Shtyhet procesi për Fredi Belerin në GJKKO, caktohet gjykatësja e re për...

Shtyhet procesi për Fredi Belerin në GJKKO, caktohet gjykatësja e re për çështjen

413
0

Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri dhe të pandehurit Pandeli Kokaveshi u shty për shkak të largimit të gjyqtares Etleva Deda dhe zëvendësimit të saj me Flora Hajredinaj.

Në seancën e mëparshme, Deda kishte paraqitur kërkesën për heqje dore nga çështja, me argumentimin se ishte në konflikt interesi, përderisa kishte shqyrtuar një kërkesë të të pandehurit Beleri. Njëherazi, me të njëjtin argument edhe avokatët kërkuan përjashtimin e saj nga shqyrtimi i çështjes penale, kërkesë e cila u pranua.

Flora Hajredinaj, anëtarja e re e trupës gjykuese që do të shqyrtojë akuzat penale ndaj të pandehurve Beleri dhe Kokaveshi, tha në seancë se është shortuar ditën e djeshme, pra të hënë datë 16 ora 15.30 ndërsa të martën ka marrë pjesën në 3 procese gjyqësore, për këtë arsye kishte qenë në pamundësi për të studiuar dosjen, ndaj kërkoi kohë të njihej me aktet. Për këtë shkak, u vendos shtyrja e procesit për në datë 24 tetor. Në seancë mungoi i  pandehuri Beleri ndërsa procesi u ndoq nga afër nga kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule dhe ambasadorja greke në Tiranë.Fredi Beleri ndodhet në paraburgim prej 12 majit dhe tashmë akuzohet për korrupsion në zgjedhje bashkë me Pandeli Kokaveshin i cili po gjykohet në gjendje të lirë për shkak të gjendjes shëndetësore. Beleri dhe Kokaveshi akuzohen për korrupsion në zgjedhje, pasi i pari sipas SPAK premtoi 40 mijë lekë për 8 vota, ndërsa i dyti i dorëzoi paratë të infiltruarit të policisë Arsen Rama.