”Rraqe-rraqe kikiko”, Rama jep porositë për zgjedhjet e 6 Marsit: Nga njëra...

”Rraqe-rraqe kikiko”, Rama jep porositë për zgjedhjet e 6 Marsit: Nga njëra anë jemi ne, nga ana tjetër janë ata, 3 lider, njëri grata, tjetri non grata, dhe i treti…

287
0

Ka nisur mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me Këshillimin Kombëtar, një histori e re kjo, që sipas mazhorancës do ti japë fuqi qytetarëve që të kenë rol në vendimmarrje.

Rama është ndalur dhe te zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në datën 6 Mars, që sipas tij vënë përballë PS-në dhe të paktën 3 kundërshtarë të ndarë në fraksione.

Rama iu kërkoi deputetëve të tij, dhe kandidatëve për 6 bashkitë e vendit, që të shmangin retorikën politike dhe të merren me problemet e njerëzve në terren.

“Për fushatën do të angazhohemi, por pa humbur fokusin nga Këshillimi Kombëtar, pasi Këshillimi Kombëtar është dhe një shtysë që deputetët të kthehen te njerëzit dhe të rrinë pranë njerëzve. Forcat vendore do të jenë të fokusuara në zgjedhjet vendore, mesazhet tona do të jenë të lidhura me hallet dhe me shpresat e këtyre banorëve, sa më pak politikë në këto zgjedhje, aq më mirë.

Politikisht panorama është e qartë, nga njëra anë, në 6 qarqe, në 12 sheshe, 18 e mundshme, edhe më shumë mbase, nga njëra anë ne 6 kandidatë, nga ana tjetër ata me 12, 18 ose më shumë kandidatë, që luftojnë për mbijetesën e udhëeheqësve. Nga njëra anë ne , nga ana tjetër ata që duan të hipin mbi shpinën e anëtarësive, dy PD njëra më e madhe se tjetra, 3 lider, njëri grata, tjetri non grata, dhe një i tretë që është edhe grata edhe non grata.

 

Njëri ka popullin e 11 Dhjetorit, tjetri ka popullin e 18 Dhjetorit, dhe tjetri që merr jetë nga sherri mes dy të parëve.

 

Rraqe-rraqe kikiko, sa gishta janë këtu. Teksa rraqet duan ti kthejnë dhe bashkitë në rraqe, ne duhet të shikojmë punën tonë, derë më derë, nëpër të gjitha lagjet e këtyre bashkive, me deputetët përkatës, me partinë në atë territor.

 

Për të mos promovuar turizmin elektoral, me deputetë që shkojnë atje dhe bëjnë më shumë zhurmë sesa punë, jo mitingje, jo grumbullime në salla të mbyllura, për të treguar me kokën lart se çfarë kemi bërë, dhe për të dëgjuar me kokën ulur atë që nuk kemi bërë mirë”, tha Rama.