Super keku i Krishtlindjes me çokollatë të zezë dhe erëza

Super keku i Krishtlindjes me çokollatë të zezë dhe erëza

381
0

 

Nëse jeni ende të pavendosur se ç’ëmbëlsirë të përgatisni për Krishtlindje, nuk doni të harxhoni shumë kohë në kuzhinë, por as të zhgënjeni pritshmëritë e familjes, kjo është receta e duhur për ju.

 

 

Përbërësit për tavë të rrumbullakët me vrimë në mes ose atë që keni: 220 g gjalpë i butë në temperaturë ambienti, 150 g sheqer, 150 g sheqer kaf, 4 vezë, 320 g miell, 15 g sodë për ëmbëlsira (1 bustinë), 200 ml qumësht, 1 portokall organik – lëkura e grirë në rende, 1 bustinë vanilje, erëzasi pak arrëmyshk, kardamom, kanellë, karafil, na duhen gjithashtu 250 g çokollatë dhe 100 ml pana për çokollatën që do të hedhim sipër.

 

Përgatitja: Ndezim furrën në temperaturën 180° C. Në një tas hedhim me sitë miellin dhe sodën, shtojmë erëzat, lëkurën e portokallit dhe i përziejmë me pirun. Në një tas tjetër rrahim me rrahëse vezësh gjalpin me sheqerin, derisa të përftojmë një masë kremoze. Shtojmë një nga një vezët pa ndërprerë përzierjen e tyre, pastaj pjesë-pjesë miellin dhe në fund qumështin. Vazhdojmë kështu derisa të kemi hedhur të gjithë miellin dhe qumështin. Hedhim brumin në tavën e lyer më parë me gjalpë e miell dhe e pjekim për rreth 45 minuta. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh dhe kur ajo të dalë e pastër, keku është gati. E heqim nga tava pas 15 minutash.

Ndërkohë, vëmë një tenxhere të vogël në zjarr të ngadaltë dhe hedhim panën, e kur të marrë valë e hedhim në tasin ku kemi çokollatën. E përziejmë me shpejtësi me lugë druri, derisa të përftojmë një masë homogjene. E lëmë të vaket dhe e hedhim mbi kekun kur ky të jetë ftohur plotësisht.