Sa herë shani turizmin shqiptar, lini pa bukë një familje/ Nga Flora...

Sa herë shani turizmin shqiptar, lini pa bukë një familje/ Nga Flora Xhemani Baba

519
0

Turizmi ynë ka probleme të thella. Por nuk i ka vetëm sektori privat, prandaj çalon aq shumë. I ka në të gjitha drejtimet. Ne ende nuk dimë të bëjmë turizëm se jemi foshje që po rritet nga prindër të papërgjegjshëm. Kur fqinjët tanë, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Turqia, mësonin sesi bëhej turizmi, ne ishim në diktaturë. Kur ne dolëm nga diktatura, ata e kishin forcuar praktikën dhe e kthyen në traditë. Kur ne gjetëm lirinë dhe na u desh një dorë e fortë e shtetit që të orientonte turmën e dalë nga vatha, që s`kishte asnjë haber se si bëhej turizmi dhe e ekonomia, qeveria e mbushi vendin me banane dhe me kioska. Kur turizmi u rrit si bimë e egër, askush nuk i hodhi një pikë ujë, një krasitje, nuk i vuri një hu, që të rritej pemë e drejtë. Edhe sot pas tridhjetë vjetësh mungojnë plotësisht politikat e turizmit dhe është absolutisht e pamundur të edukosh investuesit që i kanë hedhur ato lekë drejt e nga duart me kallo ose nga kontrabanda dhe lekët e pista, që të mësojnë si të bëjnë turizëm. Kush diti dhe deshi të mësonte, e bëri mirë, kush nuk diti dhe nuk deshi, bëri atë që kemi sot në 70% të rasteve, që fatkeqësisht dominojnë pannoramën. Po a nuk është mëkat të çosh dëm mundin e atyre qindra bizneseve që janë invesuar familjarisht, që punojnë 24 orë, që me një sezon dymujor duhet të hanë gjithë vitin, kur shajmë turizmin tonë? A e dini që dëmi i vërtetë u bëhet pikërisht atyre që punojnë me djersë dhe jo hoteleve VIP që shahen por që kanë aq shumë biznese nga pas, saqë nuk u prishet shumë puna nëse u bien xhirot nga komentet negative? Nëse Dhërmiu pastron paratë, shërben me arrogancë dhe të vjedh, mos shkoni t`i çoni turistët në ato biznese që pastrojnë paratë dhe që e kanë të shkruar në ballë, çojini në hotele familjare që punojnë familjarisht e që gjithashtu e kanë të shkruar në ballë. Duhet të dini gjithmonë diçka: Sa herë që shani një destinacion turistik në Shqipëri, keni lënë pa bukë bizneset e mesme dhe dhe të vogla se ato të mëdhatë nuk i kanë hotelet burime jetese por pjesë të zinxhirit të bizneseve. Nuk bëhet turizmi me fletërrufe. Kërkoni llogari me takt atje ku zgjidhni të shkoni. Dhe nëse nuk ju pëlqen, ikni. Dhe nëse nuk doni të ikni, informohuni. Vetëm kështu do ta bëjmë turizmin.

Mendimi im gjithmonë.