Tradhtoi burrin me mjekun, shërohet nga një sëmundje e rëndë

Tradhtoi burrin me mjekun, shërohet nga një sëmundje e rëndë

607
0

dok-770x420

Përshëndetje të gjithë juve që po lexoni tani… gjëja e parë që mendova kur nisa të shkruaja mëkatin që kam bërë, ishte që do të më shani e ndoshta do të më urreni që të gjithë…

E di, është kjo arsyeja se pse nuk mund t’ia tregoj askujt që më njeh, ndaj po plas nga brenda… Ju që do ta mësoni ç’kam bërë, nuk do të më njihni me emër dhe kjo më shtyu të shkruaja në gazetë. Kam lexuar shumicën e historive që shkruhen këtu, sidomos në këtë faqe, kushtuar mëkatarëve dhe, t’ju them të drejtën, në më të shumtën e rasteve, i kam mirëkuptuar për gabimet e tyre. Jeta nganjëherë të shtyn të bësh atë që nuk e kishe çuar kurrë nëpër mend… kështu ndodhi edhe me mua.
Unë jam 28 vjeçe (i mbush në fund të këtij muaji), beqare. Më shohin shtrembër zakonisht kur them këtë fjalën e fundit, se, kur thua që je beqare në këtë moshë, të gjithë mendojnë se nuk ke krijuar familje ngaqë do që të bësh qejf, po të paktën për mua, kjo nuk është e vërtetë. Që njëzet vjeçe kam dëshiruar me shpirt të krijoja familje, por ashtu erdhën punët që nuk munda. Isha e lidhur prej një viti me një djalë që e kisha njohur në fakultet dhe prisja nga dita në ditë që ai të më propozonte për martesë, kur mësova se ai, në të vërtetë, ishte fejuar me një vajzë nga fshati, që ia kishte “bërë” e ëma. Më shumë u shokova sepse i njihja familjen dhe ajo më njihte mua, bile e ëma më quante me shaka “nuse”, por ja që ka edhe njerëz të tillë… Nuk e di çfarë nënash janë këto, po nejse, në fund të fundit, fajin më të madh e kishte i dashuri im, që këtej më betohej për dashuri dhe, nga ana tjetër, pranonte të merrte nuse
për mamin. Ta mendosh mirë, ç’do ta bëja një burrë të tillë qullash? Më e bukura ishte se edhe pasi e mora vesh (në fakt, e mora vesh në mënyrën më të dhimbshme të mundshme; ma tregoi pikërisht e ëma e tij, sepse kishte frikë mos atij i vinte nusja e më gjente mua në shtëpi!), pra, edhe pasi e mora vesh, ai vinte e qante para meje me kokërr të lotit, duke m’u lutur ta vazhdoja lidhjen me të, sepse më dashuronte…
Tani më vjen për të qeshur kur i kujtoj ato kohë, por unë e di se sa kam vuajtur e sa net kam qarë duke iu lutur Zotit që më mirë të vdisja sesa të jetoja pa të. Idiotësira! Dashuria të bën më shumë sesa budallaqe… po nejse. Po kthehem në të tashmen tani, që të mos ju lodh edhe juve.
Për shumë kohë pasi u ndava nga i dashuri im, mua më vinte për të vjellë vetëm të mendoja se mund të lidhesha me një burrë tjetër. As që doja t’ia dija se në këtë botë ekzistonin qeniet e kundërta me ne, që quhen burra. Budallallëku më i madh më dukej shprehja “gjysma tjetër”. Unë ndihesha shumë e plotë vetëm, s’kisha nevojë për gjë që të më plotësonte…

Në fakt, kishte qenë vetëm iluzion, sepse në atë kohë më nisën problemet shëndetësore. Me sa duket vetmia e gjatë dhe hidhërimi i shpirtit e kishin bërë të tyren… Nisa të kisha probleme me tiroidet, dhimbje barku (pas analizave doli se kisha një cist që duhej mjekuar e, nëse nuk zhdukej, duhej bërë operim), luhatje të mëdha tensioni, dhimbje mesi… më dukej sikur kisha marrë fund si njeri. Sa nisja të mjekohesha për diçka, më fillonte diçka tjetër. Për një periudhë të gjatë më ndalën menstruacionet dhe ky qe vërtet një tmerr sepse, përveç problemeve shëndetësore që më shkaktonte kjo gjë, nisa të kisha edhe shumë probleme psikologjike. Më dukej sikur po bija në depresion. Mami kishte ngelur duke më shoqëruar spitaleve. Sikur të mos mjaftonte që e kisha shqetësuar në atë periudhë që u ndava nga ish-i dashuri dhe që nuk po pranoja kurrsesi ndonjë mashkull në jetën time, ajo e shkreta duhet të vuante edhe faktin që unë nuk po ngrija më
kokë nga sëmundjet. Pikërisht në këtë kohë të errët për mua, ndodhi diçka e çuditshme, që do të ndryshonte gjithçka në jetën time dhe, mbi të gjitha, konceptin tim për botën. Mjeku tek i cili po ndiqesha, më tha se duhet të bëja patjetër konsultë me një mjek gjinekolog, pasi analizave të mia, vetëm një mjek gjinekolog mund t’u jepte shpjegim. Atë ditë që shkova te ky mjek, nuk i tregova nënës sepse më vinte zor të shkoja me të te gjinekologu dhe sepse më vinte keq që e kisha lodhur aq shumë. I thashë se e kisha lënë të dilja me një shoqe për drekë. Takimin me mjekun e kisha lënë në orën 12, por shkova pak më herët, me mendimin se ndoshta do të kishte radhë dhe nuk doja që të ma zinte kush. Isha lodhur tani nga njëri mjek te tjetri dhe doja si e si të mbaroja punë më parë. Për çudi, në klinikën e mjekut jo vetëm që nuk kishte radhë, por në holl më priti vetë mjeku, i cili më tha se nuk e kishte infermieren atë ditë. Ai më pyeti
nëse e kisha problem këtë gjë, por unë buzëqesha me pyetjen e tij. Atëhere buzëqeshi edhe ai dhe u futëm brenda në klinikë. Gjithçka në atë vend m’u duk e bukur. Ai e kishte klinikën në katin e parë të shtëpisë së tij private dhe jashtë dritares unë shikoja një oborr aq të bukur që, të them të drejtën, më qetësoi. Kam jetuar gjithë jetën në pallat dhe vdes të kem një shtëpi private që, ndoshta do ta kem një ditë… nejse. Mjeku ishte rreth të pesëdhjetave, jo shumë i gjatë, i thinjur, por shumë i kujdesshëm dhe shumë babaxhan. Për herë të parë pas aq shumë vizitave në klinika apo spitale, po ndihesha rehat para një mjeku. Dhe, ta mendosh se ishte mjek gjinekolog; sikleti më i madh i femrave!

Ai më pyeti për të gjitha shqetësimet që kisha, pa të gjitha analizat një për një dhe pastaj më tha se nuk ishte nevoja të bënte një vizitë gjinekologjike (shyqyr Zotit!), por atij i duheshin disa informacione private të miat dhe më pyeti nëse e kisha problem t’i përgjigjesha. Mohova, me buzëqeshje. Ai më bënte të ndihesha shumë mirë; i vetmi mashkull, pas kaq shumë kohësh! Mjeku më pyeti kur e kisha nisur jetën seksuale, sa kishte zgjatur, si kishte qenë ajo e gjëra të tjera të këtij lloji. Iu përgjigja për gjithjçka pa asnjë lloj sikleti. Në fund, ai më tha se i vetmi problem që kisha, ndonëse mund të më dukej i çuditshëm, ishte se kisha ndërprerë marrëdhëniet seksuale.

– Je në një moshë, kur trupi yt kërkon një jetë të rregullt seksuale dhe mungesa e saj t’i sjell të gjitha këto shqetësime – më tha.

Unë qesha dhe i thashë se kjo ishte e pamundur, por ai këmbënguli se duhet të nisja një lidhje sa më shpejt të ishte e mundur, qoftë kjo edhe një lidhje thjesht fizike.

– Lidhje për seks?! – gati sa nuk bërtita unë e çuditur. – Kjo është, ç’është! Sikur të mos mjaftojë mami që ma nxiu të gjej burrë, tani ka nisur të më bëjë presion edhe trupi im, këtë po përpiqeni të më thoni? – e pyeta.

Ai qeshi dhe pohoi. Ishte gjëja më e çuditshme që kisha dëgjuar pas shumë e shumë kohësh. I thashë mjekut se kjo nuk mund të ishte e vërtetë dhe ai më tha: “Bëj një provë e pastaj arrijmë në një përfundim!”. “Sfidë është kjo?”, e pyeta. “Merre si të duash!”, më tha. “Po ku ta gjej unë një mashkull që të më tërheqë?”, e pyeta si të ma kishte ai fajin, por ai qeshi dhe më tha se me siguri, dikush interesant për mua, mund të ekzistonte në këtë botë.

– E kam me të vërtetë! – iu hapa si pa të keq – Pas kaq vjetësh, ti je i vetmi mashkull interesant që kam parë! – por sapo e thashë këtë, ndjeva të skuqesha, ndërsa ai nisi të qeshte. Me të vërtetë qeshte bukur.

– Propozim është ky? – më tha dhe më dha dorën, duke më thënë se kurdo që të kisha nevojë për një konsultë tjetër, mund të shkoja. I mora kartvizitën dhe dola fare e shastisur nga ajo klinikë. Atë natë nuk fjeta. Isha e shokuar, nga njëra anë nga fjalët e mjekut dhe, nga ana tjetër, nga qetësia, kujdesi e shikimi i tij, që më kishin mbetur në mendje…

Kështu ndodhi që unë vendosa të bëja një provë me trupin tim dhe, i telefonova mjekut, këtë herë jo për një konsultë shëndetësore, ndonëse në njëfarë mënyre, ashtu siç ma kishte shpjeguar ai, një lloj trajtimi do të ishte edhe ajo që po i kërkoja: Doja thjesht të bëja seks me të!

Jeni shokuar nga kjo, apo jo? Edhe unë e shokuar isha, fillimisht, por të them të drejtën, kam më shumë se dy vjet lidhje me këtë njeri dhe, që nga ajo kohë, nuk kam më asnjë problem me shëndetin tim. Do të më dukej budallallëk po të ma thoshte dikush (siç mund t’ju duket edhe juve tani), por unë që e kam provuar, e di se kjo është e mundur. Kurrë mos thuaj kurrë thonë dhe unë kështu them… Kam një lidhje pa të ardhme, por ndihem mirë dhe, ç’gjë tjetër është më e rëndësishme se kjo?