Xhezair Zaganjori: Marrëveshja e detit me Greqinë të mos zgjidhet në Gjykatën...

Xhezair Zaganjori: Marrëveshja e detit me Greqinë të mos zgjidhet në Gjykatën e Arbitrazhit

423
0

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori thotë se, dërgimi i çështjes së kufirit detar me Greqinë në Gjykatën e Hagës do të ishte zgjidhja më e mirë për Shqipërinë. Z. Zaganjori në një reagim për Euronews Albania nuk rekomandon zgjidhje me palë të tretë apo Gjykatën e Arbitrazhit dhe sjell si shembull rastin e mosmarrëveshjeve mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

 

“Zgjidhja me Gjykatë Ndërkombëtare është zgjidhja më e mirë. Aq më tepër që çështja është politizuar në mënyrë të tejskajshme. Mundësitë janë të shumta por për shumë arsye më e mira është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Nuk do të rekomandoja as me palë të tretë e as me Gjykatë Arbitrazhi.

 

Përvoja e Kroacisë me Slloveninë është shumë e keqe. Kam shkruar mbi këtë temë disa herë tek “Gazeta Shqiptare”. Nuk do të rekomandoja gjithashtu as Gjykatën e Dr. Detit në Hamburg. Por duhet ditur gjithashtu që në Gjykatën e Hagës duhen të paktën 4-5 vjet. Por nga ana tjetër po bëhen 11 vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe askush nuk ka menduar seriozisht për këtë çështje”, përfundon Zaganjori që ishte dhe relator i çështjes në vitin 2010.

 

Kryeministri shqiptar Edi Rama duke folur për Euronews Greece, tha se dy janë mundësitë për zgjidhjen e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, ose ndërmjetësim nga një vend i tretë, ose në gjykatë. Kjo është zgjidhja më e mirë për kryeministrin që eliminon sipas tij edhe reagimet nacionaliste lokale.