VIDEO/ Protesta për minierën, banorët e Memalishtit përplasen me policinë dhe kompaninë

VIDEO/ Protesta për minierën, banorët e Memalishtit përplasen me policinë dhe kompaninë

434
0

Banorët e fshatit Memalisht në Pogradec, prej tre vitesh po përballen me një situatë të pazakontë, e cila po rrezikon jetën dhe pronen. Ronerd Hasanaj, banues në zonë, ka denoncuar në Opinion.al atë çfarë banorët e quajnë skandal. Kompania “Delta Star”, e cila është një firmë që merret me  shfrytëzimin e mineraleve nëntokësore, prej tre vitesh ka nisur shpërthimet me tritol në këtë zonë, duke vendosur në rrezik shembjen e shtëpive. Sipas tij, shtëpia më e afërt ndodhet vetëm 10 metra larg nga vendi ku kryhen punimet në minierën e Krom-Nikelit.

 

Sipas denoncuesit, banorët e zonës kanë 3 vite që protestojnë dhe ankohen për të marrë zgjidhje, ndërsa ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Pas protestës së parë, kompania në fjalë, ndërpreu punimet, duke u rikthyer përsëri dy muaj më pas. Punimet e kompanisë, janë ndalur shpesh herë prej protestave dhe ndërhyrjes së banorëve, ndërsa pasi kanë hasur irritimin e tyre, punimet janë ndërprerë për të rinisur kohë më pas nga fillimi.

 

Kompania “Delta Star” disponon një leje për punimet, e cila është dhënë pa asnjë lloj garancie për jetën e banorëve. Shpesh gjatë këtyre shpërthimeve, ka pasur dëmtime në pronat e tyre, dhe situata ka arritur deri aty ku janë kërcënuar me jetë nga menaxherët e kompanisë.

 

Protesta e fundit ka ndodhur dy ditë më parë, ku situata ka degraduar edhe në dhunë nga policia. Siç duket edhe nga videot e Opinion.al, kundërshtisë së banorëve policia e shtetit i është përgjigjur me dhunë. Dy prej banorëve janë shoqëruar në komisariat, ku njëri prej tyre i quajtur Suat Hasanaj është goditur nga policia duke e lënë pa ndjenja, dhe më pas e kanë dërguar në Urgjencë, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm. Gjithashtu është lënduar edhe një grua, e cila është kapur me forcë nga policia.

 

Banorët janë në panik për sigurinë e tyre, dhe kërkojnë me doemos zgjidhje të kësaj situate, që për ta është kaotike. Ankesë kanë bërë edhe në Ministrinë e Energjitikës, e cila u ka kthyer përgjigje formale./Ema Shazivari- Opinion.al

 

*Shihni pamjet e protestes, kur policia shperndan me dhune protestuesit