TË PËRFAQËSUARA NË KUOTA NË QEVERI, POR TË HARRUARA JASHTË TIRANËS. GRATË...

TË PËRFAQËSUARA NË KUOTA NË QEVERI, POR TË HARRUARA JASHTË TIRANËS. GRATË RURALE, NË LUFTË PËR MBIJETESË

192
0

Gruaja rurale në Shqipëri vazhdon të përballet me sfida të mëdha dhe ka njohuri të kufizuara për të drejtat e saj. Pavarësisht përpjekjeve për barazi gjinore, gratë në këto zona janë ende në harresë të institucioneve dhe ballafaqohen me probleme si pensione të ulëta, papunësi dhe mungesë të mundësive për mobilitet social. Popullsia e plakur dhe emigracioni shtojnë vështirësitë e tyre. Megjithëse luajnë role të rëndësishme në turizëm dhe bujqësi, ato marrin shumë pak mbështetje. Ky kontrast i thellë midis grave në politikë dhe grave të zakonshme thekson ndarjen midis zonave urbane dhe rurale.

Autor: Arlis ALIKAJ

‘‘Nuk i kam dëgjuar kurrë këta emra’’, – thotë Beke Bylykbashi, kur e pyesim për deputete e ministre, si Elisa Spiropali, Albana Vokshi, Ermonela Felaj etj. Ajo është një zonjë, që banon në periferi të Librazhdit e që mbijeton në varfëri dhe shpesh, në pamundësi për të siguruar bukën për familjen. Ajo as që e di se çfarë do të thotë “barazi gjinore”; nuk mban mend ta ketë vizituar ndonjë zonjë e parlamentit, as lagjen e saj e as zonat përreth. Nuk e di asfare se çfarë është një organizatë joqeveritare, që mbron të drejtat e grave.

Shefikatja është një zonjë, që punon në një restorant në dalje të Librazhdit. Ajo thotë se ka dëgjuar për disa prej grave politikane, madje ndonjërës prej tyre i ka shërbyer në restorantin ku punon.

‘‘Në lokalin në dalje të Librazhdit, ku unë punoj, gjatë fundjavave has shpesh zonja nga kryeqyteti me makina të shtrenjta, që ikin për në Pogradec dhe për në Korçë. Një ditë pashë zonjën Albana Vokshi dhe më bëri përshtypje, se kishte shumë tualet në fytyrë. Nuk më pëlqeu, pasi nuk më la ndonjë bakshish për shërbimin. Ne jemi gra të forta, komuniste, ato janë të kohës moderne’’, – thotë Shefikatja.

Ajo nuk e di konceptin e barazisë gjinore dhe është krejt e painteresuar për raportet, që publikohen vazhdimisht nga politika, media apo organizatat qeveritare për barazinë gjinore. Shefikatja është në betejë të përditshme për të siguruar bukën për fëmijët dhe as që e di se cilat janë të drejtat e saj. Ajo qesh me ironi, kur ne i citojmë disa prej tyre. Ajo thotë se, “këto funksionojnë vetëm për gratë e rëndësishme dhe moderne”.

Bekja dhe Shefikatja nuk e dinë se për të drejtat e tyre e për ato të të gjitha grave në Shqipëri shpenzohen qindra-miliona euro nga politika dhe organizatat joqeveritare, në propagandën për të ofruar një realitet, që nuk ekziston në Shqipëri, atë të përpjekjeve dhe arritjeve në drejtim të barazisë gjinore. Jeta e vështirë e Bekes dhe e Shefikates na e tregojnë këtë diferencë të skajshme midis grave të politikës dhe atyre të zakonshme e më tej akoma, diferencën ndërmjet grave të zonave rurale dhe atyre të zonave urbane.

Në një vëzhgim të gazetarit të ACQJ, Arlis Alikaj, në faqen e AMSHC, Agjencia për Mbrojtjen e Shoqërisë Civile, është interesant fakti që në regjistrin e OJF-ve (Organizatave Jo-Fitimprurëse), në të dhënat për qarkun e Elbasanit, kryesisht për qytetet Librazhd, Përrenjas, Gramsh, Cërrik dhe Belsh, rreth 80% e këtyre organizatave janë ngritur dhe kanë drejtues ekzekutivë burra, si për shembull shoqata Në Dobi të Gruas Shqiptare (NDGSH), Elbasan ka drejtues ekzekutiv Daniel Kadri Zhuglin, OJF-ja Progresi për të gjithë ka drejtues ekzekutiv një burrë, Haxhi Balliun, gjithashtu shoqata Aurora ka drejtues një zotëri të quajtur Pëllumb Gjini e kështu me radhë, Shoqata e Bletarëve, Librazhd, që fuqizon gratë në fushën e bletarisë dhe ka pasur projekte për gratë fermere, ka drejtues një burrë të quajtur Veli Hoxha apo shoqata, që përfshin gratë egjiptiane, shoqata e komunitetit egjiptian, Jemi edhe Ne, ka drejtues një burrë, që quhet Rexhep Shaka.

Bekja dhe Shefikatja nuk kanë dëgjuar kurrë për këto organizata, sepse ato janë çdo ditë të zëna në betejën për mbijetesë.

Beke Bylykbashi përpara disa muajsh doli në pension. Ajo ka punuar që në moshën 16-vjeçare dhe, megjithëse ka 22 vite sigurime shoqërore, pensioni i doli vetëm 8,900 lekë në muaj.

FOTO E PENSIONIT TË BEKES NGA PORTALI QEVERITAR E-ALBANIA. TË DHËNAT SENSITIVE JANË TË FSHEHURA

‘‘Mendoja se pensioni supozohet të jetë në një moshë, kur ti merr frytet e gjithë këtyre viteve punë, por jo përballë çmimit të energjisë së ngritur, ilaçeve mujore e të tjera shpenzimeve.

Sot jam gati në kufijtë e depresionit, se s`di si të nxjerr fundin e muajit së bashku me burrin tim, i cili është invalid. Kemi punuar një jetë të tërë dhe marrim pensione të ulëta’’, – shprehet me dhimbje Bekja.

Me një sërë sëmundjesh të moshës, ajo thotë se është në kufijtë e mbijetesës. Së fundmi është diagnostikuar me noduse në tiroide dhe duhet që çdo tre muaj të bëjë ekzaminime të tiroideve në Tiranë, pasi në Librazhd nuk ka mjekë specialistë.

‘‘Nuk e di se si do t`ia bëja në kushtet e një operacioni, nuk kam mundësi ta përballoj.

I kam rënë në qafë djalit tim, të vetëm, i cili nuk po e ndërton dot të ardhmen e tij, pasi kujdeset për ne. Po të mos kemi atë, ‘‘ngordhin’’ për të ngrënë, unë dhe burri im’’, – shton Bekja me lot në sy.

“Në disa qytete të vogla në Shqipëri shumica e grave të moshës së mesme nuk punojnë jashtë shtëpisë së tyre. Një kombinim i kushteve të këqija, ekonomike dhe prirjeve sociale, konservatore i mban ato në shtëpi, por ato kanë aftësi. Disa kanë qenë mësuese, ose infermiere, ose shitëse. Të tjerat janë të afta në thurje ose janë kuzhiniere të mrekullueshme.

Shumë prej tyre do të gjenin një mundësi për t`i përdorur këto aftësi, në një mënyrë që do t`i ndihmonte ato të përmirësonin situatën e tyre”, – shprehet Michael Black, një ish-vullnetar i organizatës së Korpusit Amerikan të Paqes, i cili ka punuar me gratë e margjinalizuara në komunitete të vogla.

GRUAJA RURALE, SHTYLLA E TURIZMIT DHE KULINARISË

Librazhdi dhe Përrenjasi kanë parkun më të madh në Shqipëri, që është zonë e mbrojtur nga UNESCO. Gratë e kësaj zone janë të angazhuara për të përballuar, me aq sa munden, fluksin e turistëve, që vijnë për shkak të zonës turistike ku jetojnë, por ato thonë se qeveria lokale nuk i mbështet thuajse me asgjë.

“Në këtë kohë, kur statistikat janë të frikshme në shpopullim dhe emigrim nga të rinjtë, duhet të angazhohen nënat, të cilat vazhdojnë të mbeten në shumicën e vendeve fuqia kryesore e punës në zonat turistike. Duhet të shohim më shumë gra në programe dhe biznese”, – thotë eksperti i turizmit, Ahmet Mehmeti, nga organizata Klubi Ekologjik, Elbasan.

90 pjesëmarrëse, gra dhe vajza, nga zonat rurale të bashkive Elbasan, Kolonjë, Korçë dhe Pukë, të përfshira në zinxhirë të ndryshëm të vlerës në sektorin agro-ushqimor, u takuam në edicionin e katërt të Pro Grave Rurale në komunitetin e vogël, rural të Shirgjanit.

“Të ndërgjegjshme, se gratë janë aktore të rëndësishme në sektorin agro-ushqimor, ato mbeten kontribuueset kryesore në sektorin bujqësor dhe rural, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm social-ekonomik të vendit”, – thuhej në Deklaratën e Grave dhe Vajzave të Komuniteteve Rurale.

“Nuk mund të ketë progres në asnjë sektor, përfshi edhe sektorin bujqësor dhe rural, nëse nuk fuqizojmë gratë, që të luftojnë varfërinë dhe përjashtimin social. Eliminimi i pabarazive gjinore është parësor për fuqizimin social dhe ekonomik të grave dhe vajzave në zhvillimin bujqësor dhe rural, për ta bërë të dukshëm kontributin tonë, për të qenë pjesëtare aktive në ekonomi dhe jetë komunitare, si dhe përfituese të mundësive të barabarta në familje, sipërmarrje dhe komunitet”, – thotë Evelina Azizaj, koordinatore e Rrjetit Shqiptar Për Zhvillimin Rural.

“Ne duhet të investojmë te vajzat rurale. Ligji për rininë është sipërfaqësor dhe e trajton rininë rurale njësoj si rininë urbane, por sfidat e një të reje rurale nuk janë njësoj me ato të një të reje të zonave urbane. Infrastruktura jo e duhur e bën të vështirë për t`i aksesuar mundësitë”, – shton Evelina.

HENDEKU I QEVERISË ME KUOTA, JASHTË TIRANËS GRATË NDIHEN TË HARRUARA

Gratë rurale janë dëshmi e dështimit të kalvarit të politikave me gruan rurale. Mungesa e vëmendjes është cenim i jetës së grave me pensione qesharake, ku shumica e tyre nuk kanë pará për të blerë ilaçet e sëmundjeve kronike.

“Shteti ka dështuar në zona të thella, ku në Tiranë Edi Rama promovon qeverinë e tij si model me kuota, por midis grave të Rilindjes, që fshehin milionat e eurove nëpër tubat e ajrimit dhe grave rurale të Librazhdit, të cilat e kalojnë dimrin pa ngrohje, është për të qarë e për të qeshur. Puna e papaguar e grave është një pengesë për fuqizimin e tyre, ekonomik. Gjithashtu, mungesa dhe diversifikimi i mundësive i çojnë gratë në izolim. Gruaja është shtylla e shtëpisë, por gruaja rurale është e harruar”, – thotë Luljeta Hasanaj nga Qendra Mjedisore Për Studime dhe Zbatime, e cila drejton nismën e Klubit të Grave për fuqizimin e tyre, ekonomik në Librazhd dhe në Përrenjas.

FOTO NGA NJË TAKIM I KLUBIT TË GRAVE I QENDRËS MJEDISORE PËR STUDIME DHE ZBATIME, LIBRAZHD
GRA DUKE DISKUTUAR PËR PROBLEME TË NDRYSHME, SOCIALE DHE EKONOMIKE DHE SE SI TË MBËSHTESIN NJËRA-TJETRËN, FOTOT: ARLIS ALIKAJ

Sipas Shoqatës së Bashkive, në Reformën për Ndarjen e re Administrative Bashkia e re e Librazhdit ka një popullsi prej 44,181 banorësh. Ne u interesuam pranë Zyrës së Punësimit në Librazhd dhe, në informacionin që na dhanë, ka gjithsej 315 femra, që janë regjistruar si punë-kërkuese të papuna pranë kësaj zyre. Nga një vëzhgim i joni, por edhe duke pyetur qytetarë, numri është sigurisht shumë herë më i lartë dhe ky numër nuk pasqyron realitetin.

Shefikatja punon në një hotel të vogël në dalje të Librazhdit. Ajo thotë se paga e saj është shumë e ulët dhe nuk e reflekton rritjen e qeverisë.

‘‘Jam pa shtëpi, jetoj me qira. Erdha nga një fshat i Librazhdit për më shumë mundësi. Kam gjithë këto vite që punoj vetëm për të mbijetuar. Bukën e blejmë. Vajza më mbaron gjimnazin dhe nuk e di, nëse do kem mundësi që ta dërgoj në shkollë të lartë. Jam e mërzitur për të, nuk ka parë një herë det me sy si shoqet e saj. Edhe në mbrëmjen e maturës nuk do që të shkojë’’.

Etleva, një edukatore nga Përrenjasi, shprehet se ka një fermë të vogël me pula të nënës së saj. Ajo thotë se ka tentuar disa herë që ta zgjerojë aktivitetin, duke blerë më shumë pula, që të krijojë një iniciativë ekonomike për shitjen e mishit dhe të vezëve të tyre. Taksat, presioni bashkiak dhe procesi i formalizmit e stepën dhe ajo vendosi që ta mbyllë aktivitetin.

‘‘Mami im, një grua 61-vjeçare, tani mbahet vetëm me pensionin e saj, për shkak se nuk gjeti mbështetje në idenë e saj, nuk gjeti një frymë bashkëpunuese. Vuan nga diabeti dhe me lekët e pensionit as fishat për të matur diabetin nuk i ble dot. Duhet të presë moshën mbi 65-vjeç, që t`i marrë ato falas. Me shitjen e pulave donte që të mbështeste veten e saj për shëndetin”, – përfundon e mërzitur Etleva.

Shpresa dhe Refat Brahja janë një çift të moshuarish të komunitetit egjiptian, që shesin fara në Librazhd.

Shpresa duke shitur fara me bashkëshortin e saj

“Pensionet nuk na dalin, shesim fara dhe, kur kalon Policia Bashkiake, fshihemi. Ndonjëherë shesim rroba, herë-herë, banane. Presim festa të ndryshme, herë bëhemi myslimanë, herë të krishterë, sipas atyre që na japin ndihma e ushqime falas’’, – shton Shpresa.

Problemet e grave janë të shumta, por papunësia është një ndër më kryesoret. Pak prej grave, që jetojnë në qytete të vogla apo në zona rurale, mund të gjejnë një vend pune. Edhe në rastet kur e kanë një mundësi të tillë, shumica punojnë pa sigurime shoqërore.

Ato thonë se, punëdhënësit privatë abuzojnë me oraret e tejzgjatura dhe askush nuk i kontrollon. Nuk i kanë të ardhurat të qëndrueshme dhe nuk e kanë të sigurt vendin e punës.

“Kemi parë edhe deklarata të pashpirta dhe johumane nga politikanë, që nuk e dinë se ç`do të thonë të jesh i/e varfër, që kanë sugjeruar edhe uljen e pensioneve, që kurrë mos u ngopshin!”, – thotë eksperti i turizmit, Ahmet Mehmeti, gjithashtu pjesë e moshës së tretë.

“E megjithëse nuk kemi zë, gratë e Librazhdit janë të forta. Ne i japim shpresë vetes dhe nuk dorëzohemi. Megjithëse akoma paguajmë te mjeku i lagjes, për analiza te privati etj., ne kemi aftësi për t`ia dalë mbanë dhe për të mbijetuar me ato burime që kemi”, – përfundon Bekja.

Adelina Mema është një zonjë, e cila jeton në fshatin Dardhë, pjesë e 100 fshatrave turistikë. Ajo na tregon gjithashtu vështirësitë në përballimin e jetës në fshat.

“Pensionet e fshatit janë shumë të ulëta, nën 10,000 lekë të reja në muaj. Nuk marrim dot një iniciativë ekonomike apo të blejmë lëndën e parë; lëre pastaj problemet me ujin, me infrastrukturën e të tjera. Nuk shohim dot bukuritë e vendit tonë dhe mezi nxjerrim bukën e gojës’’, – thotë Adelina.

NË FOTO BASHKËSHORTI I ADELINËS, I CILI DITË-PËRDITË, NË DITË TË FTOHTA DIMRI APO NË DITË TË NXEHTA VERE SHET QUMËSHT NË LIBRAZHD, QË E TRANSPORTON ME KUAJ, PASI PENSIONI NUK I MJAFTON
FOTO: ARLIS ALIKAJ

Si Bekja, Shefikatja e Bukuria janë shumica e grave, që jetojnë në zonat rurale apo në qytete të vogla, si Librazhdi. Ato përballen çdo ditë me betejën për mbijetesë, për të siguruar bukën për fëmijët, ndërsa për të drejtat e tyre as që kanë pretendime e as që i njohin. Këto gra të periferive të Shqipërisë po vuajnë gjithashtu edhe mungesën e fëmijëve të tyre, për shkak se shumica janë larguar në emigracion.

GRATË RURALE, JO VETËM PA ASNJË RRITJE PENSIONI SË FUNDMI, POR EDHE ME PENSIONE TË PAPËRBALLUESHME PËR REALITETIN

Ndërsa popullsia po tkurret në grup-moshat e reja, në moshën më të vjetër ka rritje. Në janar të vitit 2023 mbi 454 mijë persona ishin mbi 64 vjeç, me një rritje 3.4% në krahasim me janarin e vitit 2022 dhe me rreth 17% në krahasim me janarin e vitit 2018.

Shifrat zyrtare tregojnë se pensionistët kanë norma më të larta punësimi në tremujorin e dytë dhe të tretë të çdo viti, ku përkon edhe kulmi i sezonit turistik dhe bujqësor.

INSTAT raportoi si të punësuar mbi 71 mijë pensionistë në tremujorin e parë, të cilët përbënin 15.6% të totalit të popullsisë mbi 65 vjeç. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2022, numri i pensionistëve të punësuar u rrit me 17%. Numri i pensionistëve, që raportohen si të punësuar, ka pësuar rritje dekadën e fundit. Pensionet e ulëta, hapësirat e lëna bosh nga të rinjtë dhe sidomos disa vende pune në sektorin e bujqësisë po plotësohen nga popullsia në moshë pensioni. Grafiku i mëposhtëm tregon se popullsia mbi 64 vjeç po rritet me shpejtësi.

BURIMI: INSTAT (INSTITUTI SHTETËROR SHQIPTAR I STATISTIKAVE)

Po ashtu, sipas një tjetër studimi të fundit të INSTAT-it, plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni, që ka përfshirë kryesisht të rinjtë, po e ndryshon ndjeshëm strukturën e popullsisë në vend, duke përmbysur piramidën në favor të moshave më të vjetra. Statistikat tregojnë se grup-mosha deri në 29 vjeç u tkurr me 40 mijë persona në vetëm një vit.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, Shqipëria ka arritur vendet e pasura për plakjen e popullsisë. Emigracioni dhe rënia e lindjeve i kanë plakur shpejt popullsitë e vendeve në tranzicion, duke e bërë edhe më të vështirë përshtatjen e tyre me kushtet e reja, demografike.

ACQJ iu drejtua INSTAT-it nëpërmjet një kërkese për informacion me e-mail dhe telefon, për sa i përket numrit të grave që jetojnë në zonat rurale, në raport me ato që jetojnë në zonat urbane; si dhe sa është pensioni minimal, që merr një grua në fshat.

Sipas përgjigjes zyrtare të INSTAT-it, në vitin 2021 kishte gjithsej 71,500 femra, që merrnin pension rural për skemën e Sigurimeve Shoqërore 2020-2021. Pensioni, që merr një grua shqiptare, rurale në fshat, kap vlerën e 9,656 lekëve. Një grua rurale, invalide merr 8,195 lekë. Paga mesatare, mujore, bruto gjatë tremujorit të parë të vitit 2023 është 64.706 lekë, duke u rritur me 9,2% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërkohë që pensionet nuk kanë pësuar rritje domethënëse.

Midis viteve 2020-2021 vihet re një rritje prej vetëm 300 lekësh (2.5 $). Për një grua rurale, me shpenzimet mujore, ilaçet dhe të tjera nevoja familjare, jetesa është e papërballueshme me këto pensione të ulëta krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit.

 

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Shkrimi u publikua më herët në: https://acqj.al/te-perfaqesuara-ne-kuota-ne-qeveri-por-te-harruara-jashte-tiranes-grate-rurale-ne-lufte-per-mbijetese/

 

 

Shperndaje