Veliaj: Vitin tjetër, 16 shkolla të reja në Tiranë

Veliaj: Vitin tjetër, 16 shkolla të reja në Tiranë

352
0

-Për vitin e ardhshëm, Bashkia e Tiranës ka projektuar ndërtimin e 16 shkollave të reja në kryeqytet.

Kështu u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë takimit me drejtorët e shkollave për nisjen e vitit të ri akademik.

Gjatë fjalës së tij, ai solli në vëmendje  punimet e kryera në shkolla  gjatë sezonit të verës si ndërhyrjet, rikonstruksionet apo investimet e ndryshme.

“Gjatë muajve të verës Bashkia e Tiranës ka punuar në 191 shkolla, përmes ndërhyrjeve apo rikonstruksioneve. Kemi pasur lajme të mira. Bashkia e Tiranës ka ndërtuar tre shkolla të reja për 2500 nxënës ndërsa një tjetër sapo ka hedhur themelet”, tha ai.

Lidhur me infrastrukturën nëpër shkolla, Veliaj tha se kjo e fundit nuk është gjithçka por duhet, pasi sipas tij, në këtë mënyre mund të transformohet psikologjikisht humori i mësuesve apo nxënësve.

Krahas kësaj, ai përmendi disa nga problematikat e kësaj vere si zjarret e shumta të cilat sipas Veliaj, shumica e tyre janë shkaktuar qëllimisht nga njerëz të paarsimuar.

Ndër të tjera, Veliaj theksoi se “kemi një qytet me një milion veta. Jemi viktima të suksesit tonë. Sa më e mire bëhet Tirana, aq më shumë njerëz vijnë të jetojnë këtu. Por, ajo që mund të bëjmë është që ti japim dinjitet këtyre njerëzve përmes tranformimeve”.