Trajnim për influenceret e rinj të mediave: Audienca, mbrojtja e informacionit dhe...

Trajnim për influenceret e rinj të mediave: Audienca, mbrojtja e informacionit dhe shmangia e gjuhës së urrejtjes

528
0

Trajnimi tre-ditor për median dixhitale i programit “Zëra nga Ballkani,” që zbatohet nga Canal France Internacional, organizatë për mështetjen e mediave, me financimin e Ministrisë Franceze për Europën dhe Punët e Jashtme, që u zhvillua në datat 6-8 tetor, kishte si pjesëmarrës të rinj të angazhuar si blogerë, në fushën e podcasting, apo si “influencer” në formate të ndryshme të mediave online. Trajnimi ka për qëllim të ofrojë aftësi dhe njohuri për këtë grup të rinjsh aktivë në rrjetet sociale, të cilët angazohen dhe influencojnë komunitetin e tyre në tema të dobishme si mjedisi, çështjet gjinore, arsimi, kultura, arti, shkenca, por dhe problemet me te cilat përballen të rinjtë.

Pjesa e parë e trajnimit synon të aftësojë aktorët e mediave online mbi dinamikat e tregut, larmia e strategjive të marketingut dhe mënyrat e ndryshme se si të rinjtë pjesëmarrës mund të përdorin bazat e studimit të tregut, si dhe si të njohin audiencën e tyre dhe të konkurrencës. Vëmendje e veçantë iu kushtua prirjeve dhe platformave të reja në rrjetet sociale, dhe si ato mund të ndihmojnë në përhapjen e përmbajtjes dhe ndikimit te sa më shumë njerëz. Alternativa të financimit direkt nga publiku dhe mënyra se si mund të monetizohet përmbajtja ishin gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e trajnimit. Ndër të tjera trajnimi përqendrohet te mënyra të rritjes së audiencës, si të garantojmë mbrojtjen e informacionit dhe si të parandalohet gjuha e urrejtjes në komente. Trajnimi rajonal për Tiranën ka rreth 14 pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Kosova dhe Serbia. Gjithashtu, gjatë trajnimit pjesëmarrësit u përqendruan te mënyra se si të përdorin teknologjinë për të krijuar formate të ndryshme përmbajtjeje dhe komunikimi, si audio, video, podcast, blogje, si dhe mënyrën më të mirë për të shpërndarë përmbajtjen në platforma të ndryshme. Parime të tilla si krijimi i identitetit viziv, besnikëria ndaj komunitetit online, krijimi i një profili apo brendi lehtësisht të dallueshëm, si dhe përmbajtja e larmishme dhe origjinale ishin tema me interes të lartë për pjesëmarrësit. Parimet bazë të gazetarisë dhe rregullat themelore të etikës në profesionin e gazetarisë gjithashtu mund të ndihmojnë të rinjtë që hyjnë në këtë sferë të ambientit online që të krijojnë përmbajtje me përgjegjshmëri të lartë sociale. Në këtë aspekt pjesëmarrësit diskutuan mënyra se si këto parime mund të aplikohen gjatë punës së tyre. Po kështu, rëndësi iu kushtua dhe nevojës për të qenë të sigurt online, por edhe si të ruajmë shëndetin mendor kur ekspozohemi ndaj influencave negative online, si gjuha e urrejtjes në komente, apo aspekte të tjera të dëmshme.

 

Programi i Medias Dixhitale “Zëra nga Ballkani” zbatohet nga Canal France International, në bashkëpunim me Mediacentar Sarajevo, Institutin Shqiptar të Medias, Institutin e Medias në Mal të Zi, Institutin Maqedonas të Medias, Shkollën e Gazetarisë Novi Sad, si dhe Fondacionin për Informacion, Media, Dialog dhe Arsim KosovaLive.