Si u qëlluan me breshëri kunati i Lul Berishës dhe shoku

Si u qëlluan me breshëri kunati i Lul Berishës dhe shoku

524
0

Si u qëlluan në pritë me breshëri kallashnikovi kunati i Lul Berishës, Plarent Dervishaj dhe shoku i tij Juljan Meçe.

Një atentat ka tronditur dje në mesditë (13:20) qytetin bregdetar të Durrësit, ku të plagosur mbetën Juljan Meçe, 36 vjeç dhe Plarent Dervishaj, 47 vjeç, të cilët u qëlluan me breshëri kallashnikovi teksa udhëtonin me një makinë “Range Rover”.

Meçe dhe Dervishaj mbetën të plagosur, i pari me tre plumba kokë, këmbë dhe shpatull, ndërsa 47- vjeçari mori vetëm një plumb në këmbë. Të dy të plagosurit morën ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk janë zbuluar autorët e këtij atentati, të cilët dyshohet se i janë vënë në ndjekje me dy makina “Range Rover”-it, derisa kanë qëlluar, pranë mbikalimit të Shkozetit.

Pas atentatit, makina është ndalur në hyrje të Durrësit në zonën e njohur si ish-Këneta. Ndërkohë, autorët u larguan me shpejtësi me një makinë, e cila u gjet e djegur disa kilometra më tej në autostradën Durrës-Tiranë.

ATENTATI

Dervishaj dhe Meçe, personazhe të njohura në qytetin bregdetar, por edhe nga Policia lokale ndodheshin nën shoqërinë e njëri-tjetrit, duke lëvizur me makinën e Dervishajt. Në momentin që ishin duke u futur në rrugën e re të zonës së ish-Kënetës, persona ende të paidentifikuar që ndodheshin në një makinë hapën zjarr duke qëlluar në të katër anët mjetin ku ndodheshin Meçe dhe Dervishaj.

Ata qëlluan në pjesën e përparme të mjetit dhe në pjesët anësore, duke menduar se kishin kryer objektivin. Duke qenë në një zonë të zbuluar, autorët u larguan me shpejtësi, duke mos u siguruar nëse personat që ndodheshin në makinë ishin vrarë.

Nga pjesa e përparme, automjeti me targë AA 005 MJ është bërë shoshë nga plumbat në pjesën e xhamit, ndërsa Meçe e Dervishaj kanë qenë në sediljet e para. Në vendin e ngjarjes mbërriti Policia, e cila nisi menjëherë nga hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, ndërsa u ngritën disa pika kontrolli në kryqëzime dhe rrugët kryesore hyrëse e dalëse të qytetit bregdetar, me qëllim arrestimin e autorëve.

HETIMET

Grupi hetimor ka ngritur disa pista, ndërsa janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonën e ngjarjes. Gjithashtu, pritet se me përmirësimin e gjendjes shëndetësore të të dy të plagosurve të merret edhe dëshmia e tyre.

Deri më tani, Policia e Durrësit ka shoqëruar mbi 13 persona si dëshmitarë okularë, por ende nuk ka një të dyshuar për atentatin. Nga ana tjetër, vetë Policia ka ngritur disa postblloqe në hyrjet dhe daljet e Durrësit për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Plarent Dervishaj dhe Juljan Meçe kanë qenë anëtarë të “Bandës së Durrësit” dhe janë akuzuar për disa ngjarje të rënda të ndodhura në vitet 1998-1999. /Panorama