T’i ruajmë këto foto, do t’i duhen historisë

T’i ruajmë këto foto, do t’i duhen historisë

542
0

Nga Mentor Kikia

 

Nuk kam shumë besim, që ata që do të vijnë pas nesh në këtë tokë, do të ndërtojnë një shoqëri më të mirë nga kjo e jona. Pasi, përveç atij pak modernizimi që ka ardhur si pasojë e globalizimit të jetës, në aspekte të tjera jemi pothuaj aty ku ishim 100 vjet më parë. Madje në disa drejtime jemi edhe më keq. Por gjithësesi, jam i bindur se kur të shkruajnë historinë, më zi nuk do të gjejnë nga sa jemi ne sot.

 

Ndaj do të duhet të ruhen këto foto, si dëshmi e nivelit më të ulët që ka patur ndonjëherë përfaqësimi i popullit. Më keq nga koha kur parlamentin e përbënin pronarët e tokave që u pasuruan duke bërë shërbëtorin e Turqisë. Më keq edhe nga koha kur parlamentin e përbënin ata që për ligj e kushtetutë njihnin vetëm fjalën e Partisë.

Sot ajo godinë ka strehuar e strehon deputetë trafikantë, që kanë shitur e shfrytëzuar vajza për prostitucion. Deputetë që kanë vrarë njerëz. Biznesmenë të pasur e të korruptuar, pa asnjë lidhje me politikën, e pa qenë në gjendje të shkruajnë e lexojnë edhe një faqe fjalim.

Vajza injorante baballarësh të pasur, dashnore e gra burrash të pasur që kanë blerë vendin në listat e kandidatëve. Kllounë e karagjozë, pa pikën e integritetit, që e kanë shndërruar parlamentin në një teatër mediokër.

Të gjithë kemi kontribuar për këtë gjendje. Ku me heshtje e ku me duartrokitje, ku me votë e ku me bojkot. Ndërsa tani s’na mbetet veçse të qeshim, të qeshim e të qajmë për batakun ku kemi rënë.