Turneu i “yjeve”, spektakël bamirësie në “Air Albania”, triumfon Italia

Turneu i “yjeve”, spektakël bamirësie në “Air Albania”, triumfon Italia

622
0

 

Italia është fituesja e “Të luajmë dhe rindërtojmë së bashku”, një turne që mbi të gjitha bashkoi në fushë, që përpara shqelmimit të topit lojtarët e katër ekipeve (Shqipëria, Italia, Greqia dhe Turqia), që u përqafuan së bashku në “Air Albania Stadium”. U lshëuan 51 tullumbace që përkujtonin 51 viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, për të rikthyer dhe njëherë buzëqeshjen.

Gjithsesi, në momentin që fjalën e mori fusha, ishte kënaqësi e vërtetë të shikoje serish në fushë “yjet” e dikurshëm të futbollit kuqezi dhe jo vetëm, edhe pse Tare u largua pas vetëm 1 minute loje në përballjen mes Shqipërisë dhe Italisë. Ndërkohë Rraklli dhe Bogdani e kërkuan golin, por se gjetën atë, ndërsa Strakosha, jo Thomasi, por babai i tij, Foto, tregoi se nuk i ka humbur reflekset. Gjithsesi një minutë më pas e ndëshkoi Esposito, me një parabël shumë të bukur, që i kushtoi dhe një tërheqje.

Sfida ishte e vërtetë dhe Shqipëria, me ndonjë dorë nga gjyqtari, arriti te goli i barazimit 2 minuta para fundit të ndeshjes së parë, me kolegun e Espositos te Chievo, dikur, Erjon Bogdanin, që arriti të dërgonte topin në rrjetë, duke mposhtur Chimentin. U shkua te penalltitë, ku për Shqipërinë shënoi vetëm Skela, ndërsa gaboi Duro, por dhe Aliaj, penalltia e të cilit u përsërit (shënoi), por italianët shënuan 3 herë me Carbonen, Bonanin dhe Marcolin.

Për kuqezinjtë një përshëndetje për tifozët, që me biletat e blera prej tyre dhanë kontributin për të prekurit nga tërmeti.

Në sfidën e dytë ndërkohë Greqia fitoi 1-0 me Turqinë, me një gol të Karagunisit nga pika e bardhë, me sfidën finale që do të luhej mes Italisë dhe Greqisë nën gjykimin e të parës gjyqtare femër me stemë të FIFA-s nga Shqipëria, Emanuela Rusta.

Finalja u mbyll me fitoren e Italisë 1-0, me turneun që nuk i mungoi as një autogol, i cili në fakt vendosi dhe fituesin, që kishte dhe një shqiptar si De Biasi, i cili këtë herë triumfoi në krye të stolit të Italisë. Trofenë e dhuroi kreu i Sindikatës së Futbollistëve Shqiptarë, Andi Lila me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

“Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të gjithë vullnetarët që arritëm të bëjmë një ndeshje të tillë dhe FSHF-në që ishte mbështetësja kryesore. Jam shumë i lumtur, vetëm nuk do bëja asgjë,” – deklaroi Lila, ndërsa Duka shtoi:

“Aktiviteti ishte i bukur për qëllimin që u bë dhe si u organizua. Dua të falënderoj futbollistët që erdhën dhe morën pjesë në këtë turne dhe dua të falënderoj organizatorët kryesorë dhe ata që erdhën në shkallët e stadiumit”