U krye vrasja e Jak Prengës, vendoset nën sekuestro resorti luksoz i...

U krye vrasja e Jak Prengës, vendoset nën sekuestro resorti luksoz i familjes Hajri

464
0

Prokuroria ka vendosur nën sekuestro preventive resortin Golden në Shijak, që është në pronësi të familjes Hajri, dhe ku dyshohet se u vra Jak Prenga, pas pengmarrjes së tij pak ditë më parë në zonën e Kamzës në kryeqytet. Resorti “Golden” do t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë në lidhje me të gjithë aktivitetin e zhvilluar ndër vite, duke filluar që nga të ardhurat për ndërtimin, pagesat e taksave dhe deklarimet. Nga ana tjetër prokuroria ka lëshuar 11 urdhër-arreste për pengmarrjen dhe vrasjen e Prengës, nga të cilat 5 kanë arritur të ekzekutohen, dhe 6 të tjerë jo.

 

Në prangat e policisë kanë rënë derimë tani Leonard Hajri 36 vjeç, (i dënuar më parë) babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç, Festim Bexhdili që u arrestua mbrëmjen e djeshme dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak.

 

Burime bëjnë me dije se policia po kryen kërkime për gjetjen e trupit të Prengës në zonën e lumit Erzen, por nuk përjashtohet as mundësia që ai të jetë hedhur në det, në vijën bregdetare të Kavajës.

 

E vetmja provë që ka fundosur grupin është një kamer në garazh të resortit, ndërsa të tjerat i kanë shkatërruar. Pikërisht nga këto pamje, policia ka mundur të bëjë identifikuar 11 autorët e dyshuar të këtij krimi vërtet mafioz nga mënyra e ekzekutimit.

 

Ka mundësi që Prokuroria e Tiranës të shpall moskompetencë për çështjen nëse ngrihet akuza për grup të strukturuar kriminal.

 

Në këtë rast çështja do i kalohej SPAK-ut.

 

Astri Prenga, vëllai i Jak Prengës, ndodhet në Britani të Madhe, dhe dyshohet se është pjesë e kartelave të drogës, i cili mund të ndihmoj për të zbërthyer grupin kriminal. Për këtë arsye, akuza e Tiranës ka nisur një letërporosi në drejtim të autoriteteve britanike për ndalimin e tij dhe marrjen në pyetje.

 

Në këtë mënyrë pretendohet të zbërthehet dinamika e fillimit të konfliktit, mes grupeve kriminale që kanë lidhje me trafikun ndërkombëtar të kokainës.

 

Autoritet britanike akoma nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me letërporosinë e Prokurorisë së Tiranës.

 

Burime nga akuza konfirmojnë se kjo është çështje orësh, ndërsa lokalizimi i tij në Britani pritet të bëhet shpejt.

 

E gjithë pista e hetimeve të organit të akuzës është prishja e pazareve të drogës. Prokurori i çështjes, Leonard Filopati, që të mërkurën pasdite ka dërguar në Penalen e Tiranës kërkesën për masën “arrest me burg” për 5 të arrestuarit dhe po ashtu në mungesë edhe për 6 të tjerët që janë në kërkim.