Historia e trishtë e Pranverës: Mendoj se kam takuar familjen biologjike, refuzuan...

Historia e trishtë e Pranverës: Mendoj se kam takuar familjen biologjike, refuzuan testin e ADN-së, por ngjaj me ta

196
0

Historia e Pranverës është krejtësisht e ndryshme nga rrëfimet e birësimit që janë transmetuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo kontakton prej 7 vitesh me stafin e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me shpresën se një ditë do të mësojë të vërtetën e prejardhjes së saj.

Përpara se të birësonte vajzën, drejtoresha e jetimores i tha babait se fëmija ishte e sëmurë. Gjithsesi, në moshën 3-vjeçare Pranvera u bë pjesë e një familjeje që i dhuroi të gjithë dashurinë që mundej.

Por në moshën 7-vjeçare asaj i thanë se ishte gjetur në një kosh mbeturinash, një fjali që e përndoqi deri në moshën 30-vjeçare kur prindër birësues i rrëfyen të vërtetën.

Nga ai çast, nisi kërkimi i familjes së saj biologjike dhe prej 7 vitesh që Pranvera kontakton me programin, ka mësuar të dhëna të ndryshme. Ajo ka arritur të kontaktojë me atë që dyshon se është familja biologjike, por kjo e fundit nuk ia ka pranuar apo mohuar diçka të tillë.

Ata e kanë refuzuar kërkesën e saj për testin e ADN-së, edhe pse Pranvera mendon se ngjason shumë me ta. Në mes të të dhënave që ka mësuar përgjatë viteve, është edhe një emër që ajo e ka përjetësuar si tatuazh në kyçin e dorës.

Pranvera: Kishim marrë informacione që familja ime ndodhej në Tepelenë, me të njëjtin mbiemër, Hoxha. Ishin Nexhmije dhe Luftim Hoxha në certifikatën ku babi kishte marrë dhe drejtoresha i kishte thënë që kanë qenë burrë edhe grua bashkë. Babi me mamin kur e morën në dorë thanë si ka mundësi, bashkëshortë burrë edhe grua paskan braktisur një vajzë? Arsyeja që kjo i kishte thënë që kjo ka qenë e sëmurë dhe e kishin deklaruar të vdekur.

 

Ardit Gjebrea: Për ty?

 

Pranvera: Po, por që faleminderit Zotit jam shëndoshë e mirë. Më pas në bazë të këtyre informacioneve që babi kishte, unë për 7 vjet kam menduar që ishte familja ime. Jam takuar me ata dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ata kurrë nuk e mohuan dhe pohuan që unë jam vajza apo s’jam.

 

Ardit Gjebrea: Si e gjete ti këtë familje?

 

Pranvera: Nëpërmjet një mikes time. Ajo filloi po hetonte sepse ndodhej nga i njëjti vend dhe më pas, rastësisht në një spital ku unë isha shtruar ishte një zotëri që njihte zotin Luftim. Babi kishte vetëm informacion që i kishin thënë që ky ka qenë oficer, kaq i kishin thënë. Për Nexhmijen nuk kisha absolutisht asnjë lloj informacioni.

 

Ardit Gjebrea: Si e gjete?

 

Pranvera: Atë ditë në spital, babi siç e kemi ne shqiptarët, nga je, nga s’je thotë që “këtu-këtu, çfarë ke punuar”, thotë “kam qenë oficer në Memaliaj dhe në Tepelenë” dhe ne pamë njëri-tjetrin sepse të dy ishim duke kërkuar në atë periudhë. Dhe babi shkon e pyet dhe i thotë që këtu-këtu, “ne e kemi ditur që ka një histori por që nuk e dimë saktë, Luftimi por unë do të të jap numrin e djalit sepse ai është në moshë dhe nuk mund të flasë”. Kam marrë kontaktin e djalit, kam folur dhe impakti i parë sa më ka parë më ka ngatërruar me motrën e vet, ngjaja shumë dhe ngjaj shumë, ekstrem sa dhe sot që pak a shumë e di, unë nuk e besoj që ata s’janë…

 

Ardit Gjebrea: Ti mendon që ata janë?

 

Pranvera: E kam shumë të vështirë, e kam shumë të vështirë që ta besoj që s’janë ata, por që s’e di.

 

Ardit Gjebrea: Ti e vazhdon kontaktin me këtë familje?

 

Pranvera: Jo.

 

Ardit Gjebrea: Ata kishin një histori të ngjashme?

 

Pranvera: Nuk e kam kuptuar dot deri më sot sepse ata edhe kur i kërkuam pjesën e ADN-së, ata e refuzuan dhe kjo ishte një nga gjërat që mua më bëri të isha e bindur 100% që janë ata, pjesa e ADN-së që e refuzuan dhe ngjashmëria ekstreme që unë kisha.

 

Ardit Gjebrea: Ti çfarë nuk ke dëgjuar, ke dëgjuar edhe që për nënë biologjike të kanë thënë që ka vdekur, po?

 

Pranvera: Po, kam bërë edhe një tatuazh këtu. (Tregon kyçin e dorës).

 

Ardit Gjebrea: Që është?

 

Pranvera: Emri i saj dhe krahët e engjëllit.

 

Ardit Gjebrea: Me emrin Nexhmije?

 

Pranvera: Jo, Miranda.

 

Ardit Gjebrea: Me emrin e mamasë tënde?

 

Pranvera: Kështu më thanë.

 

Ardit Gjebrea: Po nëse nuk është Miranda çfarë do bësh?

 

Pranvera: Do ta fshijmë./Klan/