Theu gjurin në derbi, mbrojtësi i Partizanit humbet sezonin

Theu gjurin në derbi, mbrojtësi i Partizanit humbet sezonin

533
0

Ka qenë një lajm i rëndë dëmtimi i Hektor Idrizajt për të gjithë ambientin e kuq. Mbrojtësi vlonjat pësoi një frakturë në kupën e gjurit në minutën e 56-të të takimit Tirana-Partizani, gjatë një dueli pranë vijës anësore.

Ishte një dëmtim fatkeq ai i Idrizajt, pasi nuk pati asnjë ndërhyrje të dhunshme, teksa rezonanca manjetike e kryer menjëherë me mbërritjen e 30-vjeçarit në spital, ka vërtetuar thyerjen e kupës së gjurit. Hektor Idrizaj do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe do të mund të jetë i gatshëm minimalisht pas 6 muajsh, çka do të thotë se sezoni për të është i mbyllur.

Trajneri Gega dhe pjestarë të klubit shkuan në spital menjëherë pas ndeshjes, ndërsa Partizani i ka uruar shërim të shpejtë lojtarit të tij në një njoftim zyrtar, ku bëhet e ditur dhe shkalla e rëndë e dëmtimit.

“Trajneri Skënder Gega dhe pjestarë të klubit kanë vizituar pas takimit ndaj Tiranës mbrojtësin Hektor Idrizaj, i cili la fushën e lojës i dëmtuar pas një përplasje të rëndë. Idrizaj aktualisht gjendet i shtruar në ambjentet e spitalit dhe pas rezonancës magnetike ka rezultuar thyerje të kupës së gjurit të djathtë. Mbrojtësi i kuq do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Klubi i Futbollit Partizani i uron Hektor Idrizaj shërim dhe rikthim sa më të shpejtë në fushën e lojës. #JemiMeTyHektor💪,” lexohet në njoftimin e klubit të kuq.