Arjan Shanaj është shtetasi shqiptar, banues në Fier të cilit Policia e Shtetit i sekuestroi pasuri me vlerë të përllogaritur 12 milionë euro. Policia e Shtetit bën me dije se ai i kishte vënë këto pasuri nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Mësohet se pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
- 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
- 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
- 2 vila trekatëshe;
- 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
- 3 apartamente banimi;
- 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
- 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
- 20 000 euro në llogaritë bankare;
- Një automjet me vlerë 40 000 euro;
Strukturat përkatëse të Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Fier, në bashkëpunim me administratorët e AAPSK-së kryen veprimet procedurale për kalimin e pasurive në administrim të AAPSK-së, tha Policia sot.