv që nisi me dy emisione të reja dhe Hysenbelliu ishte optimist ndaj donte të shihte ecurinë e tyre, ndaj me lot në sy thotë se ëndrra e tij “mbeti në mes”.

 

Nertila Spiri: Mu deshën disa orë që të suportoja lajmin e trishtë të ikjes nga jeta të pronarit të televizionit Fax News dhe mikut tim të hershëm që më ka shoqëruar në rrugëtimin e gazetarisë për vite me radhë. Që në 2012 kur ka qenë puna ime në News 24 dhe më pas do ta shoqëroja zotin Hysenbelli dhe në ëndrrën e tij për ndërtimin e televizionit Fax News. Kërkoi ndihmën time dhe kolegëve të mi dhe besuam në sfidën e tij të re përpos konkurrencës dhe egërsisë  së tregut mediatik. Përse? Sepse zoti Kasem përçonte idenë e lirisë, frymëzimit, tokësores, asaj që shumë media të tjera mundohen por nuk e kanë. Sepse Kasemi vetë ishte një shpirt i lirë dhe donte të ndërtonte një televizion të lirë.

 

Ne u munduam, e shoqëruam, iu bashkuam sfidës së tij dhe e arritëm që të krijonim një televizon për njerëzit, që të prekte hallet e njerëzve. Sot është dita që unë të zotohem që ëndrrën e tij do ta vazhdoj më tej, ky televizion do të jetë i njerëzve, ne do të mundohemi maksimalisht që  ëndrra e pronarit tonë të mos vdesë kurrë.

 

Unë vija nga një televizion i konsoliduar në tregun mediatik siç ishte News24, kur të gjitha strukturat funksiononin, ose siç thoshte Kasemi, televizioni ishte futur në shina. Dhe të fusje një televizion të ri në shina, sigurisht ishte e vështirë në disa pikëpamje. E para sepse ishte modest nga pikëpamja e financimit, futej në një treg shumë të egër informativ dhe mbi të gjitha, shumica e njerëzve ishin gazetarë të rinj që sapo kishin dalë nga shkolla e gazetarisë. Vërtetë atje mëson shumë gjëra por është ndryshe çfarë mëson në shkollë dhe çfarë kërkon një televizion. Ne brezi më i vjetër, unë, Entoni, gjej rastin që të kujtoj Bledin dhe spikeret tona që punonim me gjithë secilin që ti përgjigjeshim çdo lajmi. Nuk është lënë në hije asgjë. Përballja në këtë realitet ishte e vështirë për ne, por mbështetja e zotit Hysenbelli ishte e pakufishme, na ka shoqëruar dhe thoshte që ne kemi kontratë me popullin, me askënd tjetër dhe kjo kontratë vazhdon të mbetet e hapur.

 

Telefoni im sot nuk ka pushuar që në orët e para të mëngjesit. Për shkak të gjendjes nuk i jam përgjigjur, i falenderoj të gjithë. Televizioni Fax News me të gjithë dinamikën e ritmin ka gjetur kohë të përgjigjet për gjithkënd, të fusë në ekran gjithkënd, e kujtove shumë mirë protestën e Unazës, protestën e Teatrit, të burgosurit, atë fermerin, fshatarin, njeriun e varfër, çdo ditë kemi një familje, një njeri që qan, dikë që kërkon ndihmë dhe ka parë pasqyrën ku mund ti dëgjohet zëri i tij. Ekrani i Fax-it, kjo ishte arritja më e madhe që mund ti bëhet atyre që mund të dëgjohen dhe duhet të dëgjohen.

 

Zoti Kasem i jepte mundësinë të punonte gjithësecilit, edhe studentit, edhe gazetarit profesionist, edhe analistëve, ishte i hapur. Janë pafund njerëz që kanë punuar në 3 vite të funksionimit të televizionit, me drejtorin ekzekutiv Petrit Beci, kujtonim një ditë që mund të jenë 50 persona që mund të jenë larguar, kanë lënë gjurmë, është puna dhe kontributi i tyre që e kanë çuar deri këtu. Investimi jonë më i madh është liria dhe siç thoshte zoti Kasem, “Liria nuk ka çmim”.

 

Ikja e njerëzve të tillë por jo vetëm se ky qe fati i pronarit, shumë njerëz kanë ikur dhe të tjerë vijon ti kërcënojë virusi që kemi nëpër këmbë, është një apel të gjithë që të ruhemi, sado që në rastin e zotit Hysenbelli jam pa fjalë se ai ishte personifikim i njeriut që ruhej më shumë se gjithkush tjetër dhe kush e ka parë nga afër, e dinte reagimin e tij në periudhën e pandemisë, ka mbetur i befasuar se ai vazhdimisht ruhej, vazhdimisht mbrohej me maskat.

 

Për ngjarjet që ka pasqyruar televizioni, janë pasqyruar me një besnikëri të tillë që nëse jo çdo televizion pasqyronte protestën e unazës së re, ne ishim aty, për shembjen e teatrit, mos të flasim më pas për tërmetin dhe ngjarje të tjera madhore, maratona dhe me muaj të tërë kemi folur për njerëz të pastrehë që qëndrojnë në çadra.

 

Duhet të kujtoj optimizmin e zotit Kasem me çeljen e disa emisioneve të reja, me një sipar të ri, shpresën, besimin se do të ecnin dhe keqardhje që mbeti në mes. Mezi e priste që të shihte ecurinë e Aida Shtinos, Juela Meçanit dhe dy emisioneve të tjera që pritej të nisnin. Nuk kam gjë tjetër veçse keqardhjes.

 

Ikja e zotit Hysenbelli do të jetë për të shtuar forcat për të çuar më tej ëndrrat e tij, idealizmin e tij dhe unë apo kushdo tjetër të televizionit Fax News, do bëjmë maksimumin që televizioni të jetë zëri i së vërtetës dhe është zotim që e kemi marrë që kur kemi filluar punë dhe bëhet më e fortë tani që pronari nuk do të jetë më mes nesh.

 

 

 

Fax Media ka humbur arktitektin e tij i cili e themeloi nga e para në Tetor të vitit 2017, duke qenë drejtor dhe pronar i vetëm. Kontributi i zotit Hysenbelli në median shqiptare ka qenë i vyer, i veçantë, i shumanshëm dhe i gjatë.

 

Diplomuar për matematikë dhe në fushën e Jurisprudencës, ai tashmë mbetet një personalitet në median shqiptare me një angazhim 20-vjeçar, si drejtues i disa prej tyre. Ai fillimisht është angazhuar si drejtor i Përgjithshëm i Gazetës Panorama. Nga 2001-2012 ka drejtuar këtë gazetë. Nga 2012 deri 2016 Drejtor i Përgjithshëm i News 24. Zoti Hysenbelli themeloi të parin TV të pavarur në vend Fax News, që me përkushtimin dhe vendosmërinë e tij, u shndërrua përtej çdo parashikimi në zërin e njerëzve të thjeshtë. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”

 

Për një periudhë tepër të shkurtër, zoti Hysenbelli në drejtimin e Fax News, shtroi rrugën e një modeli mediatik të përqafuar nga qytetari shqiptar, të tregojë pavarësinë e asnjanësinë e një media kur media në përgjithësi, ishte në rënie të lirë sa i përket besueshmërisë së qytetarëve. Beteja e tij për tu futur dhe mbijetuar në tregun mediatik ka qenë në kushte aspak komode, jo të barabarta dhe jo pak herë edhe e shënjestruar, por aleanca e pakompromis me të vërtetën dhe qytetarin, e shndërroi në atë për të cilën ishte krijuar.

 

Zoti Hysenbelli ofroi një pasqyrë mediatike ku mjetet e kontakteve të saj nuk ishin të mbushura me shqetësimin e politikës dhe politikanëve mbi të vërtetat e hidhura ndonjëherë; të personazheve që shqetësohen për bëmat e tyre; të krimit që blinte informacionin; të biznesmenëve ndaj të cilëve punonjësit e tyre kishin ankesa. Dyert e Fax News zoti Hysenbelli i shndërroi në një organ të rëndësishëm ku drejtësia ballafaqohej me padrejtësinë duke mbajtur gjithnjë krahun e të vërtetës.

 

Mjetet e kontaktit të Fax Medias u hapën për qytetarët, pa dallime të çfarëdollojshme. Ekrani që krijoi zoti Hysenbelli përfaqëson denjësisht atë për të cilën u krijua, që sot ndiqet dhe përcillet në disa platforma në shumë shtete të botës përmes asaj televizive dhe online.

 

5 Dhjetori është një ditë e dhimbshme për familjen Hysenbelli, bashkëshorten e tij Enkelejda, djalit Kevinit dhe vajzës Donika si dhe familjarët, të afërmit e bashkëpunëtorët ndër vite.

 

Sot është një ditë e dhimbshme dhe humbje e pazëvendësueshme edhe për familjen e Fax Media Grup, për çdo punonjës të kësaj mediaje të cilëve Hysenbelli u dha ndër vite besnikëri, liri profesionale, nxitje për të gjetur dhe transmetuar vetëm të vërtetën. I gjithë stafi i televizionit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelli për humbjen e madhe.