Taksapaguesit e mëdhenj të pa mbrojtur nga shteti dhe fatkeqësitë!/ NGA Aida...

Taksapaguesit e mëdhenj të pa mbrojtur nga shteti dhe fatkeqësitë!/ NGA Aida Sejko

434
0

U përmbytëm sërish! Është normale që në raste të tilla, prioritet të jetë shpëtimi i jetës njerëzore. Por kur kjo fitohet, kthejmë kokën tek ajo që ngeli pas.  Qendra tregtare të përmbytura, akse kombëtare e autostrada të dëmtuara, e mes tyre dhjetëra kompani të mëdha që uji ju përpiu ambientet, depot, bazën materiale, gjithçka.  Në aksin Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, uji, jo për të parën herë, nuk pati asnjë vështirësi të përpinte gjithçka gjeti përpara. Gjigantët e ekonomisë së vendit, u bënë liliputë, jo vetëm përpara motit, por edhe përpara dorës se askund-ndodhur të shtetit. Dhjetëra kompani tregtare, të fushave të ndryshme, u dëmtuan duke humbur për të disatën herë duke ju cenuar ekuilibrat ekonomikë dhe duke u cenuar edhe siguria e gjithë sistemit social.  Nuk bëhet fjalë vetëm për industri veshjesh, por për kompani ushqimesh, apo akoma më rëndë, për kompani themelore farmaceutike në vend. Depozitat e tyre dhe magazinat me medikamente u gjendën papritur nën ujë, duke bërë që këto kompani, furnizuese kryesore të tregut me barna (si është rasti i Rejsi Farma) në këto ditë të vështira ku qytetarët kanë nevojë për medikamente, të mos kenë mundësi të përballojnë kërkesën e tregut në këto ditë emergjencash. Për këto produkte me kosto të lartë është e pa llogaritshme humbja financiare që kjo kompani apo simotrat e tjera të saj kanë. Por a mban njeri përgjegjësi për këtë? A ka ndonjë institucion që duhet të përgjigjet për dëmet ndaj gjigantëve të ekonomisë sonë, të cilët humbasin gjithçka në një histori të përsëritur. Këto kompani, të tregut farmaceutik, por edhe të sektorëve të tjerë janë taksa paguesit më të mëdhenj. Janë motorrët e ekonomisë dhe si të tillë duhet të kenë mekanizma mbrojtës të sigurisë juridike dhe fizike në përputhje me kontributin që japin në ekonomi. Kompanitë e mëdha paguajnë sot më shumë se 60 % të taksave në nivel kombëtar, ndërkohë që nuk përfitojnë asgjë nga qeveria në këmbim, siguri juridike dhe fizike. Edhe pse paguajnë taksën e infrastrukturës, papërgjegjshmëria e organeve kompetente nuk e kthen mbas si shërbim këtë  pagesë. Mungesa e kanaleve kulluese, kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndërtimet pa kriter dhe legalizimi i tyre me symbyllur, shkaktojnë katastrofa ndaj kompanive që kryejnë gjithçka në zbatim të ligjit. Në këto kompani inspektorët e tatimeve vijnë më shpesh se furnitorët, ndërsa dora e shtetit për të investuar në mjedisin e përbashkët që siguron funksionimin normal të punës së tyre, nuk duket asgjëkundi. Taksat do t’i paguajnë sërish.  Dëmet do t’i rikuperojnë vetë. Por …..askush nuk i garanton që sërish nuk do të përmbyten! Ndërgjegjja shtetërore nuk gërvishtet në asnjë rast nga këto tragjedi të paralajmëruara! Kambanat bien për ata që kanë vesh!