“Zbatojmë normat, ndryshojmë mendësitë”: Një udhëtim i suksesshëm kundër dhunës me bazë...

“Zbatojmë normat, ndryshojmë mendësitë”: Një udhëtim i suksesshëm kundër dhunës me bazë gjinore

202
0

Pas gjashtë vitesh punë të përkushtuar, programi rajonal i UN Women për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi “Zbatojmë normat, ndryshojmë mendësitë” ka përfunduar. Organizatat e shoqërisë civile, përfaqësuesit e qeverisë dhe partnerët u takuan për të vlerësuar arritjet, sfidat dhe të ardhmen. Kjo nismë e financuar nga Bashkimi Evropian ka arritur progres të konsiderueshëm në luftën kundër diskriminimit me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri.

Programi forcoi rolin e organizatave të grave dhe bashkëpunimin e tyre në përmirësimin e dispozitave ligjore si dhe zbatimin e tyre në nivel lokal. Rrjeti Monitorues Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, krijua në vitin 2018, ku përfshihen mbi 40 organizata, pati një rol vendimtar në monitorimin dhe advokimin e ndryshimeve ligjore dhe politikave.

Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta theksoi se “në sajë të punës së organizatave të shoqërisë civile, shumë më tepër gra sot marrin paketën e plotë të shërbimeve në mënyrë që ato të jenë të sigurta për të filluar një jetë të re, pa dhunë, varësi apo abuzim”.

“Me ratifikimin e Konventës së Stambollit, BE-ja ka konfirmuar se “projekti europian” bazohet para së gjithash në norma dhe vlera. BE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në luftën kundër dhunës ndaj grave, në partneritet të ngushtë me UN Women”, tha Hubert Perr, Drejtor i Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Gjatë aktivitetit përmbyllës, organizatat prezantuan arritjet e tyre kryesore gjatë punës me ofruesit e shërbimeve për forcimin e mekanizmave të referimit në mbi 15 bashki. Mbi 300 ofrues shërbimesh nga Mekanizmat e Koordinuar të Referimit janë tani më të pajisur për të ofruar mbështetje të specializuar në përputhje me standardet ndërkombëtare (CEDAW dhe Konventa e Stambollit).

Për të garantuar që gratë që kanë përjetuar dhunë të kenë akses në mbështetje të specializuar, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19, programi mbështeti organizatat që ofrojnë informacion, këshillim, ndihmë juridike falas dhe forma të tjera shërbimesh. Mbi 5000 gra përfituan nga shërbimet e përgjithshme dhe të specializuara. Përveç mbështetjes së menjëhershme, organizatat punuan drejt zgjidhjeve më afatgjata për të mbijetuarat. Që nga qershori i vitit 2021, 139 gra të mbijetuara të dhunës dhe 252 fëmijët e tyre në bashkitë Kukës, Korçë, Berat dhe Dibër përfituan nga riintegrimi ekonomik dhe social.

Pjesëmarrësit diskutuan strategjitë që ata përdorën në mënyrë që gratë nga grupet e margjinalizuara (romët, LGBTQI+ dhe gratë me aftësi të kufizuara) të mund të përfitonin nga mbështetja e menjëhershme, cilësore, e aksesueshme dhe e barabartë. Rreth 325 gra të mbijetuara të dhunës paten akses në mbështetjen afatshkurtër dhe afatmesme, nëpërmjet këshillimit ligjor dhe psiko-social, përfaqësimit në gjykatë dhe mbështetjes për të marrë urdhra mbrojtjeje.

Për të parandaluar shfaqjen e dhunës, programi trajtoi normat dhe sjelljet shoqërore përmes fushatave inovative kombëtare dhe online, duke arritur tek më shumë se 50 mijë njerëz. Ata u informuan dhe u inkurajuan që të mos jenë indiferent ndaj asnjë forme të dhunës me bazë gjinore, të identifikojnë dhe të refuzojnë normat e dëmshme sociale që justifikojnë çdo formë të dhunës ndaj grave, ndërsa gratë dhe vajzat mësuan për të drejtat e tyre, mënyrën e raportimit dhe aksesin në shërbime.

UN Women dhe agjencitë e tjera të OKB-së në vend do të integrojnë njohuritë dhe rezultatet e vlefshme nga ky program i financuar nga BE-ja, në përpjekjet e tyre të ardhshme për të çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave.