Rreth librit ‘’Ne’’ të Besart Varfit

Rreth librit ‘’Ne’’ të Besart Varfit

350
0

Tek lexoja librin e Besart Varfit ‘’Ne’’, botuar dy vjet më parë, me të cilin u njoha rastësisht, nga një publikim i tij në një nga rrjetet sociale, për nga veçantia e strukturës që paraqet, m’u kujtua një thënie e Konfucit: ‘’Ç’do gjë ka bukurinë e saj, por, jo çdokush e sheh atë’’!

 

Është një libër që të habit e të huton për nga origjinalitetit, ku ndeshen me shumicë stilistikat dhe figurat letrare: metaforë, krahasim, simbol, antitezë, paradoks, enumeracion, gradacion, alegori, antonim, epifor, neologjizëm, pyetje retorike, epitet, onomatope, anaforë, epiforë, thirror, inversion, pasthirrmë, apostrof etj.

 

Një libër me poezi dhe proza të shkurtëra poetike, vazhdim dhe ndërthurje të njëra – tjetrës, jo më së shumti si kronologji ngjarjesh, që gjithaq, janë dhe s’janë të tilla, por, si një vazhdim gjendjeje meditimi, një gurgullimë uji, që herë të përgjum në nanurisje nga më të ëmblat, herë të lektis apo vrushkullon si lumë i dalë shtratit, shkaktuar nga ndjenja më hyjnore, Erosi, që i jep kuptim jetës.

 

Vepra në fjalë përshkrohet fund e krye nga ndjenja e dashurisë, e ngritur në himn. Fillon me përshkrimin e një dashurie rinore, kthyer në idil, siç mbeten ato të asaj moshe, të shkurtëra dhe të ndritshme si lule mimozash, delikate si pushi i tyre i mëndafshtë. Vendi, kryeqyteti, ku nis kjo dashuri e etertë, rritja dhe çastet e pakta ku ajo u realizua, ambiente të njohura për brezat e viteve 70 – 90, si vallëzimet në palestrat e shkollës apo në mensat e mjedisit ku kryhej zbori, i përfshirë në pragramet e arsimit të regjimit të para viteve nëntëdhjetë, apo festimi i ndonjë datëlindjeje, ngjall nostalgji tek të gjithë nxënësit dhe studentët e asaj periudhe.

 

Poezitë të tërheqin për figuracionin dhe stilistikën e ngjeshur letrare. Gjejmë shpesh në të njëjtën poezi, madje në vargje pranë e pranë, përdorimin e më shumë se një prej tyre, që ia rrisin vlerën dhe ngjallin emocion, si në të mëposhtëmet:

 

Një pasthirmë (esklamacion) e goditur si:

‘’Ah, sytë e tu të shoh të më hapen,

të më ftojnë të ngjitem në

dritën që lëshojnë poshtë’’

 

Rrugës, kësaj dashurie përjetësisht të brishtë, i shtohen të tjerat e jetës, me ngjyrat dhe këngët e saj, ditë më ditë, duke shkruar fletët e ditarit, që autori e ka zgjedhur si djep për krijesën e tij. Një metaforë që mbetet në mendje si jehonë:

 

‘’dhembje e dëshirës s’mbahet dot në dorë,

as zë s’ka, se shpirtndryrë në errësirë

dritën pret e s’ngopet’’

 

Në shumë vepra letrare, ndjenjat dhe emocionet e përfituara shkaktohen nga arsyeja, më konkretisht nga mbresat e ngjarjeve dhe situatave. Në librin ‘’Ne’’, më të rrallë, këtë përftim ndjenjash e hasim në prozat e shkurtëra. Vepra është ndjenjë dashurie e tëra, që, edhe të përcjell tek arsyeja, por, si e tillë, përgjithësisht është në kontradiktë me të. Jo më kot, thotë poeti:

 

‘’shkronjat bërë me erëza’’

 

apo si në epitetin e mëposhtëm:

‘’Para teje rri, pa kornizë, si portret i pambaruar,

se nevojë ka, mjeshtri të shtojë a të ndërrojë diçka’’

 

Nën poezitë dhe prozat poetike (në shumicën e tyre), apo veçmas, has shpesh pusulla, biseda të dashuruarish apo shtojca, tjetër dëshmi e formës origjinale të veprës, ku ndjehet rëndesa e emocioneve që shkakton çdo fjalë apo pasthirrmë, siç është ajo në përmbylljen e ‘’Marrëzi’’:

 

‘’P.s.: më tremb, bile më tmerron, shërimi. Kthimi në një gjendje, ku do të mund të jem i lirë nga kjo marrëzi. Çdo të ndodhë nëse do të iki diku, larg Tobozës, Mançës, Spanjës, Zoti i bekoftë Madhëritë e tyre të plotfuqishme, diku në një vend përtej oqeanit ku njerëz të qytetëruar s’ka, veç bisha të ushqyera me bisha dhe qeniet kanë brirë dhe jo shpirt?’’

Duke veshur petkun e Don Kishotit, për poetin, ‘’marrëzia’’ e dashurisë është shpëtim. I vetmi vend i shenjtë, i paqtë, i qytetëruar dhe i kuptueshëm, është ku ndodhet Dylqinja, dashuria. Pa Dylqinjën (dashurinë) bota është një HIÇ! Vetëm kjo ndjenjë mbi ndjenjat bën të mundur të tillë përsiatje.

 

Stili i të shkruarit, me varg në përgjithësi të thyer, herë i shtrirë dhe herë i shkurtër, deri në një fjalësh apo pasthirrmë të vetme, si mekje e ndjenjës dehëse, ku ruhet ritmi, është shkruar me një sintaksë të qartë e të kujdesshme, që i shmanget në pjesën më të madhe ligjërimit të përditshëm, shkruar tjetërsoj nga poezitë tradicionale me të cilat jemi mëkuar, duke i shmangur ato, për të na e përcjellë ndryshe ndjenjën superiore, fakt që të pështjellon. Ndesh në vargje dhe poezi shumë të bukura, por që, autori nuk të lejon lehtë t’i zbulosh, sikur të kërkon çmimin për t’i shijuar, pikërisht me stilin e tij. Lexuesit mund t’i duket vetja si në një vrapim me pengesa (ecje do të ishte në rastin tonë), për të arritur në më pikantet e vargjeve:

 

‘’Veç një ndjenjë, në një cep

u fsheh për t’u zgjuar i paditur’’

 

Apo si në paradoksin:

‘’klithmën e vet pa dëgjuar’’

 

dhe në litoten hiperbole:

‘’ndjenjëzë që s’e nxë as qielli, mbushet

E pangopur dhe s’brazet nga asgjë’’

 

dhe në paralelizmin figurativ:

‘’Natën kokën mbështete në mendimin tim,

ashtu siç e kishe menduar në dritë’’

 

dhe

‘’E di pafundësinë, me çastin e solli ora,

Mendja u rrënua kur urisë i shtypën lirinë’’

 

janë disa prej të shumtave vargje, ngërthyer shpesh me përsiatje filozofike, që ia vlen të lodhesh për të arritur në bukurinë e tyre, duke i ç’hermetizuar (aty ka janë të tilla), si kërkuesit e arit ujrave të Alaskës.

 

E tërë poezia të ‘’Ne’’, pështjellet rreth simbolit feminist të maces, kësaj kafshe, që si dashuria është përkëdhelqare dhe krenare, që kërkon vëmendje, inatoset, çjerr kur plagoset në shpirt, të fërkohet kur kërkon diçka apo pendohet, dremit dhe sheh ëndrra, të cilat, autori, si baballarët e psikoanalizës, kërkon t’i nxjerr në dritë, t’i konkretizojë. Sepse, dashuria me të gjitha ajo ç’përmban, nuk ka asgjë të turpshme! Përkundrazi! Është jetë dhe virtyt!

 

E papritur në libër është shfaqja e një personazhi, dajës, që e fut lexuesin në labirinth dhe që autori na e prezanton si thursin e vargjeve, teksa, për jetën e tij informohemi në fundkopertinë: vuajtës i kalvarit të persekutimit të regjimit komunist, si shumë të tjerë, me dashuri të këputur në mes, që e mbyll jetën në marri, marrëzi e zezë, antipod i asaj të ndritshmes, dashurore. Në fakt, poeti ynë, daja apo sivëllezërit e tyre, pavarsisht nga fati që i ndoqi, janë Një! Të dashuruar pas Dashurisë, ndjenjë që nuk njeh konvecione gjeografike apo kohe, as parime dhe ideologjizma epokash.

 

Librit ‘’Ne’’, botuar nga shtëpia botuese ‘’Toena’’, nuk iu kushtua as më i vogli publicitet. Të tilla ‘’ndere’’ ruhen për emra të njohur të letërsisë shqiptare, pavarsisht nëse e meritojnë apo jo. Fundja fare, ajo, sikurse simotrat e saj në vendin amë, nuk janë aspak të tilla! Janë veç shtypshkronja, që as për tregun e Shenjtit Libër nuk merakosen shumë! Dhe, ky barbarizëm ndaj shkrimtarëve dhe poetëve të jopërkëdhelur, do të vazhdojë për aq kohë, sa Ministria e Kulturës përgjatë qeverive postkomuniste, do ta konsideroj normale një anormalitet të tillë.

 

Po i mbyll keto mendime, që padashur moren formen e nje analize të mirëfilltë, jo si profesioniste, por si lexuese, me një thënie të Khalil Gibran:

 

‘’Dy çmimet kryesore të jetës, bukurinë dhe të vërtetën, i gjeta, të parën në një zemër të dashuruar dhe të dytën në dorën e një punëtori’’.

 

Besart Varfi i ka bashkuar të dyja në një!

 

Valbona Bozgo Musai,

Poete, shkrimtare.