
Nga 1 janari paga minimale do të jetë 30 000 lekë, nga 26000 lekë që është tani.
Vendimi për rritjen e pagës minimale u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat në caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.
- Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
- Paga bazë minimale orare të jetë 172.4 (njëqind e shtatëdhjetë e dy pikë katër) lekë.
- Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
- Vendimi nr.809, datë 26.12.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021.