RENEA e FNSH zbarkojnë në Nikël, dronet nga AJRI kërkojnë 7 të...

RENEA e FNSH zbarkojnë në Nikël, dronet nga AJRI kërkojnë 7 të fortët e Krujës, kontrolle në banesat e fisit Bami, Haka e Çangu

580
0

Kontrolle blic në zonën e Niklës në Fushë Krujë. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se gjatë mbrëmjes së djeshme në zonë janë zhvilluar aksione nga ana e forcave speciale të repartit RENEA. Këta të fundit, të pajisur me një vendim gjykate, kanë ushtruar kontrolle në banesat e “të fortëve” të zonës për të gjetur prova që mund t’i lidhin me ngjarje kriminale që kanë ndodhur së fundmi në vendin tonë.
Të njëjtat burime për Dosja.al bëjnë me dije se kontrollet janë ushtruar në banesat e Valter dhe Durim Bamit, Ylli Çangut dhe Bedri dhe Mariglen Hakës; Gentjan Koçit, Ylli Çangut dhe Ervin Kodrës.

Në njoftimin e dhënë për mediat, Policia e Shtetit ka bërë me dije se kontrollet janë në vijimësi të një procedimi penal të nisur nga SPAK, për një grup të strukturuar kriminal ku bëjnë pjesë 7 të fortët e zonës, të njohur për një sërë ngjarjesh kriminale.

Deri më tani është mësuar se gjatë kontrolleve të ushtruara nuk janë gjetur sende të paligjshme apo prova që mund t’i implikojnë si të përfshirë në ngjarje kriminale. Megjithatë ende nuk ka një informacion zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me operacionin e zhvilluar.

Gjithashtu Policia e Shtetit ka publikuar edhe pamje nga i gjithë operacioni i zhvilluar në orët e para të mëngjesit, në muzg, ku efektivë me maska dhe me armë zjarri kapen nga droni duke hyrë e dalë në të gjithë banesat e “të fortëve”. Sipas informacioneve të siguruara nga Dosja.al, në aksion ishin të përfshirë rreth 150 efektivë te RENEA-ve, përveç atyre të Policisë së Krujës.

Dosja.al ka sjellë edhe një profil të shkurtër për të gjithë personazhet që sot në orët e para të mëngjesit iu ‘shqetësua gjumi’ nga Policia. Të gjithë akuzohen për atentate me pagesë, gjobëvënie, vjedhje dhe vrasje. Mirëpo asnjë prej tyre nuk është pas hekurave të burgut.