Vrasja e 25-vjeçarit, “Shqiponjat” lëviznin pa kamerat e trupit, kamerat e bizneseve...

Vrasja e 25-vjeçarit, “Shqiponjat” lëviznin pa kamerat e trupit, kamerat e bizneseve të fikura. Efektivi që e vrau kishte dy javë që…

255
0

Fax News mëson detaje të reja nga ekzekutimi i 25-vjeçarit Klodjan Raxha, pas mesnate në zonën e Laprakës në Tiranë.

 

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth ngjarjes, përfshirë edhe në servisin që gjendet pak metra larg vendit ku është ekzekutuar 25-vjeçari dhe një bar kafeje.

 

Kamerat e servisit kanë qenë të fikura dhe nuk kanë kapur asgjë. Burime bëjnë me dije se janë vetëm disa pamje të një biznesi në afërsi të Kupolës, e cila ka kapur disa sekuenca të lëvizjes në ndjekje e sipër me shpejtësi të të riut nga efektivët e policisë.

 

Efektivi i policisë shtetasi N.H që ka shtënë në drejtim të Rashës kishte dy javë që ishte transferuar në repartin “Shqiponja”. Më parë ka shërbyer në Komisariatin nr. 5 në Kamëz. Burimet ndërkohë bëjnë me dije se efektivët “Shqiponja” nuk kanë patur kamera trupi të instaluara.

 

Sa i takon të riut, për të cilën Policia u kujdes të njoftonte në rrugë jozytare se kishte qenë një person me precedentë penalë të mëparshëm, fqinjët dhe familja pretendojnë të kundërtën, duke thënë se ai ishte shumë i sjellshëm, dhe nuk ngacmonte akënd në lagje.

 

Ndërkohë xhaxhai i Klodjanit, Hasan Rasha teksa foli në emrin e familjes, tha se nipi i tij ishte një person që kishte pasur më herët probleme me shëndetin mendor, për të cilat dhe ishte mjekuar, ndërsa dha bindjen e plotë se nuk kishte pasur armë as me vete dhe as në shtëpi. Ai kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më parë nga ana e Policisë, ndërsa u shpreh i bindur se nipi i tij nuk ka drejtuar armë në drejtim të punonjësve të Policisë.

 

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se Rasha ka marrë dy plumba, një në kokë dhe një në shpinë, që nuk ka lidhje asesi me veprimin e Policit për ta neutralizuar atë. Policia dhe SHÇBA po kryejnë hetime në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që efektivi që ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit për momentin ndodhet i ndaluar.