Si funksiononte skema e kredive/ “Na mashtruan”, zbardhen dëshmitë e të arresuarve....

Si funksiononte skema e kredive/ “Na mashtruan”, zbardhen dëshmitë e të arresuarve. Njëra gati të tregonte emrat, por… Drejtoresha: Kush i sillte klientët

607
0

BLEONA METUSHI/ Gjykata e Apelit Tiranë la në burg drejtoreshën e fondit “Besa”, Albana Imami, dhe 2 të tjerë të prangosur për mashtrimin me kreditë fiktive.

 

 

Ndërkohë, Apeli lehtësoi masën e sigurisë për një prej agjenteve të kredisë në këtë institucion, Blertina Kanani, duke e lënë në “Arrest shtëpie”. E pandryshuar mbeti masa “Arrest shtëpie” edhe për Matilda Domin e Esmeralda Vason. Ashtu si në seancën në Shkallën e Parë, edhe në Apel, personat nën hetim kanë mohuar të kenë lidhje me skemën dhe pretenduan se ata janë mashtruar.

 

 

Drejtoresha e filalit të Fondit “Besa”, Albana Imami

 

Drejtoresha e filalit të Fondit “Besa”, Albana Imami

”Personat që kanë vjedhur janë jashtë”, tha Orkida Driza, e cila sipas Prokurorisë ka qenë seksere, ndërsa dje u la sërish në burg. Driza, më tej, u tregua e gatshme që të bashkëpunonte me drejtësinë dhe të tregonte emra, por kjo nuk e ndihmoi që të lërë qelinë.

 

Edhe familjarët e Mihal Hanxharit, i cili ishte agjent kredie në fondin “Besa”, kanë mohuar që ai të kishte lidhje. Vetë Hanxhari ka thënë në Gjykatë se në momentin që ka konstatuar një gjë të tillë, ka dhënë dorëheqjen, duke mohuar të ketë lidhje me skemën mashtruese dhe të këtë përfituar prej saj.

 

HETIMET

 

Sipas Prokurorisë, 6 personat nën hetim kanë konsumuar veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Duke iu referuar hetimeve, Albana Imami në këtë aktivitet të kundërligjshëm ka pasur rolin kryesor dhe ka bashkëpunuar me punonjësit e saj, ka rekrutuar njerëz në punë, ka krijuar klientë fiktivë, ka përpiluar dokumente fiktive dhe ka ushtruar influencën e saj te vartësit për të pranuar praktikat fiktive.

 

besa

 

Sipas Prokurorisë, vetë drejtoresha Albana Imami ka shpjeguar në dëshminë e saj se për dhënien e këtyre kredive, ku vlerën monetare nuk e merrnin klientët, por ajo vetë, ka bashkëpunuar me agjentë të kredive, si Esmeralda Vaso, Blertina Kanani apo Matilda Domi. Imami, e cila në Gjykatë ka pretenduar se nuk ishte në gjendje të mirë kur ka kryer këto veprime, shton se kjo gjë bëhej për të mbuluar kreditë e këqija, pasi me lekët që merrte nga kreditë fiktive, paguante këstet.

 

Albana Imami ka thënë se kur e ka parë që kjo skemë po e fuste në borxhe, ka vendosur të mos e vazhdojë më dhe të deklarojë rezultat negativ me 21% në muajin korrik. Por, tjetër version ka dhënë Matilda Domi, oficere e kredive, e cila teksa shpjegon dhënien e kredive fiktive, pretendon se është përdorur nga drejtoresha e degës për regjistrimin e disa kredive.

 

DËSHMIA E DREJTORESHËS

 

“Klientë fiktivë sillnin edhe shtetaset, Blertina Kanani, e cila punonte direkt me Esmeralda Vaso dhe Matilda Domin. Kjo e fundit, punonte me sekserët me emrat Arli, Tani, Ervis dhe Orkida Driza, e cila ishte edhe kliente e fondit “Besa”. Blertina, Esmeralda dhe Matilda përgatisnin dosjet dhe ia shpërndanin oficerëve të kredive, që ishin në punë te Tirana I, degë e fondit “Besa”. Oficerët e kredisë Tirana 1 dhe Tirana 4 ishin në dijeni se kush i sillte këta klientë fiktivë.

 

Më pas, kreditë aprovoheshin, disbursoheshin, ndërsa unë isha i vetmi person që bënte pagesat për këta klientë, për të cilët, kam mandatet e arkëtimit. Matilda Domi për pjesën e klientëve të zyrës së Vorës ka bërë pagesa me lekët e klientëve fiktivë. Po ashtu, edhe Blertina Kanani dhe Esmeralda Vaso kanë përdorur të njëjtën procedurë si Matilda.

 

Me këta klientë fiktivë nuk kam asnjë lidhje dhe asnjë kontakt, por kam bërë vetëm pagesa, në mënyrë që të mos dilte rezultati i keq i fondit dhe këtu filloi marrja e parave me përqindje. Në momentin që u transferova në degën Tirana 4, i njëjti fenomen vazhdoi edhe aty. Kjo gjë bëhej pasi në bazë të rezultatit të mirë të punës, merrnim bonusin mujor si oficerët e kredive, ashtu dhe drejtori i degës.