Saga e vilave të Bllokut në Pogradec/Të pathëna për Enver Hoxhën nga...

Saga e vilave të Bllokut në Pogradec/Të pathëna për Enver Hoxhën nga gruaja që i shërbeu 25 vjet (1)

636
0

Bardhyl Berberi

 

Dikur ato ishin vila hijerënda të zhytura në një luks të jashtëzakonshëm ku dëgjoheshin të lehurat e qenëve të fisëm të racës, dëgjohej trokullitja e gotave të kristalta nën dritën vezulluese të shandanëve të artë, muzika magjike e Bitëllsave që ishte privilegj vetëm për ‘ATA’ njerëzit e mbyllur dhe misteriozë. Në këtë luks të vilave shëtiste dhe qëndronte gati tre muaj çdo verë udhëheqësi komunist, i cili pasi bënte shëtitjen buzë liqenit mes plantacioneve të pafund me karafila, më pas qëndronte poshtë mështeknës së famshme që më shumë se sa studionte meditonte.

 

Vilat hijerëndë buzë liqenit pretendonin se kishin shkëlqim dhe ndershmërinë, të paktën kështu pretendonin dhe betoheshin banorët e tyre se shkriheshin për popullin për hallet e tij, më pas mbylleshin brenda kangjllave të vilave dhe populli ngelej tutje si hije…i zhytur në mjerim dhe gjithçka e kishte të racionuar me tollona. Por aty brenda vilave kanë punuar dy gra pogradecare, Bane Bajrami dhe Zike Hoxhallari të cilat punonin në pjesën e brendshme të vilave dhe i shërbenin drejtpërdrejt Enver Hoxhës. Ato kanë shumë kujtime dhe foto pasi mbi 25 vjet kanë qënë shumë konfidenciale me Enver Hoxhën dhe me familjen e tij, madje ruajnë të freskëta bisedat e zhvilluara me vetë Enver Hoxhën.

 

Bane Bajrami tregon intimitetet e saj me Enver Hoxhën, të cilit i ka shërbyer për më shumë se 25 vjet. E di pse dua të them disa gjëra të pathëna për Enverin, thotë Bania se shumë veta shkruajnë libra edhe pse kanë qënë pranë Enverit, por në ato kujtime më shumë duan që të ngrenë veten e tyre sesa të flasin realitetin.

 

– Bane a mund të na thoni  ndonjë moment të vështirë të Enverit gjatë kohës kur ju i shërbenit në vilën e tij?

 

– Po e kam të gjallë atë skenë para syve të mi atë verë  të  vitit 1978 që rrinte shumë i mërzitur. Qëndronte në ambientet e vilës tek oxhaku dhe nuk pranonte të bisedonte me asnjeri, madje as me Nexhmijen, ishte mbyllur në vetvete. Kur i çova kafenë mbasdite nuk e di si më doli nga shpirti dhe e pyeta:

 

“Shoku Enver,  asnjëherë nuk ju kam parë kaq të mërzitur”?

 

“Eh, moj Bane, më thotë Enveri, u prishëm me Kinën, problem dhe halle të shumta kemi dhe të tjera do të na shtohen”.

 

Pas pak ditësh vjen Ramiz Alia dhe biseduan kokë më kokë  buzë liqenit rreth 2 orë, më pas hëngrën drekë të dy dhe Ramizi iku përsëri në Tiranë…

 

– Po ndonjë bisedë tjetër keni patur më Enverin?…

 

– Një ditë befas Enveri më tha: “Eja këtu Bane se do të bëjmë pak muhabet shtruar, por aman dhe të sinqertë. Enveri më thotë:

 

“Si jetoni ju Bane, do të më thuash të vërtetën se këta agallarët e rrethit më gënjejnë  dhe ma bëjnë shesh me lule…”.

 

“Për çfarë të të them të drejtën, e pyeta unë dhe  zemra m’u drodh

 

“Si jeton populli, moj Bane? A keni mish, djathë, gjalpë, qumësht?” tha Enveri.

 

Atëherë ishte krizë, por ne na thoshte Sulua që “po t’iu pyesi shoku Enver se si jetoni ne, duhet t’i thoshim se ishim shumë mirë, kishim gjithçka…”. Edhe pse ishte krizë e madhe dhe ne ushqimet i merrnim me tallona, unë u detyrova ta gënjej Enverin me zemër të dridhur duke i thënë se “nuk na mungon asgjë”.

 

Ai më pa në beben e syrit dhe e tundi  kokën në shenjë  dyshimi. Pasi unë kur po e gënjeja u skuqa e tëra, u bëra flakë në fytyrë…

 

Një ditë thotë Bania pashë që i ishin shqepur bizhamat e Enverit. Ju thamë atyre të prapavijës dhe i sollën një palë bizhama të reja. Por Enveri shpërtheu menjëherë: “Jam gjirokastrit, unë Bane, nuk e prish paranë badjava… Jemi shumë  fukarenj Bane, prandaj m’i arnoni bizhamat dhe më sillni ato që kisha”.

 

– Bane, si është historia e manave që i çove Enverit fshehurazi?

 

– Enveri vuante nga diabeti dhe më thotë një ditë se “i haheshin mana”. Më tha “të shkoja fshehurazi mjekëve dhe të merrja ca mana dhe t’ia sillja”. Kishte një man brenda territorit të vilave, shkova dhe i mora një dorë mana. I hëngri me shumë shije… “Por, më tha, të mbetej sekret, të mos e merrte vesh doktor Isuf Kalo që e kuronte Enverin  nga diabeti…

 

– Flitet se kur ikte Enveri në Tiranë ju nuk e preknit dhomën e tij të gjumit, e linit ashtu siç e kishte lënë ai në momentin e largimit?

 

– Po, po në dy vitet e fundit para se të vdiste Enveri në vilën e Pogradecit ditën që largohej përnë Tiranë ne nuk e rregullonim krevatin ku flinte ai, e linim ashtu siç ishte ngritur nga gjumi, madje edhe filxhanin e kafesë nuk e lanim deri verën tjetër kur ai vinte përsëri, kështu ishte dhënë porosia nga Sulua.

 

– A mund të kujtoni diçka nga largimi i Enverit në verën e fundit të  tij në Pogradec?

 

– Po patjetër, ishte një largim i dhimbshëm, si asnjëherë tjetër, në fund të gushtit të vitit 1984 sikur e ndjeu që nuk do të vinte më dot në Pogradec. Para se t`i hipte makinës u rrotullua anembanë vilës, shkoi tek tavolina pranë mështeknës ku shkruante gjatë ditës e vendosi dorën mbi tavolinë dhe vështroi imtësisht mështeknën dhe plantacionin e karafilave shumëngjyësh që ndodheshin para vilës…u kthye nga bregu i liqenit dhe vështroi për disa çaste valët e liqenit dhe pulbardhat në breg që këlthisnin si një kor vajtojcash.

 

– Po më pas çfarë ndodhi?…

 

– Më pas thirri drejtorin e vilave të asaj kohe Piro Mitllarin dhe sëbashku me Nexhmijen i tha Sulo Gradecit të na bënte një fotografi, bëmë këtë fotografi në oborr para vilës. Asnjëherë nuk e kishte bërë këtë veprim para largimit nga Pogradeci… Ne i dhuruam karafilat që i donte aq shumë, ndërkohë Enveri hipi në veturë shumë i malluar dhe i përlotur, sikur e ndjeu se verën tjetër nuk do të vinte.

 

-Z. Bane, ju i shërbenit nga mëngjezi në darkë, a mund të na thoni se çfarë diete mbante Enveri pasi ai vuante nga diabeti?

 

– Në mëngjes fillimisht hante një vezë të zier dhe më pas pinte një gotë qumësht, pak më vonë konsumonte djathë të pjekur pa kripë dhe ndonjë thelë pjepër, kurse në drekë fillimisht hante një supë ose me zarzavate ose supë peshku. Dy fileto viçi me zarzavate të zjera… Ndërkohë ditën tjetër konsumonte  fileto peshku korani dhe këto të shoqëruar me zarzavate të ziera… Përdorte pas buke mollë të tharta  që ju thonë bosnja dhe ndonjë kumbull… Frutat e tjera nuk i përdorte se kishin sheqe, ndërsa në darkë ndonjë kos. Bukën pothuajse nuk e përdorte fare, vetëm ndonjë thelë të hollë…

 

– Bane, na  tregoni pak pak për momentin e vdekjes së Enverit?

 

– Atë natë, ende pa u përhapur lajmi, më  erdhi një makinë në shtëpi dhe më thanë se duhej të shkoja patjetër në shtëpinë e Enverit…E gjithë Byroja Politike qëndronte rrotull vilës. Vetëm Ramizi futej brenda herë pas here. Gjatë gjithë atyre ditëve shërbeva në vilën në Tiranë gjatë atyre ditëve të varrimit të Enverit në ambientet e brendshme të shtëpisë. Kanë qenë ditë të rënda… Pas pak ditësh erdhi Nexhmija në Pogradec dhe më 20 gusht 1985, mori disa buqeta me karafila   për t’ia çuar tek varri…Ja shikoje Nexhmien me motrën e Enverit që erdhën morën karafilat për Enverin, pasi ia kishte lënë amanet që karafilat e Pogradecit i donte tek varri. Por më 24 gusht 1985 Nexhmije Hoxha iu dërgon Banes dhe Zikes një letër dhe fotot që ato kishin bërë me Enverin dhe Nexhmijen.