*1
Do ta marrim shpesh këtë udhë
nëpër kujtime duke shkelur,
jetësosur do mbërrijmë,
dëshirë patretur
Hap mendimi duke hedhur
e ndjesitë gjeth më gjeth,
fëshfërima e mendimi
bëhen bashkë , shpirti na ther
Pikëlon dhe dhimbja-vesë
hap i çalë, pa siguri,
vetëm koha s’di të presë
gjithë të tjerat janë aty
*2
Ky mëngjes
me ëmbëlsi
më pëshpëriti në vesh
Me rreze dielli
më puthi
Ndryshe,
krejt ndryshe
ky mëngjes i ri
Planet e ditës
më varen supeve
e mendja
më vrapon tek ti
E paskan harruar veten
në ëndërr,
fjetur në ty
*3
Degët e shelgut
puthen me valën e ujit
e pikojnë lot të dehur
Dhimbja ime e bukur
s’ka të prehur
Gurët e përroit
janë fjalët që s’ti thashë,
e puhiza e erës
jemi ne, bashkë
Ka kohë
që asnjë pranverë nuk po mund
gonxhet e shpirtit të mi çelë
Vijon
me valën të puthet shelgu,
e nëpër lumë
rrjedh pengu
Përplaset brigjeve
pengu i dhimbjes,
brigjeve të shpiritt
*4
Fjala e pathënë
mbeti hënë,
por hënë prapa reje
e fshehur prej meje
Dhimbja m’u bë qiell
e shpresa
mbeti zog në fluturim
Fjala e pathënë
pikon trishtim
Netët e heshtjes
zhytur në terr,
gjumin e harresën
çdo natë m’i merr
Nuk po tretet dhimbja
në lotin e trishtimit
*5
E kam veshur me vjeshtë
dhimbjen time
Mantel gjethesh
për dritherima
Kupën e shpirtit
plot aromë frutore
E kam thirrur erën
të m’i shpërndajë mendimet,
e shiun
të m’i zbusë plagët e shpirtit.
Më përpëlitet frika
në pritje të dimrit
6*
Në mështeknat e qytetit
përplasen mendimet tona
si zogj të hutuar
Përshendetsim njeri-tjetrin
me buzëqeshje të varura
si gjethet e pemëve
këtë fundjvjeshte
Trungjebardhat
dëshmojnë ankthin
që fort na ka zënë për fyti
Edhe kjo vjeshtë
gati iku!
*7
Ky nëntor
trokiti i dielltë sivjet
I grimon ditët e ftohta
me prarim
Vjeshtë lajkatare
në qytetin tim
Me shije ftoi
mashtrohen ndjesitë
tek duart fërkohen
Mpirja
s’mbeti veç në gishta,
por edhe në shpirtra
Ky nëntor prarues
nuk i zbeh dot dhimbjet
që kacafyten me avujt
Të akullta kanë mbetur mendimet
Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975.
Eshtë juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje experience 20- vjecare.
Eshte koordinatore e rrjetit “ Barazi ne vendimmarje” per Qarkun Kukes.
Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.
Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku ushtron profesionin e juristes dhe nderkohe drejton “ Qendren e Keshillimit te Grave dhe Sherbimeve sociale” nje OJF lokale
Ka relacion te vecante me poezine dhe ka botuar 7 vellime poetike deri tani, nderkohe qe here pas here eshte nderuar me cmime ne kompeticione te ndryshme te kesaj fushe.