Vettingu “djeg” përfundimisht anëtarin e Gjykatës së Lartë

Vettingu “djeg” përfundimisht anëtarin e Gjykatës së Lartë

542
0

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vlerësuar se gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, nuk justifikon burimin e pasurive dhe për këtë arsye ka vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ta shkarkojë nga detyra.

 

KPA ka analizuar gjendjen financiare të Islamaj, si dhe pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si toka, apartamente, garazhe, automjete, por edhe lëvizjet e tij jashtë Shqipërisë.

 

Pas hetimit të fakteve të reja u miratua kërkesa për ankimimin e vendimit të KPK. Pas këtij vendimi Gjykata e Lartë mbetet me vetëm 3 anëtarë, në një kohë kur volumi i çështjeve që presin në Gjykatën e Lartë ka shkuar mbi 31 mijë dosje.

 

Ardian Dvoranin, Medi Bicin dhe Xhezair Zaganjori, janë tre anëtarët e fundit të Gjykatës së Lartë.

 

Shkarkimi i Islamajt sjell ngërç edhe në Gjykatën e Lartë, e cila nuk mund të marrë dot vendim, pasi anëtari tjetër, Medi Bici, është zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 

Ndërkohë që Dvorani është njëkohësisht edhe kryetar i KED, ndërsa Xhezair Zaganjori pas konfirmimit nga KPK, është ankimuar në KPA, e pritet që në ditët në vijim të vendoset edhe për të.