Speciale/ Një ditë me njerëzit me aftësi ndryshe në qendrën multifunksionale në...

Speciale/ Një ditë me njerëzit me aftësi ndryshe në qendrën multifunksionale në Pogradec

695
0

Nga Eglantina Alliaj

Një grup gazetarësh udhëtuam drejt Pogradecit, për të vizituar qendrën komunitare multifunksionale në këtë qytet, një qendër e cila është hapur prej 24 vitesh, me disa klasa arsimi special për fëmijët me aftësi të kufizuara. Por dy dekada jetë jo vetëm u amortizua godina, por edhe sollën qasjen e re për shërbime komunitare dhe arsim gjithëpërfshirës. Ndaj në vitin 2017, me mbështetjen e PNUD, bashkia Pogradec ngriti qëndrën komunitare multifunksonale. Në Pogradec jetojnë 496 fëmijë me aftësi të kufizuara. Kjo qendër aktualisht ofron shërbime për 46 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara. Mosha për fëmijët varion nga 4 deri më 18 vjeç. Gjashtë nga 10 të rinjtë që frekuentojnë qendrën janë femra. Ndërsa 33 fëmijë dhe të rinj vijnë nga zonat urbane, ndërsa 13 të tjerë vijnë nga zonat rurale. 12 fëmijë shkojnë edhe në kopshte dhe shkolla. Kjo godinë është bërë me ndihmën e PNUD-it, në kuadër të Programit “Mbështetja e Kombeve të Bashkuara për Përfshirjen Sociale në Shqipëri”, financuar nga Agjensia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatuar në partneritet me Qeverinë Shqiptare dhe Agjensinë e Kombeve të Bashkuara. Bashkia Pogradec siguron operimin dhe mirëmbajtjen e qendrës.

 

Bebri: Persona me aftësi të kufizuara ka më shumë sesa janë në qendër

Anila Bebri, përgjegjëse e kësaj qendre tregon për ne gazetarët se 10 profesionistët e qendrës mbështesin fëmijët dhe të rinjtë në disa drejtime si: zhvillim dhe edukim, mësim, riaftësim fizik, terapi pune. Zonja Bebri ka punuar në këtë qendër që në hapjen e saj, dhe ka ndjekur hap pas hapi të gjitha rastet e personave me aftësi të kufizuara që kanë kërkuar mbështetje në këtë qendër. “Persona me aftësi të kufizuara ka më shumë sesa janë në qendër. Këtu të rinjtë zhvillojnë kryesisht punë dore dhe ajtivitete sicializuese, fëmijët mbështeten me terapi zhvillimi dhe aftësimi fizik. Qendra është në shërbim të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara nga mosha 4- 38 vjeç. Kemi dy grupe të rinjsh, i pari nga mosha 15- 18 vjeç dhe i dyti nga mosha 18 vjeç e lart. Aktualisht marrin shërbimin tonë 48 fëmijë. Shërbimet janë falas dhe ofrohen si paradite dhe pasdite, pasi ka fëmijë që frekuentojnë shkollën paradite dhe pasdite marrin shërbimin në qendër”-tha zonja Bebri. Ndërkohë në këtë qendër zhvillohen edhe séance këshillimi me punonjës social, stafi i qendrës punon me programe individuale, si dhe vlerësohet gjendja e fëmijës dhe pastaj ndëhyhet.

 

Sirin, piktori i vogël në qendër

Gjatë vizitës sonë në qendër, në një nga klasat takuam Sirin, vogëlushin 10 vjeçar që na mahniti me pikturat e tij. Në këtë klasë, çdo pikturë e varur në mur mbante emrin e tij. Në katin e dytë në sallë e fizioterapisë gjejmë Odisean, me diagnozën kontraktim spastik. Me një shall bën ushtrime për tërheqjen e shputës së këmbës.

 

Takimi me kryetarin e Bashkisë

“Nuk ishim ne që erdhëm këtu. Ishin mësuesit dhe bashkia që na kërkoi ndihmë. Ngritën zërin dhe insistuan në rikonstruksionin dhe sjelljen e një qasje të re për shërbime komunitare dhe arsim gjithëpërfshirës ” na tregon Anduena Shkurti, menaxherja e projektit, teksa presim të hyjmë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri.

Kryetari i bashkisë së Pogradecit thotë se janë gjithsej 480 fëmijë me aftësi të kufizuara që jetojnë në bashkinë që ai drejton. Momentalisht vetëm 48 prej tyre u jepet shërbimi në këtë qendër. “Ngritja e qendres ditore ishtë hapi i parë me qëllim që të kishim disa kushte për personat me aftësi të kufizuar “ –thotë Kapri. Por godina momentalisht nuk ka kapacitete akomoduese për përballimin e një numri më të madh. Po nuk është vetëm kaq, një numër fshatrash si Mokër, Selcë e Sipërme, Hoshtecë, Bishtricë nuk kanë as infrastrukturë rrugore që do të lejonte familjet të transportojnë fëmijët e tyre në këtë qendër. I pyetur për këtë, kryetari i Bashkisë nënvizon se “në planet tona është të ofrojmë specialistë që të jenë sa më afër këtyre zonave. Por që kjo qender të shtrijë aktiivitetin për të gjithë është realisht e pamundur”.

A ka zgjidhje për ata që jetojnë në zona të thella?

Gjatë bisedës me kryetarin e bashkisë, çështja që u ngrit ishte çfarë do bëhet me ata persona që jetojnë në zonat rurale? “Po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me shërbimet private të transportit që për familje të tilla shërbimi tu jepet falas. Bashkia nuk merr dot përsipër ta mbulojë me fondet e saj. E kemi të pamundur për shkak të borxhit që bashkia ka trashëguar. Është dhe një problem tjetër. Nëse do sigurohet transporti falas problem është shoqëruesi. Duhet patjetër që njëri prej prindërve të shoqërojë fëmijën pasi furgoni i linjës mund të bëjë ndalimin në stacionin përkatës por jo të sjellë fëmijën në qendër. Për fshatra të thellë kjo është e pamundur pasi nuk ka infrastrukturë rrugore “-shprehet Kapri.

Shërbimet, një drejtë për ta

Këta fëmijë, të rinj, apo edhe në moshë, që janë me aftësi ndryshe kanë nevojë për shërbime sociale, shëndetësore, që ju takojnë me ligj dhe me konventë. Dhe nuk janë pak. Ne vizituam vetëm Pogradecin, imagjinoni sa njerëz të tillë ka në të gjithë vendin, por që ende nuk ka shifra të sakta, nuk ka qendra të tilla, nuk marrin shërbimet bazë nga shteti dhe institicionet, dhe ku familja është e vetme në këtë sfidë.

 

Askush të mos mbetet pas

‘Askush Të Mos Mbetet Pas’ (LNB) është një Program I Përbashkët i Kombeve të Bashkuara, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Ky program që nisi në qershor 2017, synon të mbështesë personat në nevojë që: Të kenë qasje dhe mundësi të barabarta për shërbime publike,  Të marrin pjesë aktive në vendimmarrjen publike që ndikon në jetën e tyre, Të fuqizohen për t’i kërkuar llogari institucioneve përgjegjëse. Programi, falë njohurive dhe aftësive teknike të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në vend, ka mundesi të sigurojë një ndikim më të madh dhe shtrirje më të gjerë si në nivel vendor ashtu edhe në atë qendror. Programi zbatohet nga katër agjenci partnere të Kombeve të Bashkuara: UNDP, UNFPA, UNICEF dhe UN ËOMEN. Programi ‘Akush Të Mos Mbetet Pas’ zbatohet në të gjithë vendin, duke kontribuar në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve sociale në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Ndërhyrjet e tanishme të programit shtrihen në 18 bashki: Berat, Bulqizë, Dibër, Durrës, Fier, Fushë-Krujë, Korçë, Kukës, Lezhë, Lushnje, Përmet, Pogradec, Prrenjas, Sarandë, Shijak, Shkodër, Tiranë, Ura Vajgurore.